Download this Blogger Template by Clicking Here!

Widgets

A çon barazia juridike në pabarazi sociale?



GRISELDA QOSJA
 Liberté, égalité, fratërnité! – parulla e famshme e Revolucionit Francez, e cila u ravijëzua qartë në historinë e përpjekjeve për sendërtimin e një shoqërie, në të cilën qeverisja do të ishte një sinonim i demokracisë. Rezultantja e shumëpritur e barazisë dhe lirisë. Është një mision i pamundur të konspektosh barazinë, pa e asociuar atë me lirinë, përse jo edhe me vetë demokracinë. Sigurisht, barazia, shembja e hierarkive të ngurta, dinastive qindravjeçare, kanë mikluar qytetarët në çdo kohë. Si shembull mund të sjellim “Fermën e kafshëve”, të Orwell, ku ferma “Menër”, në pronësi të zotit Xhons, u ofronte kafshëve të saj një strehë të ngrohtë e ushqim. Kafshë të shumta mund të ishin të lumtura për këtë, por jo ato të fermës “Menër”, e me qëllimin për të ndryshuar satus quo-në, për të qenë të lira e të barabarta, ato pushtuan fermën, duke dëbuar z. Xhons. Orwell ka ditur të paraqesë me mjeshtëri rotacionin e elitave. Një ndryshim delikat, i cili u dha fund ëndrrave për vëllazëri e barazi, sepse një elitë e mençur e mizore vjen në pushtet, e kështu kafshët e tjera e gjejnë veten në mënyrë të pashpresë, të zënë në grackë sipas mënyrave të vjetra, ku parullës së famshme: “Të gjithë janë të barabartë”, iu bashkëngjit “…por disa janë më të barabartë se të tjerët”. Nuk është një ndodhi thjesht e fermës “Menër”, por një fakt i përditësuar i historisë politike njerëzore.

Barazia përcaktohet si gjendja në të cilën njerëzit janë të barabartë, e fjalori britanik vijon me një shpjegim të gjatë të barazisë të konspektuar nën dritëhije të ndryshme. Por gjatë përcaktimit nuk mungon prania e fjalës drejtësi, e cila sendërton një tjetër nocion interesant: drejtësinë shoqërore. E ku kjo e fundit nga Rawls shihet në “Teorinë e Drejtësisë” e asociuar pashmangshmërisht me të mirat dhe detyrimet e një ekzistence të përbashkët. Në këtë kontekst, drejtësia shoqërore konspektohet si një çështje shpërndarjeje. Megjithatë, drejtësia shoqërore lidhet ngushtësisht me karakterin themelor të drejtësisë në shoqëri, duke nisur me konceptin e hartimit të kushtetutave, e deri në konceptin e drejtësisë në organizim ekonomik apo të mosbindjes civile, të shtjelluar gjerësisht nga Thoreau.

Barazia sociale është e lidhur ngushtësisht me parimet e shpërndarjes së të mirave të burimeve në një shoqëri, e cila nga ana tjetër lidhet domosdoshmërish me drejtësinë, duke mundësuar kështu një kalim interesant prej barazisë përkundrejt barazisë në shpërndarje. Për Rawls, barazia sociale nuk përkthehet në njehsim, kjo është e paqëndrueshme në teorinë e tij. Për të, barazia sociale ngrihet mbi parimin suum cuique, secilit ajo që i takon, por kjo përsëri nuk cilëson se si duhet përcaktuar se çfarë i takon këtij ose atij. Një zgjidhje klasike, gjithaq edhe Rawlsiane, kishte për të qenë se fondamentet për këtë përcaktim do të ishin të lidhura ngushtësisht me nevojat, të drejtat dhe meritat. Këto nocione nuk janë statike, e kërkojnë domosdoshmërish një konspektim më serioz, sidomos meritat, të cilat paraqesin një natyrë elastike në varësi të vëzhguesit, vlerësuesit. E rëndësishme në këtë pikë është një përforcim ligjor, i cili të garantojë një shpërndarje të drejtë e të barabartë. Por a mundet infrastruktura ligjore, duke siguruar një barazi juridike, të sigurojë edhe barazinë sociale?

Rawls distancohet prej shtetit minimalist, duke mbajtur një qëndrim i cili përafrohet natyrshëm me teorinë kontraktore, ku shteti nuk është në shërbim të disa objektivave specifikë e nuk ushtron pushtetin e tij në plotësimin e detyrimeve, vetëm si një detyrim kontraktual apo si një forcë monopoliste në veprim. Barazia sociale nuk është thjesht rrjedhojë e barazisë juridike. Sigurisht, barazia juridike është një kusht i domosdoshëm për ekzistencën e barazisë sociale, por jo një kusht i mjaftueshëm. Në një shoqëri, e cila operon konform një strukture të mbështetur në parimet e konkurrencës së lirë, të gjithë mund të respektojnë ligjin e të trajtohen në mënyrë të njësuar, juridikisht një sjellje e drejtë. Në de facto disa për hir të rastësisë apo për një arsye apo një tjetër, dikush e gjen vetën trashëgimtar të të ardhurave më të larta se të disa të tjerëve, çka i ekspozon ata përkundrejt shanseve më të larta për të qenë të suksesshëm. Barazia e mundësive të barabarta, në këtë pikë ndeshet me një barrierë të dukshme, sepse është e qartë se të ardhurat më të larta janë një habitus, ku mundësitë për jetesë e veprimtari janë më të larta, se ato të atyre që nuk kanë trashëguar këto të ardhura.

Rawls mendon se ekzistenca e të drejtave politike dhe juridike të barabarta është një kusht i domosdoshëm për gjenerim të në një sistemi demokratik, por barazia juridike në ekzistencën e saj duhet të jetë e garantuar prej barazisë shoqërore, e cila nuk nënkupton një barazi matematike, e një shpërndarje të njësuar të të ardhurave materiale, e cila do të shpërblente njësoj edhe një individ të aftë, edhe një individ jo të aftë, duke ngritur kështu një ngrehinë shpërndarjeje, esencialisht jo të drejtë, por një barazi, e cila relacionohet ngushtësisht me suum cuique: secilit ajo që i takon.

Kjo më bën të mendoj se duke qenë se “Republika” e Platonit, përshkruante një shoqëri të drejtë, në të cilën funksionet e ndryshme shoqërore kryheshin siç duhej dhe në mënyrë të baraspeshuar, duke njësuar drejtësinë me të mirën e përgjithshme, e duke ravijëzuar një hierarki të dukshme sociale, e cila në thelb e juridikisht është e drejtë, sepse vepron konform suum cuique, por në të njëjtën kohë fosilizon ndasi sociale, hulli të thella, të cilat nisen nga veprime të drejta, por që përballen me predispozitën për tu konvertuar në struktura jo të drejta, sepse pasardhësit e atyre që gjenden të pozicionuar më lart në hierarki, kanë me tepër premisa të qëndrojnë aty, sesa pasardhësit e shtresave të mëposhtme për tu ngjitur, ky është një disavantazh ose privilegj i trashëguar, i cili vetëm nëpërmjet ekuilibrit mund ti shmanget tendencës elitarizuese e oligarkike, e ndoshta për ruajtjen e këtij ekuilibri, Rawls përpiqet të legjitimojë rishpërndarjen e të ardhurave në formën e titujve të pronësisë, duke mundësuar një minimum jetik për cilindo, një shpërndarje të të mirave parësore.

Rawls sugjeron një teori të drejtësisë si paanshmëri, e cila sendërtohet, mbi besimin se pabarazitë shoqërore mund të justifikohen vetëm nëse është e dobishme për atë që ka më pak avantazhe, duke i nxitur ata për të punuar. Ky presupozim rrjedh prej besimit të Rawlsit se shumica e njerëzve të privuar nga dituria mbi talentin dhe aftësitë e tyre do të ishin të predispozuar në zgjedhjen e të jetuarit në një shoqëri, ku barazia do të mbivalonte duke suprimuar ndasitë e duke njësuar ndryshimet. Shumë kritikë e shohin këtë përqasje rawlsiane, shpeshherë edhe të atashuar me rrugën e tretë si një teori kontradiktore, e cila pranon dinamizmin e tregut, por edhe paralajmëron për rrezikun e dizintegrimit social. Teoria rawlsiane i përngjet një kompromisi midis pranimit të kapitalizmit si një mekanizëm i sigurt për të progresuar dhe për të rritur të ardhurat, dhe nga ana tjetër si një dëshirë për të shpërndarë pasurinë sipas parimeve morale, në shenjë solidariteti për të ndihmuar progresin e përbashkët shoqëror. Kjo kushtëzon një mungesë koherence teorike, e cila e pozicionon teorinë e Rawls, si një balancë midis tregut e shtetit, ku garancia juridike nuk mund të jetë e vetmja garanci e cila siguron vijueshmërinë e ekzistencës së barazisë shoqërore, sepse në kontekstin rawlsian ajo është e domosdoshme, por jo e mjaftueshme. 

SHARE THIS POST   

  • Facebook
  • Twitter
  • Myspace
  • Google Buzz
  • Reddit
  • Stumnleupon
  • Delicious
  • Digg
  • Technorati
Author: Mohammad
Mohammad is the founder of STC Network which offers Web Services and Online Business Solutions to clients around the globe. Read More →