“Barazia gjinore” kërkon qartësi konceptuale…

Gëzim Tushi Natyrisht, asnjëherë më parë në shoqërinë shqiptare për shkaqe të ndryshme dhe të natyrshme historike, tradicionale, zakonore, ideologjike dhe morale, nuk është folur dhe teorizuar kaq shumë për problemet ekskluzive të sigurimit dhe garantimit të të drejtave humane reale, të barazisë sociale dhe drejtësisë gjinore në shoqërinë tonë. Me fjalë të tjera, publikisht asnjëherë në Shqipëri tema e femrës dhe problematika e gjerë e saj, nuk ka qenë shfaqur kaq hapur dhe në tërë kompleksitetin e saj për publikun, median, politikën dhe shoqërinë. “Bota femërore” në shoqërinë tonë gradualisht ka marrë statusin e natyrshëm të vlerësimit sintetik të “masës së qytetërimit” tonë. Ajo çdo ditë e më shumë po bëhet pjesë e rëndësishme e jetës sociale, debatit, gjykimeve dhe analizave që përgjithësisht bëhen sipas standardeve të qytetërimit modern. E megjithatë, nuk është normale që të vetëkënaqemi me atë që duket, dhe ca më pak të mos bëjmë ca përpjekje më shumë për të analizuar në thelb ndryshimet dhe situatën e grave në shoqëri, duke zbuluar ca të vërteta që për shkak të kulturës dhe optikës sociale maskiliste që ka pasur dhe vazhdon të ketë shoqëria jonë nuk na lejon që me inteligjencë të tërthortë të kuptojmë atë që pengon ritmet e këtij procesi madhor të civilizimit të qytetërimit tonë, për të parë jo atë që “duket”, por atë që “fshihet”. Sepse pavarësisht arritjeve, bravurave populiste dhe dukjes dhe bujës spektakolare që bëjmë për arritjet (të cilat janë evidente dhe nuk mungojnë), duhet të pranojmë se edhe në këtë sferë nuk jemi aty ku duhet të jemi, në analogji me parametrat dhe imperativat gjinore europiane. Nëse do ta shikojmë nga kjo optikë besoj se duhet të themi që arritjet nuk janë aq të mëdha, dhe aq shumë entuziaste. Me sa duket “finishi” për të arritur standardet në fushën e barazisë gjinore, në të gjithë treguesit sintetikë dhe në tërë ingredientët e procesit është ende larg. Personalisht, jam marrë gjatë dhe kam shkruar shumë për këtë temë, jo vetëm pse sociologjikisht është e gjerë, komplekse dhe historikisht interesante, por dhe sepse gjithnjë kam pasur idenë fikse se në shoqërinë tonë pabarazia dhe diskriminimi i grave është një “plagë sociale”, një patologji evidente që është nga treguesit më sintetikë të natyrës së deformuar të shoqërisë tonë të së kaluarës. Reminishencat e së cilës, për fat të keq të shoqërisë dhe të grave tona është ende e fortë dhe virulente. Si çdo intelektual dhe qytetar i këtij vendi, jam i shqetësuar për situatën ende të vështirë të femrës (jo vetëm të gruas shqiptare) e cila po ndryshon me ritëm të ngadaltë. Me gjithë angazhimin e spikatur të politikës dhe shoqërisë në këtë betejë të madhe gjinore, duket se kjo çështje është sui generis e ndërlikuar në të gjithë shoqëritë maskiliste ballkanike. Dhe për pasojë, nuk mund të realizohet barazia gjinore vetëm me mjete politike, pa një ndjenjë sensibiliteti social dhe përjetimi intensiv mediatik, pa një aksion civil total të shoqërisë shqiptare e cila duhet të njohë detyrimin moral për të shprehur angazhimin civil dhe humanizmin e vërtetë të qytetërimit tonë, për t’i bërë gratë realisht të lira si qytetare të barabarta. Nuk duhet mohuar që në këto dy dekada në këtë fushë është investuar energji politike, janë përhapur njohuri, ide dhe praktika të mira gjinore nga politika, shteti, shoqëria civile, media, vetë gratë dhe organizatat e tyre specifike. Por shpesh ky “angazhim strategjik”, këto dëshira të mira sociale, politike dhe ligjore nuk po e japin “rezultatin e pritur”, që do të ishte si “shpërblim” për punën që po bëhet. Situata e grave, me gjithë ndryshimet që kanë ndodhur, duke e parë “përtej ambalazheve” të tepërta të OJF.-ve, ka aq shumë probleme, saqë e bëjnë të vështirë parashikimin sociologjik, se kur do të arrihet ky objektiv madhor i qytetërimit tonë. Pse ndodh kështu? Çfarë ka shoqëria jonë që nuk i arrin dot rezultatet e pritshme dhe të dëshiruara në fushën e “barazisë gjinore” ? Ku pengohet procesi? Mund të ketë shumë arsye komplekse, që mund të zbulohen duke bërë analiza sociologjike dhe prerje të ndryshme gjinore. Por duhen dalluar ato që momentalisht janë pengesat kryesore të këtij procesi të madh, të kësaj sfide madhore të qytetërimit tonë. Megjithëse në pamje të parë, të gjithë në shoqërinë tonë dukemi të angazhuar dhe të inkorporuar në mënyra të ndryshme në këtë proces integral, duke kontribuar në çdo rol dhe pozicion që jemi, duket se procesi i barazisë gjinore është përballë gjykimeve të përcipta sociale, nganjëherë të bëra në formë rutinë dhe me shumë lehtësi. Nuk është e vështirë që në një shoqëri tradicionalisht maskiliste të diktosh demagogjinë dhe dyfytyrësinë sociale kur flasim për rolin e femrës në shoqëri, për nevojën e vendosjes së barazisë gjinore. Ende kjo kërkesë fondamentale e qytetërimit europian nuk është bërë “limfë sociale” për shoqërinë tonë, nuk është kthyer në “aspiratë kombëtare”, nuk është kuptuar kulturalisht në radhë të parë nga meshkujt tanë detyrimi specifik për të pranuar më në fund dhe për të plotësuar parametrat e barazisë gjinore, pikërisht në familje dhe në shoqëri ku diskriminimi gjinor është evident. Nga ana tjetër duke e parë sociologjikisht çështjen dhe duke vlerësuar në kompleks atë që bëhet për gratë, situata nuk është aq favorizuese sa duhet. Kjo ndoshta edhe për faktin që shumica e politikanëve, intelektualëve, liderëve politikë të grave dhe vetë shoqatat e larmishme dhe “ambiguide” gjinore, shpesh bëjnë teorizime të ftohta, flasin me ide të ngjashme stereotipike, përdorin frazeologji të ftohtë dhe pa shpirt social. Nganjëherë përballemi me ide kote, të kopjuara nga realitete të tjera, por që nuk përkojnë në hapësirë dhe në kohë me problemet e realitetit tonë gjinor. Kjo ka bërë që në shoqërinë tonë të qarkullojë me tepricë, më shumë një modë joqeveritare e pajisur me “frazeologji gjinore” demokratike, e shoqëruar me ca fatura parash pa efekt, që na lënë në pozita të paqarta se kur do shkojmë deri në fund. Kur dëgjon ato që thuhen nëpër seminare dhe takime gjinore dhe duke parë si thuhen, si mendon shoqëria civile të realizojë objektivat për të cilat është investuar shumë nga shoqëria dhe shteti, duket qartë se ende nuk ka koncept të plotë, përfytyrim kompleks të ndryshuar për “pozitën e femrës” në shoqërinë tonë. E cila sot nuk është më vetëm “shtresë sociale”, por së pari figurë e personalizuar që tashmë është bërë komplekse, me botë dhe intimitet që shfaqet gjithnjë e më i “ndërlikuar” në shoqërinë shqiptare. Kjo do të thotë se “barazia gjinore” e vërtetë është përtej sloganeve dhe parafabrikateve sociologjike, sepse femrat e kohës sonë mendojnë, ndiejnë dhe sillen ndryshe nga tipologjia dhe mënyrat e vlerësimit të sjelljes së “femrës tradicionale”. Nuk mund të ndikosh në jetën e grave të kohës sonë nëse nuk pranon ca të vërteta që “duken” dhe “nuk duken”, që thuhen hapur apo fliten brenda komunitetit të tyre të vërtetë. Ato nuk janë më vetëm qenie sociale, por po shfaqin edhe destinacionin e natyrshëm biologjik, natyrën gjinore dhe identitetin seksual të veçantë. Nuk është boshllëk i vogël, por është defekt ontologjik i politikave gjinore, fakti që këto boshllëqe fillojnë nga konceptimi jo i drejtë i çështjes gjinore. Në këtë kontekst nuk më duket se në mendimin teorik, politik dhe sociologjik kemi një konceptim të qartë dhe të duhur të problematikës gjinore, apo të problemeve që kanë dhe me të cilat përballen femrat tona. Ca më pak, për të përcaktuar rrugët e vërteta të zgjidhjes së problemeve të tyre shoqërore dhe gjinore. Kjo do të thotë se boll shoqëria civile ka bërë ose teori të kulluar dhe tautologji false ose e ka trajtuar çështjen e barazisë gjinore me një tautologji sociologjizante që më shumë të kujton recidivat e bujshme të “betejës për emancipimin e gruas” në të kaluarën që mbeti vetëm një demagogji. Koncepti i barazisë gjinore është i gjerë, është kompleks dhe shumë i ndërlikuar. Thelbi është përtej frazeologjisë dhe demagogjisë, sepse është në “limfën” historike të shoqërisë shqiptare dhe të mentalitetit maskilist të “burrave” të këtij vendi, që edhe sot kur flasin për barazi gjinore e reduktojnë konceptin në anën e jashtme të gjërave, duke e parë çështjen të thjeshtëzuar. Barazia gjinore ka pjesën e saj që është e lidhur me transformimin politik dhe demokratik të shoqërisë shqiptare dhe garantimin e të drejtave ligjore dhe kushtetuese, por ajo së pari duhet parë si një proces social specifik të lidhur me ca të drejta të tjera të limituara apo të munguara të femrës që gëlojnë hapur dhe fshehtas në “moralin e dyfishtë” që ende është “ideologji zyrtare” e familjes dhe e shoqërisë, e cila ende ka frikë nga “bota e vërtetë” dhe ca të vërteta të thella të botës femërore që shoqëria jonë ka pasur paranojën e “kutisë së Pandorës”. Por tani ajo është e hapur dhe problemet kanë dalë. Kështu që kur diskutojmë për barazinë e vërtetë gjinore dhe për situatën e femrës në Shqipëri, nuk është mirë që atë ta trajtojmë me një “ideologji të vakët”, me tone të sipërfaqshme, duke parë vetëm gjërat që duken dhe të mos vlerësojmë ato gjëra që deri tani kanë qenë vlerësuar si “çështje gati transhedentale”, por që tani janë fare imanente për femrat tona. Kjo kërkon së paku zgjerim të koncepteve, të kontureve dhe problematikës femërore (jo thjesht gjinore). Nëse nuk e kuptojmë kështu, nëse nuk zgjerojmë konceptualitetin për botën e femrës, nuk besoj se paradigma tradicionale do të sjellë ndonjë rezultat shumë të mirë për femrat tona, të cilat ende nuk kanë hapësirë sa duhet në shoqërinë tonë për t’i thënë me zë të lartë “gjërat e tyre”...

Posted via email from Shkupi Press extra