“Tema”, fundi i një epoke

Blendi Kajsiu

Mbyllja e gazetës “Tema” shënon fundin e një epoke në gazetarinë dhe median shqiptare në përgjithësi. Bëhet fjalë... për epokën e gazetarisë që bëhej, drejtohej dhe orientohej nga gazetarët. Bëhet fjalë për periudhën kur gazetaria ishte një qëllim në vetvete. Në fakt kjo epokë kish kohë që kish përfunduar. Që pas vitit 1998, kur tregu mediatik filloi të dominohej nga gazeta të tipit “Shekulli”, gazetaria gjithnjë e më tepër filloi të strehohej dhe të orientohej nga bizneset që e financonin atë. Në mos, vetë gazetarët u kthyen në biznesmenë. Gazeta “Tema” ishte një relike që kish mbetur nga koha kur gazetaria bëhej nga gazetarët, jashtë kontrollit të biznesit. Ndaj me mbylljen e saj është e vështirë tashmë të gjesh një media shqiptare, të shkruar apo elektronike, që nuk është nën strehën dhe shërbimin e një biznesi të caktuar.
Natyrisht këtu nuk duhet të biem në një nostalgji idealizuese në lidhje me epokën kur gazetaria bëhej nga gazetarët. Kjo ishte shpesh një gazetari jo etike, e mbushur me sulme personale, politikisht tejet partizane dhe jo rrallë abuzive. Pjesë e kësaj tradite ishte edhe vetë gazeta “Tema”. Në fakt dalja e mediave të financuara dhe të mbështetura nga bizneset u shoqërua fillimisht me një përmirësim të nivelit etik, me ndarjen e qartë të lajmit nga komenti dhe me një sërë hopesh të tjera cilësore për sa i përket seriozitetit të lajmit. Megjithatë futja e gazetarisë në strehën e biznesit e uli gjithnjë e më tepër profilin e gazetarit apo të kryeredaktorit, duke rritur gjithnjë e më tepër profilin e pronarit. Aq sa shpesh mediat identifikoheshin me emrin e pronarit të tyre biznesmen. Gazetaria, nga qëllim në vetvete, gjithnjë e më tepër u kthye në një instrument për të arritur qëllime jashtë saj.
Pra ajo që e dallon epokën e re mediatike është instrumentalizimi racional që i bëhet tashmë medias në funksion të interesave të bizneseve që e financojnë atë. Nëse dje media që bëhej nga gazetarët futej në konflikt me pushtetin politik, në parim dhe pa kompromis, apo qoftë edhe pa ndonjë arsye të qartë fare, tashmë edhe përplasja me pushtetin është e kalkuluar. Ajo ka limite që nuk tejkalohen, ajo prodhon marrëveshje që burojnë nga takimi i interesave të ndërsjellta të media – biznes – pushtet. E thënë shkurt kemi kalimin nga media ‘kamikaze’ në median ‘kalkuluese’. Kjo e dyta është shpesh më etike dhe më e balancuar se e para, por jo domosdoshmërisht më e vërtetë. Për faktin e thjeshtë se ‘e vërteta’, qoftë edhe e keqkuptuar, nuk është më qëllimi i saj përfundimtar. Në analizën e fundit ajo është një instrument në funksion të atyre interesave që e mbajnë gjallë. Kjo nuk eliminon hapësirën për të thënë një sërë të vërtetash, ama këto të vërteta thuhen në një hapësirë që si synim parësor të saj nuk ka thënien e tyre, por mbrojtjen e interesave të biznesit nga buron financimi. Në fakt shpesh politika editoriale mungon tërësisht, në mënyrë që media t’i përgjigjet sa më shpejt dhe mirë interesave të pronësisë. Prandaj në betejë me pushtetin, mediat sot janë më tepër kalkuluese sesa kamikaze të politikave të tyre editoriale.
Nga ky këndvështrim, beteja e “Temës” me pushtetin ‘deri në pikën e fundit të gjakut’ ishte një betejë që i përkiste një epoke tjetër. Natyrisht gazeta dhe media të tjera do ta vazhdojnë betejën e tyre me pushtetin, por me siguri jo deri në vdekje, pasi tek to gazetaria kritike nuk është një qëllim në vetvete, por në funksion të interesave të tjera. Në këto media, kritika shpesh merret me qira atëherë kur duhet. Kjo nuk do të thotë se gazetaria e “Temës” ishte apriori më cilësore se ajo e gazetave të tjera, por se ajo ishte cilësisht e ndryshme. Me kundërvënien ndaj pushtetit, me pavarësinë e saj në raport me opozitën dhe në mungesë të mbështetjes direkte të ndonjë biznesi, gazeta “Tema” filloi të bënte gazetari për hir të gazetarisë, një aktivitet koha e të cilit tashmë ka perënduar. Dhe më shumë se gjithçka këtë e tregoi vetë vdekja e kësaj gazete.