Deficiti publik, reduktim drastik apo gradual?

ADRIAN CIVICI

Nën efektin e krizës dhe si pasojë e paketave anti-krizë të ndërmarra, deficitet publike të vendeve të zhvilluara, atyre në zhvillim apo me ekonomi emergjente, po arrijnë rekorde historike të paimagjinuara më parë. Shqetësimi më i madh, sidomos për periudhën afat-shkurtër 2010-2012, qëndron si në kapacitetet dhe mundësitë financiare të këtyre vendeve për rimbursimin korrekt të tyre, ashtu dhe në ndikimin negativ që ato pritet të japin në zvogëlimin e financimeve publike, rritjen e inflacionit apo rritjen e kostos së parasë në ekonomi. Në këtë situatë dhe debat të nxehtë është përfshirë dhe Shqipëria. Akti normativ i qeverisë i 23 dhjetorit 2009, për rishikimin e buxhetit, evidentoi një rritje të deficitit buxhetor të vendit duke e çuar atë në shifrat e 81.6 miliardë lekëve ose 900 milionë dollarëve. Edhe deficiti i llogarisë korrente, vetëm gjatë tremujorit të tretë të vitit 2009 u rrit me rreth 100 milionë euro. Të gjitha këto shifra natyrshëm rihapën polemikat në lidhje me gjendjen e ekonomisë dhe financave shqiptare, në lidhje me presionin që kjo dukuri mund të ndikojë në shtimin e presionit mbi lekun, nivelin e inflacionit, zvogëlimin e mundësive për kreditim, rritjen e kostos së borxhit publik, etj.
Në kushtet e viteve normale ose edhe thjesht elektorale, treguesit e prodhimit të brendshëm bruto, deficitit buxhetor, bilancit të pagesave apo borxhit publik në tërësi janë indikatorët më të qartë të “shëndetit” dhe “stabilitetit” të financave dhe ekonomisë së një vendi. Por, a mund të konsiderohet viti 2009 si një vit “normal” për Shqipërinë? Mendoj se jo. Dhe shkaku kryesor është efekti direkt dhe indirekt i ndikimit të krizës globale në ekonominë e brishtë shqiptare. Për arsye të çuditshme, ose thjesht politike, ne nuk e pranuam asnjëherë që “kriza globale ndikoi dhe po vazhdon të ndikojë dukshëm në ekonominë tonë”, ashtu siç deklarojmë në ekstremin tjetër se ‘ekonomia shqiptare është në krizë e kolaps total”. Po për të njëjtat arsye, shumë nga masat dhe politikat e ndërmarra gjatë gjithë vitit 2009, që në përmbajtjen e tyre mund të cilësoheshin shumë mirë edhe si “paketa mbështetëse anti-krizë” i cilësuam si “shpenzime elektorale” ose “tejkalime abuzive me investimet publike”, etj. Dhe përtej këtyre, qershia mbi tortë mbetet debati mbi shifrën reale të rritjes ekonomike për 2009 dhe parashikimi i saj për 2010. Duke pasur në qarkullim shifra të ndryshme nga institucione të ndryshme shqiptare e ndërkombëtare, çdo analizë apo planifikim i treguesve makroekonomikë e financiarë, që si emërues të tyre të përbashkët kanë nivelin e prodhimit të brendshëm bruto, është e kuptueshme kakofonia dhe vështirësitë në marrjen e vendimeve dhe hartimin e politikave buxhetore, paketave fiskale, nivelin e borxhit publik, etj. Por, në fund të fundit, megjithë manovrimet e rishikimeve me efekte prapavepruese dhe korrigjimet e buxhetit në mes apo në fund të vitit, shqetësimet dhe debatet aktuale përqendrohen në një pikë qendrore. Ta stopojmë menjëherë rritjen e mëtejshme të deficitit buxhetor e borxhit publik dhe të planifikojmë e aplikojmë shifra shumë më të ulëta për 2010, apo të përpiqemi ta reduktojmë më gradualisht këtë deficit në 2-3 vitet në vazhdim, duke bërë me përparësi politika më eficente ekonomike e financiare? Thelbi i këtyre ndërhyrjeve duhet të jetë “hartimi urgjent i politikave specifike anti-deficit”, pavarësisht interesave politike e elektorale, “menaxhimi më korrekt i shpenzimeve publike” në sensin e të qenit maksimalisht të kujdesshëm në planifikimin, përdorimin dhe tejkalimin e tyre, “krijimi i kushteve për rritjen e qëndrueshme ekonomike”, “forcimin e bizneseve dhe rritjen e kontributit të tyre në të ardhurat fiskale e buxhetore”, etj. Megjithatë, fjalët çelës për 2-3 vitet në vazhdim duket se janë: “reformat strukturore”, “rritja e performancës së biznesit”, “zmadhimi i kreditimit dhe reduktimi i borxheve e detyrimeve të tij”, “mbështetja maksimale e bizneseve”, e deri tek ideja e një “amnistie fiskale të studiuar” e konform eksperiencave të mjaft vendeve të tjera që po e zbatojnë atë aktualisht, qofshin këto dhe vende të BE-së, etj.
Në qoftë se do ta shikonim rastin shqiptar në fokusin e realitetit evropian e ndërkombëtar do të konstatonim se ne ndodhemi në të njëjtën problematikë shqetësimesh e përpjekjesh, megjithëse në disa raste jo për të njëjtat arsye. Për gjithë grupin e vendeve anëtare të OCDE (Organizatës së kooperimit dhe zhvillimit ekonomik-ku janë grupuar 33 vendet më të industrializuara të botës), borxhi mesatar publik i të cilave në 2007 arrinte në 73% të PBB, në vitin 2011 ky borxh pritet të arrijë shifrat e 100% të PBB të tyre. Pra, me fjalë të tjera, borxhi publik do të jetë baraz me totalin e prodhimit të brendshëm bruto të tyre. Rritjen më të madhe të borxhit pritet ta njohë Japonia që parashikohet të kalojë nga 167% të PBB që e kishte në 2007, në 204% në 2011. Franca do kalojë nga 70% në 99%, Greqia nga 103% në 130%. Edhe Gjermania, vendi simbol i virtutit buxhetor nuk arriti ta disiplinojë borxhin e saj, duke e shtuar nga 65% në 85.5%. Të gjitha këto shifra janë ndjeshëm më të mëdha se kriteri i Maanstricht-it, i fiksuar në shifrat 60% si kufi i sipërm maksimal i lejuar.
Sipas J.Elmeskov, përgjegjës i çështjeve ekonomike të OECD, “që prej shtatorit 2008, buxhetet publike kanë vuajtur shumë si pasojë e krizës....pothuajse të gjitha vendet që u prekën nga kriza pësuan efektin gërshërë”. Nga njëra anë, të ardhurat e tyre fiskale që vareshin nga niveli i aktivitetit ekonomik, u zvogëluan si pasojë e recesionit; ndërsa nga ana tjetër, shpenzimet u rritën shumë si pasojë e politikave mbështetëse sociale dhe shpenzimeve për paketat stimuluese të ekonomisë dhe sistemit financiar që ato ndërmorën.
Për të përballuar këtë deficit evident, shumë qeveri u detyruan të merrnin borxh. Por, këtu qëndron dhe shqetësimi më i madh për periudhën afat-mesme 2010-2012. A mundet që tregu t’i absorbojë të gjithë këta tituj borxhi apo bonosh thesari të emetuara nga Shteti? A do kenë mundësi këto vende që t’i shlyejnë në mënyrë korrekte gjithë angazhimet e tyre financiare? Një pjesë e madhe ekspertësh të financave publike shprehen mjaft të shqetësuar për këtë fenomen. Më e keqja që mund të ndodhë është “pamundësia e shteteve të ndryshme për të shlyer borxhet e tyre...është thellimi dhe zhytja në borxhe të reja duke e bërë akoma edhe më të vështirë situatën”.
A ka shanse që të ndodhë një skenar i tillë katastrofik? Akoma jo, dhe aq më pak për vendet me ekonomi të zhvilluara. Në këto vende, gjykohet se “kapaciteti absorbues i tregjeve të tyre është i mjaftueshëm” për të përballuar një situatë të tillë. Megjithëse në zonën euro, për shembull, borxhi publik llogaritet në shifrat 1000 miliard euro në 2010, kundrejt vetëm 650 miliardë euro që ishte në 2008, përsëri mjediset financiare dhe ekonomike nuk duken të shqetësuara. “Sektori privat ndodhet në një fazë të zvogëlimit të borxheve...tregu financiar ka likuiditetin e nevojshëm, dhe borxhi pothuajse po kristalizohet 100% si bono thesari apo borxh shtetëror”, nënvizon O.Gasnier, ekonomist në SG CIB.
Por, sa parashikohen të jenë mundësitë që vendet e OCDE-së, apo dhe vende të tjera në zhvillim e me ekonomi emergjente të shlyejnë në mënyrë korrekte borxhet e tyre ndaj publikut apo të tretëve? Ndërprerja e pagimit të tyre apo rreziku i dizekuilibreve të forta financiare duket si një fenomen inekzistues ose shumë minimal. Me përjashtim të disa vendeve si Greqia, e cila rezulton me një deficit kolosal prej 300 miliardë eurosh në buxhetin e saj, Irlanda dhe Spanja të cilat po njohin situata shumë të vështira ekonomike e financiare në vitet 2009-2010, vendet e tjera evropiane kanë hartuar paketa speciale “anti-deficit” në mënyrë që ta reduktojnë ndjeshëm atë duke filluar nga viti 2011.
Por, mbrapa këtij skenari, ku nuk përjashtohet edhe Shqipëria, në dukje të mundshëm për tu zbatuar lehtësisht, qëndrojnë vështirësitë e vërteta. Duke pasur parasysh madhësinë e deficiteve dhe borxhit publik si dhe dobësitë e parashikuara për nivelin e rritjes ekonomike në vitet në vazhdim, fokusi do të përqendrohet tek “ulja e shpenzimeve publike...dhe tek rritja e të ardhurave fiskale”. Të dyja duket se paraqiten të vështira për t’u realizuar “pa dhimbje” dhe në mirëkuptim politik e social. Rivaliteti politik dhe kalendari elektoral mund të bëhen kundërshtarët kryesorë të aplikimit “normal” të politikave të tilla.