Sistemi i ri në marrëdhëniet ndërkombëtare

Doc.Dr.Vasil Kureta

Rrëzimi i komunizmit hapi një erë të re në marrëdhëniet ndërkombëtare. Shpejt filloi të flitej për një "rend të ri botëror", për një ridimensionim të ri të rolit të aktorëve kryesorë në marrëdhëniet ndërkombëtare apo për një "model të ri të sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare". Ndryshimet strukturore cilësore epokale pas viteve '90 nuk mund të mos shqyrtoheshin nga këndvështrime të ndryshme. Në këtë shqyrtim, një vend të veçantë do të zinte ndikimi i atij procesi që filloi me rënien e murit të Berlinit, por në analizë do të përfshiheshin shumë faktorë relevantë. Këtu përfshihet edhe roli i madh i procesit të globalizimit, d.m.th. të atij procesi gjithëpërfshirës, por si një forme e një pabarazie të institucionalizuar.
Rrëzimi i komunizmit krijoi një realitet të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare. Tashmë ish-vendet komuniste kaluan në një rend të ri të demokracisë pluraliste dhe të ekonomisë së tregut e të iniciativës së lirë. Ky ndryshim cilësor do të kërkonte një ndryshim po kaq cilësor të cilësisë së re të sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare, të marrëdhënieve dypalëshe e shumëpalëshe dhe të vendosjes se rregullave të reja të lojës. Do të kërkonte reformim të misioneve të strukturave e organizmave të rëndësishëm ndërkombëtare, që mbanin vulën e periudhës së "luftës së ftohtë". Pra, hapej rruga për një rikonstruksion cilësor të sistemit të mëparshëm të marrëdhënieve ndërkombëtare. Nuk besoj se kishte diçka të përgatitur, qoftë dhe teorikisht se si do të veprohej menjëherë pas rrëzimit të komunizmit. Diskutimi do të përfshinte gjithçka, ndryshimi do të shtrihej kudo, përfshi dhe teoritë politike për shtetin.
Në fakt, procesi i ndryshimeve preku gjithçka, aq me tepër që dhe faktorët që ndikonin ishin shumë kompleksë. Në këtë proces ndryshimi, vend të veçantë e ndikim të ndjeshëm do të luante thellimi i demokracisë dhe i procesit të integrimit, në një shoqëri njerëzore që po bëhej më globale. Në një proces denacionalizimi social, kuptohet se vetëm vendet e hapura mund të mbijetojnë. Kjo do të thotë se këto shtete tashmë kanë ndryshuar ndje-shëm dhe kanë humbur disi domethënien e tyre të mëparshme.
Që nga koha e krijimit të shteteve kombe është ravijëzuar një trajektore, që përfshin si dukuritë ekstremiste në formën e fashizmit e nazizmit, të diktaturës së proletariatit apo socializmit totalitar, liberalizmin de-mokratik, centralizmin shtetëror dhe demokracinë pluraliste. Globalizimi dhe proceset integruese rajonale e globale kanë sjellë ndryshime për sa i përket ushtrimit të sovranitetit dhe rolit dhe efektivitetit të shtetit të pavarur komb. Nuk mund të mohohet që tashme shtetet kombe kanë humbur domethënien e tyre të mëparshme. Doktrinat aktuale politike dhe të sovranitetit shtetëror ndjehen ngushtë dhe në pamundësi të shpjegojnë dhe të mbështesin këtë proces të ri që po zhvillohet aktualisht. Kjo, për faktin se globalizimi dhe procesi i ri në tërësi po dobëson efektivitetin politik të shteteve kombe dhe ka krijuar një realitet që dikush e quan "nacionalizëm social". Sipas drejtorit të departamentit të konflikteve transkombëtare dhe institucioneve ndërkombëtare, në qendrën kërkimore dhe shkencore sociale të Berlinit dhe dekan themelues i Hertie School of Governance, Micahel Zurn, tashmë është rritur roli i shoqërisë civile, aq sa ai mendon se, "ajo ka uzurpuar gjithnjë e më shumë fuqinë e shtetit".
Në fakt, nëse e vështrojmë sistemin aktual të marrëdhënieve ndërkombëtare, do të konstatojmë lehtësisht një prezencë aktive të shoqërisë civile. Kështu, ka shoqëri konkrete në formën e korporatave multinacionale, të organizatave joqeveritare, madje dhe multinacionale, trupa private arbitrazhi, lëvizje proteste transnacionale, etj. Këto institucione të reja kanë tashmë vlerën e një rrjete publike globale, të cilat si një e tërë realizojnë faktikisht një kontroll politik nga lart, brenda një shteti dhe si një rrjetë globale edhe përtej shteteve kombe.
Për të qenë konkretë dhe për të kuptuar më mirë peshën dhe rolin e tyre mund të përmendim disa prej tyre. Korporatat transnacionale (TNSC) që bashkëpunojnë brenda regjimeve private ekonomike e që përdorin kode sjelljeje, që zbatohen nëpërmjet kra-hëve. Pra, aktorë ekonomike privatë bashkohen me aktorë të shoqërisë civile dhe bashkëpunojnë mes tyre mbështetur në principe të pranuara bashkërisht. Kështu, kemi në veprim, Internacional Chamber of Comerce, The International Accounting Standarts Board, etj., me kode të ndryshme të sjelljes dhe sisteme të ndryshme certifikimi. Po kështu ka forma bashkëpunimi mes aktorëve shtetërore dhe joshtetërorë, të partneritetit publik-privat, si Global Fund to Fight Turberculosis and Malaria, apo Global Compact dhe Kimberley Process. Përmes këtyre formave të bashkëpunimit të këtyre aktorëve socialë kryhen përmirësime sociale apo prodhohen të mira publike ne nivel transnacional, të cilat shtetet kombe nuk mund ti realizojnë vetë.
Ky realitet i ri ka tani edhe me optimistët, por edhe kritikët e skeptiket e vet. Është fakt që ndryshimi ka ndodhur dhe një realitet i ri nuk mund të mohohet apo të injorohet. Ajo që mund të pohohet më së pari, është se nuk duhen absolutizuar këto ndryshime. Nga ky këndvështrim realist mund të pohohet se ka një shoqëri civile të zhvilluar sot në çdo vend, por dhe një shoqëri civile globale, që është e çliruar dukshëm nga dominimi i shteteve kombe konkrete. Në këtë kuptim. nuk teprohet të flitet se ka një ligj të bërë nga vetë shoqëria civile globale, që përfshin aktorë privatë, që nuk krijohen e komandohen nga shtetet kombe. Këto forma të reja qeverisjeje janë vërtet aq të fuqishme sa që mund të shtrojmë çështjen: Nëse këto mekanizma ndikojnë më shumë në formën e ekonomisë së tregut, apo si pjesë e demokratizimit të shoqërisë.
Kuptohet se një shoqëri civile globale e çliruar nga dominimi i shteteve që nuk komandohen prej tyre, mund të jetë vetëm e dobishme. Megjithatë, duhet të marrim në konsideratë dhe disa rrethana e faktorë të tjerë. Funksionimi i kësaj shoqërie civile globale ka gjithnjë përballë një grumbull parakushtesh të komplikuara. Në mjaft raste, praktikat e veprimtaritë e këtyre aktorëve të shoqërisë civile marrin një karakter voluntarist. Kur korporata të caktuara ndërmarrin vetërregullime të veprimtarisë së tyre ato nuk mund të dinë e të sigurojnë të njëjtën sjellje të korporatave të tjera. Nuk mund të ketë siguri që edhe të tjerët do të pranojnë të njëjtat detyrime. Po kështu, efektiviteti i skemave rregullatore transnacionale varet nga marrëveshjet mes shteteve dhe zhvillimeve konkrete politike e ekonomike të tyre.
Monitorimi i plotë dhe efektiv i autoriteteve private nuk mund të sigurohet në çdo rast. Zhvillimet e tregut mund të ndikojnë edhe negativisht ndaj veprimtarisë së aktorëve privatë të shoqërisë civile. Në këto rrethana, vlerësimi më realist ndaj rolit të kësaj shoqërie civile globale mund të ishte një harmonizim e bashkëpunim efektiv mes kësaj shoqërie civile dhe shteteve kombe. Kjo, për faktin se po të vëmë përballë kontributet dhe mundësitë që ka kjo shoqëri civile me ato të qeverisjes shtetërore në çdo vend, do të konstatojmë se në asnjë rrethanë ai nuk mund ta zëvendësojë atë. Kontributet e kësaj shoqërie civile mund të konsiderohen si një vlerë e shtuar për qeverisjen shtetërore.
Ky vështrim na lejon të shtrojmë pyetjet: Çfarë drejtimi po merr sistemi shtetëror ndërkombëtar tani edhe në kushtet e rritjes se rolit të shoqërisë civile globale dhe të dobësimit relativ të rolit të shtetit komb? A mund dhe si ka ndikuar kriza e fundit botërore ekonomike e financiare në procesin e krijimit të modelit të ri të sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare? Cila do të jetë e ardhmja e shtetit komb? Si mund të vendosen ekuilibrat dhe realizohet shpërndarja e fuqisë në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare? Cili do të jetë roli i traditës historike ne vendosjen e aleancave të reja e ç'do të ndodhë me aleancat e vjetra? A mund të flasim sot apo të skicojmë një model të ri të përafërt që po krijohet në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare? Në kushtet e sotme të rritjes së ndjeshme të ndikimit të problemeve globale dhe kur po evidentohet qartë një kontradiktë e mprehtë njëri-planet, ç'drejtim mund të marrë ky proces i nisur? A ka ardhur koha për krijimin e doktrinave të reja politike për shtetin, qeverisjen dhe sovranitetin?
Sot ka një krijimtari në rritje shkencore për përballimin e këtyre problemeve, por një vend të veçantë zënë krijimtaritë e dy shkollave më të rëndësishme në disiplinën e marrëdhënieve ndërkombëtare: shkolla realiste dhe ajo institucionaliste. Është e kuptueshme që ato të mos kenë opsione të njëjta. Megjithatë, njohja e tyre është me vlerë. Por, më e vlefshme është të mos mbetesh deri te njohja e tyre, por të shkosh më tej. Kjo është rruga e shkencës.
Kundërvënia mes dy sistemeve të kundërta, e ka zanafillën që me fitoren e revolucionit socialist të tetorit, më 1917. Më pas, sidomos me krijimin e një kampi të veçantë socialist, ku bënin pjesë një numër i madh vendesh dhe një popullsi mjaft e madhe në numër, kundërvënia apo lufta mes tyre është zhvilluar e ashpër, e papajtueshme, e mirëorganizuar dhe e shtrirë në fushën ekonomike, politike, kulturore, diplomatike, ushtarake, ideologjike, etj. Ajo tashme njihet si periudhë e "luftës së ftohtë". Me sa duket, konsiderohet e tillë sepse kurrë nuk ndodhi një përplasje ushtarake mes dy kampeve, të cilët kishin ngritur dhe mbanin në gatishmëri organizmat përkatës ushtarake si NATO dhe Traktati i Varshavës. Megjithatë, kjo luftë nuk ishte dhe aq e ftohtë.
Në krye të dy kampeve kundërshtare qëndronin dy superfuqitë kryesore, SHBA dhe BRSS. Midis tyre kishte dhe kohë detantë dhe kohë acarimesh të nxehta dhe kontakte dypalëshe dhe traktate të tipit START për armët bërthamore. Kishte gjithashtu një garë të shfrenuar armatimesh ne det, ne toke dhe deri ne kozmos. Kishte natyrisht edhe një organizim që njihet si "vendet e paangazhuara", siç kishte dhe plane, ambicie e veprime për t'u shndërruar në superfuqi si fjala vjen Kina, por tonin fytyrës së modelit të sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare ia jepte marrëdhënia mes dy kampeve dhe dy superfuqive kryesore.
Rrëzimi i komunizmit ishte i kërkuar dhe i mirëpritur nga perëndimi, ishte si të thuash një kurorëzim i luftës dhe kundërvënies së gjatë mes tyre. Megjithatë askush nuk i kishte parashikuar pasojat dhe ndryshimet që pritej për modelin e ri të sistemet të marrëdhënieve ndërkombëtare. Eshët fakt se pas rrëzimit të komunizmit, shpërbërjes së BRSS dhe rënies së ndjeshme ekonomike të Rusisë, realiteti ndërkombëtar njohu të vetmen superfuqi botërore, SHBA. Tashme ajo është fuqia kryesore më e madhe botërore nga pikëpamja politike, ekonomike dhe ushtarake. Koha tregoi se SHBA nuk e shpërdoruan apo nuk e keqpërdoren fuqinë e tyre superiore.
Qëndrimet amerikane në arenën ndërkombëtare u orientuan në mbrojtje të interesave kombëtare amerikane, tashmë të shtrira në një hapësirë konkrete; në mbrojtje të demokracisë, të lirisë dhe të drejtave të njeriut, kundër diktaturave e regjimeve autoritariste që aplikojnë dhunë të zgjeruar dhe genocide; në luftën për zgjidhjen e konflikteve të mprehta e të luftërave civile në rajone të ndryshme të botës; në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar për mbrojtjen e paqes, stabilitetit dhe të sigurisë botërore e rajonale. Ato kanë deklaruar nevojën e partneritetit dhe të bashkëpunimit në realizimin e përgjegjësive, sidomos me aktorët dhe fuqitë kryesore në botë, për ruajtjen e paqes, demokracisë dhe të sigurisë botërore.
Kishte filluar koha për ndryshimin e sistemet të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe për krijimin e një modeli të ri. Shumë gjëra do të ndryshonin në sistemin e aleancave dhe të shpërndarjes së fuqisë. Do të ndryshonin sidomos në misionet e tyre organizmat që ishin pjellë e kohës së 'Luftës se ftohtë", duke filluar nga vetë ngrehina e OKB. Natyrisht, i një rëndësie të veçantë do të ishte fati i dy organizmave të mëdhenj ushtarakë, NATO dhe Traktati i Varshavës. Ngjau ajo që pritej: Traktati i Varshavës u shpërbë, ndërsa NATO hyri në proces reformimi të misionit të saj. Por tashmë kjo do të bëhej në kushte të reja, kur po ecej me shpejtësi drejt formësimit politik të BE, që e bënte atë një fuqi botërore me një vend të caktuar në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Pavarësisht vazhdimësisë së procesit të ndryshimit të modelit të marrëdhënieve ndërkombëtare, realiteti konkret prezantonte SHBA si fuqinë e vetme dhe kryesore botërore. Madje mënyra se si reagoi, vendosi dhe veproi SHBA me ndërhyrjen ushtarake në Irak, pa marrë një mandat të Këshillit të Sigurimit, ishte tregues i qartë i nevojës për reformim dhe ndryshim të organizmave kryesore ndërkombëtare, i nevojës për një model të ri të sistemet të marrëdhënieve ndërkombëtare. Ishte tregues i fuqisë, vendit dhe rolit të SHBA në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Nuk besoj dhe nuk mendoj se SHBA me këtë veprim po hapin një praktike të re, të realizimit të fuqisë për interesa thjesht amerikane, pavarësisht apo duke shkelur normat ndërkombëtare. Mendoj kështu, sepse është një fakt i pamohueshëm se, aty ku sistemet ekonomike e politike dhe demokracia në veprim funksionojnë në mënyrë të ngjashme me standardet e njohura dhe të aplikuara në realitetin amerikan, SHBA njohin plotësisht autoritetin e shtetit komb, madje bashkëpunojnë mbështetur në principet e njohura të interesit reciprok. Nuk ka asnjë rast dhe asnjë prirje konkrete, që të tregojë se SHBA dëshirojnë kontroll të gjatë territorial ndaj vendeve të tjera.
Është fakt i pamohueshëm që SHBA e kanë penguar veten nga ushtrimi i fuqisë superiore dhe influencës së fuqishme ndaj vendeve që janë demokraci parlamentare, me ekonomi tregu e zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e demokratik. Reagimi amerikan ndaj rrezikut të terrorizmit ndërkombëtar dhe vendeve që e mbështesin atë, ndaj qeverive të papërgjegjshme që aplikojnë dhunë të zgjeruar ndaj qytetarëve dhe genocid, kërcënojnë vende sovrane dhe të ardhmen e njerëzimit, është përgjegjshmëri e lartë politike dhe njerëzore. Rasti i Irakut dhe Afganistanit shoqëruar me deklarimet dhe qëndrimet konkretë të pakësimit e të largimit të trupave amerikane prej tyre pas konsolidimit të demokracisë, është tregues i qartë i përdorimit korrekt të fuqisë.
Rasti i Irakut nuk duhet vlerësuar si shmangie amerikane ndaj detyrimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe institucioneve ndërkombëtare, as si një refleksion semplist i interesave afatshkurtra, që injorojnë të drejtën ndërkombëtare, por mund të shihet si një shprehje apo forme konkrete e një strategjie afatgjatë për ndryshime ligjore, apo përgjigje e kërkesës së prirjes së re që lindi pas rrëzimit të komunizmit, për reformim rrënjësor të misioneve të organizmave që u ngritën dhe funksionuan gjatë "luftës se ftohtë". Fakti që SHBA, që nga viti 1945 e deri me sot, kanë nënshkruar vetëm 63% të traktateve multilaterale, të nënshkruara nga më shumë se gjysma e shteteve anëtare të OKB dhe nga 90% e vendeve të grupimit G7, tregon përgjegjshmëri ndaj akteve ndërkombëtare dhe respektim të detyrimeve që rrjedhin prej tyre, natyrisht duke ruajtur një shkallë të caktuar autonomie.
Zhvillimet e mëvonshme u pasuruan me elementë të tjerë thelbësorë, që lidhen me përpjekjet e Rusisë për një rol të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe të BE, që në fakt është bërë pjesë e një trekëndëshi të rëndësishme, që përfshin SHBA, Rusinë dhe vetë BE. Nevojat për të përballuar pasojat e krizës me të fundit botërore ekonomike e financiare mblodhën se bashku edhe vende të tjera si Kina, Brazili, India, etj., që tregon se po ndodh një shpërndarje e fuqisë. Me sa duket, këto tre vende do të shfaqen shpejt si aktorë tepër të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kjo do të thotë se sistemi unipolar ndërkombëtar aktual nuk mund të jetë shumë i qëndrueshëm.
Natyrisht, që në një proces real të balancimit të fuqisë, konstatohet edhe prirja e superfuqisë aktuale për të ruajtur vendin dhe rolin e saj në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, por edhe prirja e të tjerëve për t'u bashkuar apo bashkëpunuar në drejtim të bashkimit të forcave për të krijuar një kundërpeshë ndaj fuqisë së saj. Nuk mund të mos tërheqin vëmendjen qëndrimet me të fundit të Rusisë për një rol të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare. Rusia tashme është rikthyer si protagonist në fushën ndërkombëtare. Kjo i ka dhënë mundësisë të evidentojë publikisht ambiciet për t'i dhënë jetë një poli gjeopolitik të fuqisë ruse, që të jetë ne gjendje të ushtroje influencën e saj në nivel rajonal dhe global.
Ky rikthim i Rusisë ka ringjallur politikën e jashtme të saj në termat e fuqisë dhe kërkesën për të rivendosur paritetin me SHBA. Ne tregun politik, përmes kreut të shtetit Medvedev, në një diskutim të tij me 5 qershor 2008 në Berlin, Rusia ka hedhur koncepte të tilla si "historia jonë e përbashkët", "raport bashkëpunimi si të barabartë midis Rusisë, BE dhe SHBA", "për një sistem ndërkombëtar policentrik të varur nga Kombet e Bashkuara", etj. Madje Moska ka evidentuar konceptin se "atlantizmi si parim unik historik e ka kryer detyrën e tij" dhe se "arkitektura aktuale europiane e sigurisë mban akoma vulën e një ideologjie të trashëguar nga e kaluara, duke kërkuar të flitet tashmë "për unitet midis gjithë zonës euroatlantike nga Vancouver në Vladivostok".
Kështu, mund të kuptohen qëndrimet aktuale të Rusisë rreth problemit të anëtarësimit në NATO të Gjeorgjisë dhe Ukrainës, apo nisma e saj për një arkitekturë të re të sigurisë europiane, si dhe nënshkrimi së fundmi i Traktatit START 2, mes presidentëve të SHBA dhe Rusisë në Republikën Ceke. Këto dëshmojnë për një interes strategjik rus dhe për një kërkesë nga ana e saj për "rindarje" të zonave të influencës.
Politika ka në themel interesat kombëtare. Pikërisht, ne këtë kontekst të përmbajtjes se saj, ne periudhën pas rrëzimit të komunizmit, janë evidentuar disa interesa tepër të rëndësishme, që nxisin bashkëpunimin dhe kooperimin ndërkombëtar mes fuqive kryesore të globit. Të tilla interesa lidhen me nevojën e luftës kundër terrorizmit, me përballimin e problemeve globale dhe të krizave financiare e ekonomike si kjo e fundit, me problemet që lidhen me rrezikun që vjen nga prodhimi e mundësia e përdorimit të armëve bërthamore, me nevojën për të ruajtur paqen sigurinë e stabilitetin në botë. Pikërisht, këto sfida dhe interesa të mëdha e "bashkuese" po luajnë një ndikim të rëndësishëm në tendencën aktuale të konturimit të një modeli të ri të sistemet të marrëdhënieve ndërkombëtare. Mes përballjes së këtyre prirjeve, me siguri do të çajë rrugën e vet krijimi i modelit të ri të sistemet të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Çfarë tregon realiteti aktual? Sot, superioriteti i SHBA nuk mund të mohohet, madje duket dhe pak i kontestueshëm. Ky konkluzion mbështetet në tregues cilësorë të zhvillimit dhe të fuqisë ekonomike, politike e ushtarake të SHBA. Vërtet kriza botërore ekonomike u shfaq me falimentimin e bankës amerikane 'Leman Brother', vërtet SHBA ra në recesion ekonomik, që u shoqërua me pasoja ekonomike dhe sociale, por në një kohë vërtet të shkurtër, me masat emergjentë që u morën, situata tashmë është premtuese dhe kriza mund të konsiderohet e kapërcyer.
SHBA bëjnë shpenzime kolosale në fushën ushtarake. Ato kanë mbajtur dhe mbajnë padyshim koston më të madhe financiare të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Po kështu, janë kontribuesi kryesor ushtarak e financiar ne luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, në luftën që zhvillohet në Afganistan e Irak, si dhe në pjesëmarrjet ushtarake e paqeruajtëse në botë, përfshi dhe Kosovën. Një përllogaritje krahasuese tregon se shpenzimet ushtarake të SHBA, përbëjnë më shumë se shpenzimet e 18 vendeve me shpenzime më të mëdha në botë të marra se bashku.
SHBA luajnë një rol të pazëvendësueshëm në OKB dhe Këshillin e Sigurimit, në OSBE dhe në organizmat ekonomike e financiare si FMN, Banka Botërore, etj. Ato janë iniciuese të marrëveshjeve të rëndësishme të sigurisë botërore, si fjala vjen, marrëveshjet për reduktimin e armëve bërthamore dhe në zgjidhjen e konflikteve të mprehta, siç ishin rastet që lidhen me Bosnjën, Kosovën, Gjeorgjinë, etj. Këto tregues na bëjnë të pohojmë se aktualisht, me gjithë prirjen për ndryshim, sistemi aktual ndërkombëtar mund të përshkruhet me të drejtë si unipolar. Megjithatë, ndodhemi në një proces ku po përvijohet një model i ri i këtij sistemi, që me siguri do të kristalizohet në të ardhmen e afërt. Kjo, për faktin se ka shumë tregues të rritjes se rezistencës ndaj dominimit amerikan, apo të kërkesës për ndarje të supremacisë.
Po t'i referohemi takimit të G20, që diskutoi për kapërcimin e krizës aktuale botërore, konstatohet se në të u hodhën dhe zëra kundër dominimit të dollarit amerikan në arenën ndërkombëtare dhe për krijimin e disa zonave apo poleve të mëdha ekonomike. Megjithatë, me gjithë fuqizimin ekonomik dhe ushtarak që kanë arritur Kina, Rusia dhe India, me gjithë një rritje të rolit dhe të pjesëmarrjes se tyre në përballimin e problemeve ndërkombëtare, ato aktualisht as vetëm dhe as se bashku nuk kanë mundur ta sfidojnë dot rolin e SHBA, dhe as nuk kanë mundur të krijojnë një sistem multipolar.
Mbështetur në zhvillimet dhe prirjet e rritjes ekonomike të këtyre vendeve, të krahasuara me ato të SHBA, mund të pohohet se të paktën, kjo nuk ka ndodhur e nuk mund të ndodhë në të ardhmen e afërt. Më optimistët do të mendonin se një sistem multipolar mund të supozohet në 10-20 vjetët e ardhshëm. Në se kjo shpërndarje unipolare e fuqisë do të zgjasë më shumë, atëherë edhe krijimi i një modeli të ri të sistemit do të vonohet.
Përvoja dhe tradita historike e gjatë; roli që SHBA luajti në rrëzimin e komunizmit; fuqizimi i pozitës ndërkombëtare pas rrëzimit të komunizmit; vetë sistemi unipolar gjatë kësaj periudhe dhe alternimi që i ka bërë superioritetit në resurse fuqie dhe rolit në krijimin e rregullave dhe institucioneve të nevojshme, që çimentojnë statuskuonë e këtij dominimi dhe përdorimi i fuqisë së vet superiore për të vendosur ligjin e më të fortit, të lënë të mendosh se unipolarizmi do të vazhdoje gjatë. Kjo situatë nuk mund të mos shtrojë edhe probleme të karakterit teorik, që lidhen me sovranitetin e shteteve kombe dhe principin e barazisë se shteteve. Kjo për faktin se ne një sistem unipolar krijohet një lloj hierarkie ku autoriteti i centralizuar i një shteti të fuqishëm, të paktën dobëson autoritetin, apo ngushton sovranitetin shtetëror të shteteve periferike.
Një vëzhgim i kujdesshëm i realitetit të sotëm ndërkombëtar të lejon të konstatosh disa dukuri e prirje. Ka një prirje për forcimin e sovranitetit të shteteve kombe, por në kushtet kur është krijuar e funksionon jo vetëm një sistem normash, por dhe një aparat i zhvilluar institucional përtej shtetit komb. Gjithashtu, janë vendosur e funksionojnë ndërkombëtarisht standarte që sanksionojnë jo barazinë e shteteve sovrane, por pabarazinë de fakto dhe de jure të tyre.
Kjo për faktin se, shumë norma ndërkombëtare po marrin formën e ligjit, duke minuar qartë e ndjeshëm kuptimin tradicional të sovranitetit shtetëror; shumë rregullime ligjore të disa institucioneve ndërkombëtare theksojnë pabarazinë në të drejta dhe detyrime; vihen re praktika të zbatimit selektiv të të drejtave dhe detyrimeve, që rrjedhin nga normat ndërkombëtare; ka organizma të rëndësishëm ndërkombëtare, ku shteteve anëtare u janë dhënë të drejta të ndryshme. Kështu, edhe pse Këshilli i Sigurimit i OKB, është zgjeruar me anëtare të rinj, vetëm pesë anëtarë të përhershëm të tij kanë të drejtën e vetos.
Megjithatë, duhet theksuar se implementimi i normave dhe rregullave të OKB, kanë mbetur të varura nga vullneti i shteteve sovrane anëtare. Pra, nisur nga këto dukuri, mund të mendosh se një pabarazi reale po merr formën e një stratifikimi ligjor. Në se mund ta sintetizojmë realitetin e sotëm, brenda dukurive të përmendura, mund të pohojmë se ka një rol të fuqishëm të SHBA në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, por dhe prirje të disa shteteve të fuqishme si Kina, Rusia dhe India për të ndarë fuqinë me to. Ka një zhvillim dhe një lloj legjitimimi të standardeve të dyfishta. Ka një fuqizim të ndjeshëm të peshës dhe rolit të shoqërisë civile transnacionale dhe shtete kombe, që në kushtet aktuale të proceseve integrues e globale, janë dobësuar politikisht.
Në këto kushte, mundet vetëm të bëjmë supozime për formën e ardhshme të modelit të sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare. Pra, do të jetë unipolar apo multipolar? Do të jetë një model me një zgjerim të ndjeshëm të rolit të shoqërisë civile globale, apo një sistem shumë shtresor i stratifikuar ligjërisht? Ka shumë probleme për të diskutuar, sidomos po të mbajmë parasysh se tashmë veprojnë shumë faktorë, si ndikimi i problemeve globale, zgjerimi i proceseve integruese rajonale dhe botërore, mprehtësimi i kontradiktës njëri-planet, etj.
Në këtë mjedis aktual të ndryshimit, ndjehet ngushtësia e koncepteve dhe teorive të vjetra politike për shtetin dhe sovranitetin e shteteve kombe. Me sa duket, njerëzimi po shkon drejt zhvillimit të një nevoje konkretë, jo vetëm për zbulime të rëndësishme shkencore dhe teknologjike, por edhe për doktrina politike, ekonomike e sociale që do të formësojnë cilësisht ndryshe të sotmen dhe të ardhmen e qytetërimit botëror.
* Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike
Universiteti "Kristal"