Zinxhirë dhe pranga

ARTAN FUGA





Pak ditë më parë mediat iu rikthyen një lajmi që kishte tronditur disa javë të shkuara ndërgjegjen morale të publikut dhe veçanërisht të militantëve të shoqërisë civile.

Dhe në fakt, me të drejtë.

Diku në një fshat në Veri, pranë kufirit, gazetari kishte “zbuluar” se një prind në moshë të thyer mbante dy vajzat e tij të lidhura me zinxhirë brenda banesës familjare. Fillimisht u la të kuptohej se mos kishim të bënim me ndonjë prind konservator që ndrydhte lirinë dhe jetën e pavarur të bijave të tija. Do të dukej si ndonjë film. Mos edhe më shumë. Në filma dhe dokumentarë informativë një pjesë kishin parë se si ndonjë prind mizor në Perëndim, sigurisht i kapur nga sëmundje me simptoma psikopatologjike posedimi, mbante ndrydhur në bodrume të fshehta për vite të tëra fëmijët e tij. Dikush thërriti kundër dhunës familjare që e gjeti në rastin e mediatizuar në fjalë. Veriu, kanuni, dhuna familjare, të drejtat e shkelura të grave dhe të vajzave, burrat dhe meshkujt maçistë... vargje fjalësh që dikush i ka mësuar t’i thotë bashkë, gjithçka lihej të nënkuptohej apo thuhej hapur në zemërimin e ligjshëm moral të emancipimit.

Askush nuk kishte përse të besonte thëniet e babës së gjorë se atë e kishte zënë halli i madh. Prangat dhe zinxhirët i kishte përdorur si mjet i fundit për të mos e kthyer hallin e tij në tragjedi të rëndë. Me ato zinxhirë dhe pranga (sa hall i vërtetë!), shfajësohej se mbronte jetën e vajzave të veta me probleme jo të lehta mendore. Thoshte se i ruante të shkretat mos iknin ashtu pa mendje, humbitnin pyjeve, rrëshqisnin greminave, kapërcenin kufirin nja njëqind metra më larg shtëpisë dhe humbitnin në dhè të huaj, harroheshin shkretimave duke rrezikuar të përdhunoheshin nga lloj-lloj keqbërësish, a më shumë rrezikonin jetën nga gjithfarë rrethanash që vrasin edhe njerëz me mend e të arsyeshëm dhe jo më vajza e djem që fatkeqësia natyrore i ka lënë pa mundësinë e një ekuilibri mendor të zakonshëm.

Askush nuk e besoi babën e gjorë. Dhe me njëfarë të drejte. Ne jemi mësuar të jetojmë në një shoqëri ku të gjithë duket se kanë njëherësh të drejtë dhe të gjithë janë të pabesueshëm sepse shihen me dyshimin apriori se gënjejnë... Kush mund të vërtetojë diçka? Askush. Edhe fajtori më i madh shprehet në mënyrë të besueshme në media për të vërtetuar se nuk ka lidhje fare me fajin për të cilin akuzohet.

Për një kohë askush nuk u kujtua më për historinë e dhimbshme të vajzave të gjora që mbaheshin nën zinxhirë nga baba i tyre. Problemi dukej i zgjidhur. Ndërgjegjja morale e qyteteve ra në qetësi. Një rast tjetër dhune ishte çmontuar. Sa mirë që kemi mediat! Sa fuqi ka fjala! Ç’na gjeti? Ne, njerëzit e emancipuar, jemi të detyruar të jetojmë në të një njëjtën epokë, në të njëjtin vend, në të njëjtin komb me të prapambeturit? Si mund të lidhet njeriu si një kafshë shtëpiake, si dele, dhi, lopë, brenda në shtëpi? Edhe të tilla gjykime të shoqëruar me një lloj lehtësimi në ndërgjegje u dëgjuan. Nuk thuhet kot se mediat e shekullit të njëzetenjëtë prodhojnë ndërgjegje vetëfajësimi në qendrat urbane sepse banorët e tyre mund të njihen tani në çdo çast me vuajtjet, dhimbjet, varfërinë e zonave përreth sado larg apo afër të jenë. Mediat i afrojnë zonat me nivel jetese me ato ku varfëria e pocaqisur rëndon mbi supe njerëzish të harruar.

Kronika tregon gazetarin që ka vajtur përpara disa ditësh të rivizitojë atë terren nga ku doli lajmi për të cilin po flasim. Një ide e shkëlqyer e tij. Media nuk është gjithmonë harresë e amnezi kolektive sikurse ndodh shpeshherë. Harron sot atë që ka qenë lajm i parë dje.

Reportazhi i gazetarit që e rizbulon edhe një herë faktin e paraqitur disa javë më parë është tronditës. Tani lajmi bëhet vërtet tronditës. Drama tani merr të gjitha përmasat e saj. Skandali i dikurshëm tani përjetohet si tragjedi e rëndë. Nëse skandali i dikurshëm mund të zgjidhej shpejt e shpejt në rrugë mediatike, tragjedia e sotme nuk përballohet dot më as me inat moral dhe as me paragjykime dhe skenarë të imagjinuar baballarësh që mbajnë vajzat e lidhura pas krevatit apo sobës që këto të fundit të mos gëzojnë autonominë e qenies njerëzore.

Kamera futet në një shtëpi të varfër sa nuk ka më. Një sobë llamarine që i ngjan një fuçie. Pak shtresa mbi truall. Ndonjë orendi e vjetruar e lëshuar diku në harresën e vet. Dhe vajzat e gjora përsëri të lidhura me zinxhirë, pastaj me disa unaza si prej hekuri, në mes të dhomës. Babai i gjorë përgjigjet me dhimbjen sa një mal të malësorit: “I çuam në spitalin psikiatrik. Në Shkodër. Pas dy javësh mjeku më thirri dhe më tha: ‘Hajde merri se këtu nuk ka kushte!’ Sikurse e shikoni nuk kam rrugë tjetër. Të palidhura nuk i kontrolloj dot i vetëm. Çfarëdo gjëje mund t’u ndodhë”.

Përgjigjet qetë, sikurse edhe i biri i tij aty rrëzë murit të shtëpisë. Ka dinjitet në përgjigjet e tyre sepse nuk e fshehin të vërtetën. Ka dramë të rëndë tragjike sepse tanimë të gjithë janë viktima dhe pësojnë një marrëdhënie që iu imponohet nga kushtet në të cilat ndodhen. Babai i shkretë kërkon që me anë të zinxhirëve të mbrojë nga rreziqet vajzat e tija të gjora, që i ka zënë një fatkeqësi e rëndë dhe për të cilën nuk janë aspak fajtore. I mban në shtrëngim për të mirën e tyre. Të gjithë vuajnë. Përgjigjen me vërtetësi sepse e dinë që tashmë fjalët e tyre kanë prova besueshmërie. Ata e bënë gjënë që u kërkohej. Vajzat shkuan drejt shërbimit shëndetësor dhe prej andej u zbuan. Nuk kemi se çfarë t’iu bëjmë! Dhimbja e tyre duket edhe si një kërkesë për pafajësi. Ne bëmë atë që deshën njerëzit e kulturuar të qytetit, ata që thërrasin nëpër media, ata që e dinë se çfarë është bota e jashtme. Por, përpjekjen tonë na e kthyen mbrapsht. Merrini se nuk kemi se çfarë u bëjmë! Vendosini përsëri në pranga! Mos u dukni ndër ne! Nuk duam t’ju shohim se na dhembin sytë!

Sytë e trishtuar të vajzave u flasin kamerave me një arsye ulëritëse. Sytë e trishtë të babait dhe vëllait shoqërohen nga fjala që e pranon dhimbjen me fatalitet dhe e keqe e madhe që i ka zënë. Me hallin e tyre ndërtohen skenarë projektesh emancipues. Por, me të nuk merret njeri.

Përgjigjen baba dhe vëllai edhe me një ndjenjë fajësie dhe naivitetit sikur e kanë për detyrë t’i përgjigjen pyetjeve të gazetarit që bën detyrën e tij. Nuk e dinë ndofta se mund të mos përgjigjen fare. T’u mbyllin derën të gjithë atyre që kërkojnë detaje në gjërat e tyre familjare. Nuk e dinë ndofta se mund ta thyejnë pas ndonjë guri a pas pragut të portës atë kamera që regjistron brenda vatrës së tyre familjare varfërinë e tejskajshme. Kanë të drejtë të kërkojnë shpagime financiare për filmimin e vajzave të sëmura, që mbrohen me ligjet e kësaj shoqërie sa të emancipuar, aq edhe cinike në të cilën ata janë të detyruar të jetojnë.

Kjo familje është e detyruar të jetojë pranë një shoqërie qytetare që nuk mendon për hallin e saj. Nuk do që t’i preken disa simbole, kaq, por nuk mendon aspak se çfarë ka pas tyre. Një vajzë e lidhur brenda shtëpisë? – Skandaaaaaal! Një vajzë e sëmurë psikikisht e braktisur nga shërbimi mjekësor dhe nga kujdesi i shoqërisë? – Fshiheniiii, s’kemi çfarë t’i bëjmë!

Përse jemi bërë të pashpirt dhe nuk mendojmë fort për njerëzit që kanë probleme shëndetësore dhe në këtë rast shfaqin sëmundje mendore të llojeve të ndryshme? Përse jemi kaq egoistë dhe nuk mendojmë për të gjithë të sëmurët, në spitale, në familje, në rrugë, ndërkohë që iu rezervojmë atyre vetëm minimumin e një mbijetese krejt fyese? Sepse për ne njeriu është vetëm trup dhe jo shpirt. Sepse për ne njeriu është instrument për të arritur disa qëllime dhe jo qëllim më vete. E dua se ka post, ka lekë, ka pasuri, ka trashëgimi, ka të ardhme në karrierë, ka në dorë të bëjë këtë apo atë. Një njeri që nuk ka asgjë në dorë? Na duket se është pa kuptim jeta e tij, ekzistenca e tij. Sepse mendojmë se njeri i vërtetë është vetëm ajo qenie që ka arsye. A nuk e ka thënë Aristoteli se njeriu është kafshë me arsye? Ata që nuk kanë arsye, pra kanë humbur ndërgjegjen e vetes sipas normave zyrtare, nuk meritojnë të jenë njerëz, sipas këtij postulati. Del se janë kafshë. A nuk duhen lidhur atëherë? Ja mjedisi moral çnjerëzor brenda të cilit jetojmë.

Disa, duke parë faktin mediatik të babës së shkretë që është detyruar t’i lidhë vajzat e gjora që i do aq shumë me zinxhirë pas këmbëve të një shtrati, duke mësuar se edhe shërbimi shëndetësor nuk bëri dot gjë për to, heshtin tani dhe mendojnë se duhet hequr mendja që andej. Qenka një fatalitet! Harrojnë se tani pikërisht fillon fajësia e tyre.

Nuk është një rast i veçantë ajo që ndodh. Kudo familjet që kanë në shtëpi një të sëmurë me këto simptoma ndjehen të braktisura. Vuajtja e familjarëve dhe e vetë të sëmurëve është në kulmet e veta. Një ulërimë e heshtur sepse askush nuk ka veshë ta dëgjojë. Sa ka prej tyre që dhunohen, dhunojnë njeri tjetrin, sepse nuk kanë zgjidhje tjetër. Nuk është bërë një problem social. Është një dhimbje që përbën tabu. Askush nuk e prek.

Po t’i kthehemi historisë së sëmundjeve mendore gjejmë një lidhje që vërtetohet prej shekujsh në shumë vende perëndimore. Sa herë që shoqëria nuk i trajton si duhet këto raste, aq herë ajo nuk ka veçse një mjet për ta mbajtur problemin nën kontroll: dhunën ndaj të sëmurëve.

Në Mesjetë njerëzit me probleme mendore shpesh i hipnin nëpër anije dhe i linin të qarkullonin pa kontroll nëpër lumenj. I zbonin nga qyteti i tyre duke i çuar drejt viseve të tjera ose drejt asgjësë dhe vdekjes. “Vapori i çmendur” njihet nëpërmjet folklorit dhe dokumenteve të shkruara. Hipnin njerëz të çekuilibruar mendërisht sikurse leprozë dhe njerëz me murtajë. Pastaj i përzinin nga muret e qytetit ose duke i arrestuar atje ku i gjenin. Eliminimi fizik i tyre nuk është vetëm vepër e nazizmit. Është një traditë më e hershme. Pastaj i lidhnin dhe mbanin nëpër biruca zhytur nëpër katakombe, bashkë me vrasës, kriminelë, anarkistë, opozitarë politikë. Të dënuarit nuk luteshin t’i lironin, por përgjëroheshin t’i ndanin së paku nga të sëmurët psikikë që veçse ishin të rrezikshëm, përhapnin kudo edhe britmat e sëmundjeve të tyre. Burgosja në një vend të përbashkët e shtonte frikën nga dënimi, pra e bënte shoqërinë më të stabilizuar në strukturat e veta autoritare. Njerëzit me arsye të cunguar përdoreshin pra për të bërë zap njerëzit e lirë me arsye të plotë në shoqëri.

Shumë më pas, në kohët moderne, u kuptua se edhe spitali psikiatrik ka fare pak mundësi për t’i kuruar të sëmurët mendorë. Duke lexuar veprën madhore të Goffman “Asilums” kupton se si ai me dorë prej mjeshtri rendit argumentet për tezat e tij të mëdha, të cilat dëftyen kufizimet e spitaleve psikiatrike. Ata që konsiderohen “të çmendur” dhe hyjnë në rrugën e trajtimit institucional, vijnë atje sepse kanë rënë “rastësisht” në rrjetën e institucioneve përkatëse. Konsiderohet “i çmendur” që duhet trajtuar ai që nis të ketë një status të dobët në familje dhe në shoqëri. Burri që sjell pare në shtëpi dhe rreh gruan, nuk është i çmendur. Por, burri, që pi, është parazit, nuk sjell parà në shtëpi dhe, për më tepër rreh edhe gruan, grua që ka një të dashur, denoncohet kollaj si “i çmendur” në organet e policisë.

Në këtë mënyrë në spitale psikiatrike mblidhen të sëmurët e denoncuar dhe jo ata të gjithë ata që janë vërtet të tillë, por statusi i fortë social i mbron nga shpallja si “të çmendur”. Goffman pra shpjegon një tezë tronditëse sipas së cilës shumica e të sëmurëve mendorë janë jashtë dhe nuk kurohen, kurse ata që pësojnë statusin e “të çmendurit”, janë të kapurit që nuk kanë pasur mundësi të mbrohen.

Mbyllja në spitale psikiatrike nga ana tjetër është një metodë fare e papërshtatshme kurimi. Ashtu sikurse burgjet e prodhojnë dhe riprodhojnë krimin, krijojnë recidivizëm, bëhen shkolla të krimit, ashtu edhe spitalet psikiatrike nuk e kurojnë gjendjen psikike të sëmurë, por e riprodhojnë dhe e mbajnë gjallë atë. Nuk kurohet në kushtet e mbylljes së dhunshme. Nuk kurohet atje ku nëpërmjet mimetizmit çmenduria riprodhohet. Vetë statusi i deklaruar i të sëmurit mendor e pengon këtë të fundit të ushtrojë përgjegjësinë e tij morale që është instrumenti që e mban njeriun në gjendje mendore pak a shumë të konsideruar normale. Jashtë lidhjeve sociale, i sëmuri mendor sheh te vështrimi i të tjerëve damkën me të cilën këta e kanë dënuar:

“Ti je i çmendur!”

Si të bëjë? Të thotë:

“Po, unë jam i çmendur”?

Atëherë klasifikimi vërtetohet. Të thotë e të bërtasë:

“Jo, nuk jam i çmendur!”?

Atëherë do t’i përgjigjen:

“Ja prova se je i çmendur, sepse nuk e pranon që je i çmendur”.

Në të gjitha rastet do të hyjë në një mungesë komunikimi me shoqërinë, çka do ta bëjë që asnjëherë të mos gjejë rrugën e daljes nga kjo situatë paradoksale dhe pa rrugëdalje. Në këto kushte, edhe një njeri me arsye normale do të ishte çmendur, dhe jo më një njeri me probleme psikike, i cili do të kishte degraduar gjithmonë e më shumë.

Në njëfarë kuptimi spitali psikiatrik nuk konsiderohet më si vendi më i përshtatshëm për shërimin e të sëmurëve mendorë. Spitali, burgu, ndonëse konsiderohen si vende rehabilitimi, në gjuhën zyrtare e juridike, në planin profesional e kanë humbur besueshmërinë për të qenë të tillë. Ka nevojë për përqasje të tjera shumë më delikate për të kuruar sëmundjet mendore. Shoqëria, familja, shërbimi shëndetësor kërkojnë përgjigje të tjera. Jashtë dhunës, jashtë mediatizimit (vajzat e gjora e kuptojnë se po i marrin në film si qenie jonormale, e në mos e kuptofshin: a kemi të drejtë t’i marrim në film duke abuzuar me sëmundjen e tyre e bërë objekt spektakli?) jashtë trajtesave propagandistike, jashtë mbylljes në institucione të izoluara, jashtë stigmatizimit, por nëpërmjet një sërë mekanizmash shërbimi në afërsi të familjes që vuan nga prania e njeriut të dashur me probleme psikike. Sepse kur një familje ka brenda saj një njeri të dashur të tillë, të gjithë anëtarët e tjerë pozicionohen në vartësi të kësaj gjendjeje dhe nëpërmjet një komunikimi interaktiv janë të detyruar të sillen sipas të njëjtës matrice komunikimi të dominuar nga simptomat e sëmundjes psikike të të sëmurit.

Nga kjo pikëpamje e kuptoj mjekun e Shkodrës që në mënyrë humanitare i ka thënë në thelb babës:

“Hajde or mik, merri vajzat e tua, ruaji vetë, se këtu në spital rreziku u qëndron mbi kokë e do të sëmuren më keq!”

Më mirë të lidhura me zinxhirë e pranga sesa në spital. Ky është morali i fabulës (gjithmonë nëse do t’i besojmë asaj që raportohet nga gazetari).

E nëse do të ishte kështu, më vjen të them:

Le të bëjmë një monument ku të paraqesim një baba të shkretë që lidh në pranga vajzat e veta të gjora, nga dashuria, nga dëshira për t’i mbrojtur, i vetmuar, i braktisur nga shoqëria egoiste. Një monument të madh dhe ta vendosim aty pranë një spitali, pranë një ministrie, në sheshin qendror të kryeqytetit a lart në Dajt, ku të na shohë e të na thërrasë për ditë, mëngjes e darkë: “Ku e keni zemrën, o njerëz me arsye?”