Download this Blogger Template by Clicking Here!

Widgets

Kriza financiare greke dhe Shqipëria

Adrian CIVICI 

Shqetësimet për krizën e rëndë financiare që po kalon Greqia, tashmë i kanë kaluar ndjeshëm kufijtë e saj. Edhe në axhendën prioritare të vetë BE-së, “çështja greke” duket se është e para. Greqia rezulton vendi evropian i prekur  më rëndë, jo vetëm nga kriza financiare, por mbi të gjitha edhe nga një menaxhim i keq i financave  të saj publike. Shteti fqinj rezulton gjithashtu edhe si një vend që nuk e ka pasur fare nën kontroll situatën financiare, si pasojë e defekte të mëdha në sistemin e statistikave dhe të dhënave bazë makroekonomike. Situata e shifrave duket se është aq problematike në besueshmërinë e tyre, aq sa agjencia greke e statistikave ELSTA, do vihet nën tutelën e Eurostat-it ose nën survejimin e njërës nga agjencitë e statistikave të vendeve të tjera të BE-së. Deficiti buxhetor ka arritur në shifrat negative rekord prej 12.7% nga maksimumi 3% që lejojnë kriteret e Manstrichtit. Borxhi publik i Greqisë e kalon shifrën e 300 miliardë eurove. Së fundi, duket se situata u bë më serioze, edhe si pasojë e faktit se një pjesë e kapitaleve private, nga frika e masave shtrënguese fiskale të Qeverisë, po shfaqin një tendencë largimi nga Greqia. Duke ju referuar gazetave greke, “bankat greke po përballen me një largim masiv të kapitaleve të tyre drejt Zvicrës dhe Qipros, në shuma që mendohet se arrijnë në 10 miliardë euro”. Së fundi, dy nga institucionet prestigjioze të vlerësimit të rrezikut financiar, si Fitch dhe Standart&Poor’s dhe Moody’s, e ulën me një shkallë notën apo vlerësimin e tyre për cilësinë e borxhit grek duke bërë që Greqia të kërkojë borxh me një përqindje më të madhe interesi, se ai i zakonshmi në tregjet financiare ndërkombëtare apo huatë shtetërore. Megjithëse ky vlerësim është më pak negativ se sa pritej, përsëri ai dëshmon për një gjendje jo të mirë në standardet e bonove të thesarit të Qeverisë, si dhe për një vështirësi të mundshme afat-shkurtër likuiditeti, ndërkohë që risku afat-gjatë duket se është amortizuar disi nga njoftimet e qeverisë greke për “planin special të rigorozitetit buxhetor”, që do fillojë të aplikohet së shpejti.
Por, rreziku financiar grek është shumë më i madh se thjesht një problem i brendshëm grek. Bashkimi Evropian dhe veçanërisht gjithë vendet e eurozonës ndjehen të shqetësuar për pasojat që mund të ketë në dobësimin e euros kjo krizë, por gjithashtu edhe në pasoja direkte, d.m.th., provokimin apo daljen në dritë edhe të krizave financiare edhe në vende të tjera evropiane si Spanja, Portugalia, Irlanda, etj. Rregullat evropiane nuk e lejojnë Bankën Qendrore Evropiane që të blejë borxhin e një shteti të veçantë në zonën euro, dhe në këtë kuadër, e vetmja mundësi duket se do të jetë “ndihma ndërmjet shteteve” që në këtë rast po përkthehet si një mundësi e Greqisë për të emetuar eurobonde në shuma të konsiderueshme. Rrugë tjetër konsiderohen dhe kreditë e buta, që Qeveritë evropiane mund t’i japin Qeverisë greke në muajt në vazhdim. Ndërkohë, Komisioni evropian, megjithëse jo pa vështirësi miratoi para dy ditësh një plan shpëtimi ekonomik të veçantë për Athinën, duke e shoqëruar këtë me një “vendosje të Greqisë nën një vrojtim special” mujor nga ana e tij. Objektivi kryesor është rikthimi i deficitit buxhetor në shifrat 3% në fund të vitit 2012. Ky vendim i komisionit evropian nuk kaloi pa debate e qëndrime shpesh të diferencuara të vendeve anëtare. Veçanërisht, Gjermania u tregua mjaft hezituese e dyshuese për t’i dhënë Greqisë “një shans” që ta kalojë butë krizën duke pasur frikë se i njëjti skenar mund të duhet që të përsëritet për vende të tjera të BE-së dhe zonës euro, që janë në vështirësi serioze për të ekuilibruar financat e tyre publike, sidomos Spanja dhe Portugalia. 
Edhe Qeveria greke ka shpallur një plan të jashtëzakonshëm masash e reformash për stabilizimin e situatës financiare dhe ekuilibrimin e financave publike, plan që natyrshëm ka shkaktuar dhe një valë të jashtëzakonshme protestash e revoltash, si nga punonjësit e sektorit publik të cilët pritet të jenë “viktima” kryesore e masave drastike, ashtu dhe nga sindikata të ndryshme në vend. Ky reagim i përgjithshëm popullor në këtë kohë mjaft të vështirë, natyrisht që e komplikon akoma më shumë punën për Qeverinë Papandreu, aq më tepër që ajo është angazhuar që ta zgjidhë “me forcat e saj” krizën, pra duke mos pasur angazhim direkt financiar nga ana e Bankës qendrore evropiane dhe Komisioni evropian. Edhe ideja e një “kërkese për ndihmë te FMN-ja si survejuesja kryesore e financave në botë”, nuk u pranua nga vendet evropiane, të cilat mendojnë se kjo është e pamundur, ose siç u shpreh një drejtues i lartë i Bankës qendrore evropiane, “kjo do të ishte sikur Kalifornia t’i bënte thirrje për ndihmë FMN”, përpara se t’ia kërkonte këtë Qeverisë amerikane. Pra, nuk pritet që FMN të financojë direkt Greqinë, sepse evropianët e konsiderojnë si ulje të kredibilitetit të tyre vënien nën tutelë nga ekspertët e FMN-së, ndërkohë që dëshirojnë të ruajnë edhe integralitetin në politikat e tyre monetare.  
Megjithatë, elementi më i rëndësishëm në gjithë këtë situatë problematike e të rrezikshme financiare jo vetëm për Greqinë, por edhe për euron, Evropën dhe Ballkanin perëndimor është fakti se ministrat evropianë të financave të zonës euro konfirmuan qartë dhe hapur se ata “përjashtojnë çdo hipotezë për një falimentim financiar të Greqisë...se ky skenar, as që duhet të mendohet”. Presidenti i Këshillit evropian, Herman Van Rompuy e shprehu qartë këtë qëndrim unik dhe garantues të BE-së duke thënë se “vendet anëtare të zonës euro do të marrin në mënyrë të koordinuar të gjitha masat e nevojshme për të ruajtur stabilitetin financiar të zonës euro në tërësinë e saj”. 
Mendoj se ky është edhe thelbi i asaj se si duhet ta shikojmë dhe trajtojmë edhe në Shqipëri krizën financiare greke dhe pasojat e saj mbi ekonominë shqiptare. Është e vërtetë se bankat kryesore dhe më të mëdha greke janë në vështirësi serioze, pasojë e të cilave është vlerësimi “me nota më të ulëta” që ju bë atyre nga institucione ndërkombëtare të specializuara vlerësimi. Por, po ti referohemi analizave të revistave apo gazetave të specializuara financiare e bankare, efekti kryesor jashtë Greqisë i kësaj situate të bankave greke, duket se do të jetë një reduktim i kredisë që këto banka kanë dhënë në vende si Bullgaria, Rumania, Shqipëria, etj. Në mënyrë të veçantë, vlerësohet se pasojat më të mëdha pritet t’i ketë Bullgaria, vend në të cilin kreditë vjetore të bankave greke vlerësohet se kanë arritur shumën e 1 miliard eurove. Në rastin e Shqipërisë, mendoj se nuk duhet të ketë vend për trembje apo panik në lidhje me performancën dhe situatën financiare të këtyre bankave, për faktin se bankat greke që janë prezente në Shqipëri, janë “banka bija” të “bankave mëmë” dhe funksionojnë si banka të veçanta të pavarura në mënyrë direkte apo të plotë nga qendra. Përveç kësaj, këtu duhen përmendur edhe dy elementë të tjerë që favorizojnë një situatë aspak panikuese në lidhje me këto banka. Së pari, treguesit financiarë të deritashëm të këtyre bankave janë pozitive; dhe së dyti, këto banka janë vazhdimisht nën një sistem supervizioni me kritere cilësore nga Banka e Shqipërisë, gjë që është një garanci më shumë për nivelin e performancës dhe stabilitetit të tyre.
Një ndikim i mundshëm në ekonominë shqiptare pritet të jetë zvogëlimi i sasisë së remitancave që emigracioni ekonomik shqiptar sjell në Shqipëri, si pasojë e një rritje të mundshme të papunësisë dhe kostos së jetesës në Greqi në këto 2-3 vite të një rigoroziteti buxhetor ekstrem. Përveç uljes së remitancave, nga shumë emigrantë ekonomikë shqiptarë në Greqi nuk përjashtohet edhe mundësia e kthimit në Shqipëri, si pasojë e vështirësisë për të mbajtur vendet e tyre të punës apo për të gjetur vende të reja. Kjo situatë duhet studiuar me kujdes nga institucionet dhe politikat ekonomike e financiare shqiptare. Së dyti, ndikim negativ mund të ketë sektori i industrisë me fason, sepse një pjesë dërrmuese e kompanive prezente në tregun shqiptar janë me kapital dhe porosi greke dhe natyrisht që kriza pritet t’i prekë direkt apo indirekt këto biznese, sidomos nëse ato e kanë aktivitetin bazë të tyre në tregun grek. Shumë nga këto ndërmarrje kanë filluar të mendojnë për mënyrat dhe masat e nevojshme që duhet të marrin për të përballuar një kontraktim të përkohshëm të aktivitetit të tyre, si pasojë e situatës në Greqi duke u bërë shumë të ndjeshme edhe në kërkesat për mbështetje nga Qeveria shqiptare. Dhe së fundi, eksportet shqiptare drejt Greqisë pritet të kenë vështirësi si pasojë e kontraktimit të kërkesës së brendshme dhe përgjithësisht të gjithë ekonomisë greke në vitet e ardhshme. Që tani, mjaft nga bizneset shqiptare të lidhur me Greqinë po ndeshin në vështirësi për kontrata të reja eksporti. 
Në një ekonomi botërore gjithnjë e më të globalizuar, çdo sukses apo krizë e një vendi i ka të gjitha shanset që ta shtrijë shpejt ndikimin e saj në vendet e tjera, aq më tepër në vendet fqinje, siç është rasti jonë me Greqinë. Për këtë arsye, është më se e domosdoshme që krizën greke dhe përgjithësisht ecurinë e ekonomisë dhe financave të saj në muajt dhe vitet në vazhdim ta shohim jo thjesht “si diçka që po ndodh në vendin fqinj”, por mbi të gjitha si një element thelbësor që prek ekonominë dhe biznesin shqiptar, dhe që për këtë arsye kërkon ndërmarrjen e masave dhe politikave specifike për ta përballuar normalisht.

SHARE THIS POST   

  • Facebook
  • Twitter
  • Myspace
  • Google Buzz
  • Reddit
  • Stumnleupon
  • Delicious
  • Digg
  • Technorati
Author: Mohammad
Mohammad is the founder of STC Network which offers Web Services and Online Business Solutions to clients around the globe. Read More →