Namuzlliku i çjerrjes së faqeve

Nga Kostaq Xoxa
Është tjetër tradhtia bashkëshortore e burrit ndaj gruas; por edhe e gruas ndaj burrit. Por është një gjë tjetër, tepër e rëndë, keqpërdorimi i gruas, si një krijesë më delikate, më e brishtë se bashkëshorti i saj.
Vendi ynë kaloi nga njëri ekstrem në skajin tjetër, me shporrjen e diktaturës komuniste. Shkaku qëndron në atë se nuk u morën seriozisht traditat e popullit tonë. Natyrisht duhej kaluar në një stad tjetër në konceptim, duke kapërcyer édhe disa zakone të rrënjosura, të cilat duheshin tejkaluar. Por këto ndryshime në psiken e njeriut shqiptar duheshin bërë me kujdes, duke dhënë ndihmesën e drejtpeshuar, veçanërisht, organet e shumta të shtypit gjatë pluralizmit, si edhe mediet përgjithësisht. Nuk mund të lihej pas dore ajo veçantí që do të duhej të sugjeronte demokracia jonë e re dhe e brishtë: evolucionin mendor. Për fat të keq, më të paduruarit u treguan “të emancipuarit” e të privilegjuarve të kohës së dikurshme, që dilnin jashtë shtetit me kollajllëk. Disa prej tyre ishin mitomanë. E shumë të tjerë, me botëkuptim revolucionar, të mbrujtur nga koha e tyre. Nuk përjashtohen edhe mentorë të synimeve për të krijuar kushte të veçanta përfituese, në detyrën e forcimit të pozitave të majtizmit të skajshëm shqiptar, në ballafaqimet ndërpartiake. Këtë do të orvatemi të shpjegojmë, në vijim të këtij shkrimi.
* * *
Pas mbylljes së Murit berlinez në vendin tonë, është e vështirë që të mendohet se populli ynë, në përgjithësi, i gëlltiste lehtësisht disa çështje si martesat e së njëjtës gjini, daljen hapur të gej-ve, apo pederastinë si dukuri sfiduese. Natyrisht që, në kushtet e reja, shfaqje të tilla nuk mund të vihen nën një peshë të çfardoshme diskriminimi. Por ne e kemi fjalën në prirjet e mjaft personave të cilët, në emër të një risie që na qenka demokracia liberale, këto dukuri të fryhen, pak a shumë, si shfaqje të demokracisë “të një shkalle më të lartë”. Dhe kjo është shkruar në shumë shkrime të literaturës sonë politiko-sociale. Të gjitha këto, - duke dashur të dalin në pah si kaporionë revolucionarë të ndryshimeve të befta zakonore, - ranë ndesh me atë praktikën mjekësore të heqjes së fashave, pas një operacioni të syve: këshilla e specialistëve është se heqja e mbulesës së syve të bëhet në ambient të errët, gradualisht. Disa pacientë, të etur për të parë dritën në mënyrë të menjëhershme, u verbuan!
Majtizmi i skajshëm megaloman ka një nxitje të madhe në këtë drejtim. Nëse veprimtaria shoqërore për të drejtat e homoseksualizmit, në botën e zhvilluar, ka një kuptim njerëzor për respektimin e të drejtave të pakicave, këtu te ne janë shfaqur dukuri lënduese: Vajza të mbyllura, iu dhanë si pa të keq prostitucionit! Kanë përbuzur, shpesh, ndjesinë prindërore, duke i mbyllur prindërit nëpër azile, pa qenë kjo një domosdoshmërí.
Por në koncept, në disa dukuri, kemi kaluar edhe botën demokratike të zhvilluar.
Është e vërtetë se në SHBA, u morën të gjitha gazetat me çështjen Bill Klinton – Levinski. Po ashtu edhe në Francë me çështjen familjare të presidentit Sorkozí me Karla Brunin. Mitërani ka zgjuar vëmendjen e medies për disa probleme të këtij karakteri. Por në asnjë rast nuk ka ardhur puna gjer aty sa të keqtrajtohet e të brutalizohet çmendurisht, në mënyrë poshtëruese, bashkëshortja. Kuptohet, se e kemi fjalën tek Edi Rama. Nuk jemi në një fushë hamendësish. Madje Edvini është recidivist, në këtë drejtim. Gruaja, kështu, mund të përmendet në shumës. Dhe nuk është dr. Berisha që ka nxjerrë publikisht për herë të parë përdhosjet e karakterit familjar. Por është bash ai , i cili ia ndërroi fizionominë politike gazetës së tij, e që tani merret në mbrojtje nga vetë i akuzuari, për një pëllëmbë që iu dha (siç u provua nga vetë shprehjet e gjyqtarëve), jo nga biznesmeni që u penalizma aq rëndë në veprimtarinë e tij të punës, por nga njëri prej bodigardëve të tij. Është kjo gazetë e ndërrimit të kursit politik, pra, që kishte folur kundër E.R.-s për gjyqin meskin ndaj bashkëshortes së tij, me fac símile. Gazeta shkruante për keqtrajtim të gruas; për prekje të dinjitetit të saj nga keqtrajtuesi që refuzonte detyrimet familjare që rridhnin nga divorci; për akuzat e E.R.-s se fëmija ishte i babait të vet... E ç’të thuhej më tepër? Autori i këtij shkrimi sensacional tanimë është mjaltë e qumësht me të paditurin gjer në këtë shkallë!
* * *
Tani mediet e fuqishme të një majtizmi të skajshëm, e kanë vënë veten në një gjendje kundërthënëse: Duan t’ua mbyllin gojën njerëzve, për të mos folur publikisht për shthurjen familjare, që do të cenonte në radhe të parë kreun e PS-së. Kjo duhej të mbetej si temë-tabù. Siç kishte bërë E. Hoxha me temat që s’duheshin përmendur. Të konsiderohej në mënyrë të njëanshme e drejta e privacy-së: privatësia nuk mund të prekej! Po përse ishte prekur në rastet e Klintonit, Sarkozisë, Mitëranit, që përmendëm në krye të shkrimit, madje edhe të Berluskonit? Së dyti, vetë e hapën kutinë e Pandorës, me atë të ashtuquajtur liberalizëm gjer në atë shprehje që ne s’e kemi, por që në fjalorin tonë dygjuhësh quhet djegie e etapave (it: bruciare le tappe). Domethënë, nga njëra anë nuk durojmë që e drejta zakonore të ecë në mënyrë evolutive, por në mënyrë të vrullshme; por, nga ana tjetër, kërkojmë një privatësí absolute! Por a e respektojnë vetë këtë privatësi? Erion Braçe, i ndërsyer nga Edvini, e ka bërë lajtmotiv togfjalëshin “familja kryeministrore”. Merren nëpër gojë djali, vajza, nipi, mbesa....Po a është i besueshëm ky njeri që flet natë-ditë për “korrupsionin qeverisës”? Ekstradimi i Aldo Bares (Alfred Shkurtit), ish-truprojës së Nexhmijes, të akuzuarin për 20 krime, e nxjerr të komprometuar gjer në rrasht Erionin. Atij i ka dalë emri si i implikuar drejtpërdrejt me Baren, për aferën e një autostrade Lushnjë-Fier, në të cilën do të ishte përfitues i rëndësishëm në administrimin nga grupi kriminal (Kapitulli 18, f. 398, i dosjes së prokurorisë italiane). Braçe i përket, pra, asaj kategorie, që bërtet “korrupsioni, korrupsioni” për të fshehur korrupsionin e tij! Përse u dashka që të flasë orë e çast Braçja, si zëdhënës i Edvinit, me fantazitë e tij për familjen e kryeministrit, ndërsa ky i fundit u dashka të mos japë as një përgjigje të vetme? Dhe shumëkush, mos të harrojmë, është shprehur se shumë i durueshëm është ky kryeministri ynë. Sepse qëndrimi familjar i E.R.-s, është edhe i dënueshëm penalisht. Me që gruaja nuk rrihet as brenda mureve të shtëpisë, palé publikisht. Tjetër punë se gratë për të cilat po flasim ndihen të diskriminuara (na rroftë predikimi për hipokrizinë e demokracisë ultraliberale!) dhe nuk duan të bëjnë skandal.
Por skandaloze janë edhe zërat që dëgjohen në bashkëbisedimet e medieve, nga disa të molepsura me përrallat e privatësisë: - Pu, pu, pu... të marrin nëpër gojë intimitetet e një njeriu (e na duket se po çjerrin faqet!). - Mos u përvajtó, zonjë. Se ai që i mori në gojë së pari, është aleati juaj i tanishëm. Por a nuk e dini ju, se të rrahësh gruan është e ndaluar me ligj? Mirë këto, se u indoktrinuan me të drejtat e pakufizuara në familje (!), në mbrojtje të shefit të tyre. Pa na del edhe një kryeredaktore e një gazete të majmëruar, e na thotë:
-Bashkëshortja e kryeministrit, duhet ta ndjejë veten keq me atë që bëri burri i saj! Cilido mund t’i përgjigjet: - Përse, keni marrë gjë vesh ju, për rrahje në shtëpinë kryeministrore? Ndërsa ne të tjerët mund të themi:- Ndër ata personalitete që përmendëm a mund të thoni, qoftë edhe për njërin, se ka rrahur gruan?

Tragjikomizmi i Edi Ramës

Luçiano Boçi

Një javë më parë opozita konsumoi një nga format dalluese të një shteti demokratik, tubimin e protestës, një formë mjaft e njohur dhe e aplikuar në të gjitha vendet demokratike në botë. Madje për ta bërë këtë tubim, të veçantë në llojin e vet këtu në Shqipëri, tubimi zgjati plot 48 orë. Deri këtu çdo është normale dhe s’do përbënte asnjë paradoks apo tragjikomizëm politik dhe njerëzor. Le të mundohemi ta lexojmë qetë dhe si qytetarë këtë tubim. Që në nisje të tij, objekti i tij ishte antikushtetues. E thënë më thjeshtë, zoti Rama kishte në qendër të tubimit hapjen e kutive, të cilat më parë janë certifikuar dhe vulosur nga KQZ dhe Kolegji Zgjedhor. Një kërkesë që ligjërisht është e pamundur dhe zoti Rama e di shumë mirë këtë. Këtu nis alibia e zotit Rama. Them zotit Rama, pasi socialistët nuk kanë asnjë kontribut në këtë alibi, ata thjesht “besojnë” kryetarin e tyre. Kjo është një “betejë” personale e kryetarit socialist për të rrëmbyer karrigen e pushtetit, në mënyrë antiligjore dhe anti-rend, meqenëse populli me votën e tij e bëri zgjedhjen e vet.
A ishte zoti Rama në krye të kësaj beteje demokratike, siç është tubimi?
Jo, aspak! Ashtu si me zgjedhjet e 28 qershorit, ai nuk pati kurajon qytetare të ishte në krye të turmës së protestuesve dhe të të ngujuarve. Edhe njëherë ai tregoi se nis të tjerët në betejë, ndërsa vetë qëndron në “çadër”. Ishte e mjerueshme se si njeriu që i ftoi protestuesit të ngujoheshin 48 orë në shesh, vetë preferoi të ulej në kolltukët e ngrohtë prej lëkure të lokaleve luksoze të socialistit Fidel Ylli në katin e tretë të Kullave Binjake. Nën këmbët e tij, në pllakat e ftohta të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” njerëzit e marrë në protestë me listë, qëndronin të shtrirë mbi pllaka polisteroli, në kushte që të kujtojnë eksodin kosovar të 1999. Disa herë, në intervale të shkurtra, Rama zbriti dhe shkëmbeu disa batuta me të ardhurit në tubim, por ai nuk pati kurajon të qëndrojë aty i ulur në tokë bashkë me ta, për ta ndjerë dhe për ti dhënë njerëzve kurajon se ajo që po bënin të gjithë bashkë ishte një e drejtë e tyre. Ai nuk e bëri këtë se i sheh ata si të huaj dhe pa lidhje me të. Jo, këtë zoti Rama nuk e kishte një zë të brendshëm, por ishte vetëm alibia e tij. Ndërkohë që të ardhurve për miting, u dhanë bukë me qofte e ndonjë çaj, sepse rakinë e kishin sjellë me vete, zoti Rama dhe të zgjedhurit e tij, konsumonin ushqime luksi në restorantin e “Dy kullave”.
Ndërsa më tragjikomike, madje me e dhimbshme ishte pamja në sheshin pas çadrave të ngritura në bulevard. Nëse do ti hidhje një sy këtij sheshi, do të gjeje një antipod të plotë. Disa dhjetëra makina luksoze, që nga Porsche, Range Rover e deri tek Mercedes të deputetëve socialistë, makina që kushtojnë mbi 70-80 mijë euro, ndërsa nga pas çadrave, njerëz të shtrirë në bulevard të braktisur nga pronarët e këtyre makinave. Dhe ende pyes veten: Si mund të injorohen këta hallexhinj në këtë mënyrë?! A kanë lidhje deputetët socialistë me këta “të ardhur” për tubim? Sa e kuptojnë ata njëri-tjetrin dhe sa përfaqësohen që nga kryetari e deri tek deputetët socialistë? Sikur të mos mjaftonte kjo, deputetët socialistë guxuan të provojnë incidentin duke i bërë thirrje njerëzve të godasin me vezë godinën e Kryeministrisë, për gjoja një makinë përgjuese, e cila po “vidhte skemën e organizimit të protestës”. Ky është një degjenerim total i kauzës së një partie, e cila ka historinë e saj dhe rolin e saj në ndërtimin e pluralizmit dhe demokracisë dhe shtetit në këtë vend. Sot ky rend po kërcënohet se do të prishet. Për ç’motiv?! Për karrigen e pushtetit të Edi Ramës! Zoti Rama e di mirë që nuk mund të provokojë zgjedhje të parakohshme. Ai thjesht por kërkon që të bindë njerëzit se ai duhet të votohet sërish për kryetar bashkie. Asnjëherë në historinë tonë pluraliste, një individ nuk ka triumfuar mbi kauzën, siç kërkon të bëjë Edi Rama. Asgjë parimore nuk gjen në trajektoren e historisë së shkurtër politike të këtij njeriu. Pas humbjes së 28 qershorit nuk pati kurajon ta përmendte fjalën humbje dhe pse ajo ishte certifikuar, nuk pati kurajo të ballafaqohet me akuzat brenda partisë së tij, u rikonfirmua kryetar në gjysmë ilegalitet, ndërsa sot, si “një fitimtar i të gjitha betejave”, bën liderin që don të udhëheqë popullin në revoltë, popullin që në shumicë nuk e votoi. Asnjë konsekuencë nuk ka në qëndrimet e këtij “lideri”. Ishte ai që deklaroi në fillimprocesin zgjedhor se me Berishën e bashkonte ideja që në këtë proces nuk ka të humbur. Fill pas procesit zgjedhor dha deklaratën tjetër ku ngrinte lart mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve me standarDe tepër të pranueshme. Dhe kur nisi të konturohej humbja qëndrimin e partisë ndaj tyre e kushtëzoi me numërimin e kutive të kontestuara të Fierit në KQZ. Kur humbja u vulos ai humbi logjikën duke mos pranuar rezultatin për gjoja manipulime në numërimin e disa kutive të disa qarqeve. Tani vazhdon të lozë me termat si ai xhongleri që ka humbur spektatorin duke u deklaruar herw për hapje herë për hetim. Tragjikomizmin e tij dhe të situatës që ai ka stisur e amplifikon dukshëm dhe bashkëshoqërimi me politikanë pa elektorat, të cilëve ka kohë që i ka dalë kallaji dhe që vetëm për ligj dhe drejtësi nuk janë duke folur e duke luftuar. Të kapur nga tmerri i mosardhjes në pushtet, ky grup politikanësh narcistë nuk shohin dot më larg se interesi i ngushtë i tyre, më larg se sheshet ku janë duke bërtitur, të cilat një ditë ëndërrojnë ti mbushin dhe këto me leje ndërtimi. Është tragjike dhe komike të dëgjosh Ramën, gjoja në emër të lirisë së medias, të artikulojë rastin e Mero Bazes, gazetar të cilin jo me larg se 2005, e cilësoi armik personal dhe familjar për shkak të artikujve të atëhershme të cilat nuk e lartësojnë aspak gazetarin në fjalë, në gazetën Tema. Është tragjike dhe komike të luash me historinë dhe perspektivën historike të një kombi, të nëpërkëmbësh patriotizmin e tij, të vësh në lojë nacionalizmin e tij, duke gjetur një casus belli, siç është përcaktimi i vijës ndarëse kufitare midis Greqisë dhe Shqipërisë, e realizuar kjo sipas të gjitha procedurave dhe rregullave teknike dhe ligjore ndërkombëtare. Është e mjerueshme dhe e trishtueshme të shohësh politikanë që populli i ka besuar fatet e tij, të bëjnë rolin e fëmijës kryeneç, i cili kurrsesi nuk pranon konkludimet e të tjerëve dhe që madje, për inat, jo vetëm që nuk bie në dakortësi, por përkundrazi tenton të bëjë njeriun e revoltuar, gjoja në emër të drejtësisë, duke shkatërruar në mënyrë të pariparueshme vlera për të cilat kanë punuar breza të tërë.
Është tragjike dhe komike të predikosh politikë të re, të dalësh në rolin e mbrojtësit të autonomisë vendore nga njëra anë dhe ti ngresh piedestal bojkotit si metodë dhe të mos marrësh pjesë në zgjedhjet vendore nga ana tjetër.
*Deputet i PD

Homo mitingus

Edmond Tupja

Nga australopithecus afarensis-i (i pari primat që, 5,5 milionë vite më parë, kaloi nga pozicioni mbi katër putra në atë mbi dy këmbë) tek homo sapiens sapiens-i (prototipi i njeriut të sotëm, shfaqur para 100 mijë vitesh), historia e njerëzimit ka njohur, përveç homo habilis-it, homo erectus-it dhe njeriut të Neanderthal-it, disa lloje njerëzish fryt i paparashikueshëm i zhvillimit të një ideologjie të mbrapshtë sidomos në shekullin XX, si, për shembull, homo sovieticus (njeriu i ri i Lenin-Stalinit), homo leifenus (njeriu i ri i Mao Ce Dunit) dhe homo albanicus (njeriu i ri i Enver Hoxhës).
Pas shembjes së diktaturës hoxhiste në Shqipëri, pra, para gati 18 vjetësh, nisi të shfaqej mes nesh, për habinë, por edhe për fajin tonë, një homo i ri, homo mitingus, d.m.th. ai ose ajo që sillet nga rrethet për të mbushur Sheshin “Skënderbej” ose atë “Nënë Tereza” në kryeqytetin tonë, arenë përplasjesh politike të shpeshta, sidomos në periudha fushatash para e paszgjedhore. Disa nga tiparet kryesore të homo mitingus-it janë: së pari, atij i duket vetja diçka e veçantë, gati e jashtëzakonshme; them “diçka” dhe jo “dikush” sepse, me shumë gjasë, homo mitingus-i ndihet gjysmë send e gjysmë frymor i manipulueshëm e, njëherazi, i moneypulueshëm; së dyti dhe për rrjedhojë, ai është pasiv, d.m.th. e marrin dhe e hipin në autobus, si të ishte robot, për ta çuar falas në kryeqytet, i caktojnë vendin ku do të qëndrojë (gjithsesi mbi dy këmbë dhe jo mbi katër putra), i mësojnë përmendsh disa parulla që jo gjithmonë ai i kupton plotësisht; shpesh i ngjisin në dorë një pankartë së cilës ai i kupton vetëm rrokjen e dytë sepse i tillë ndihet pjesërisht ose, në rastin më të keq, plotësisht; pastaj, me të mbaruar mitingu, e marrin dhe e hipin sërish në autobus, si të ishte robot, për ta kthyer falas në fshatin, qytetin apo rrethin ku ka lindur e jeton dhe, me shumë gjasë, do të vdesë në anonimatin më të plotë, por krenar që ka marrë pjesë në aksh miting madhështor organizuar nga Partia e tij e zemrës dhe e thembrës (së Akilit); së treti, gjatë zhvillimit të mitingjeve, ai nuk dëgjon se ç’thonë oratorët nga maja e tribunës, por vetëm klith e ulërin ose ha fara kungulli, ose kruan herë pas here vrimat e hundës, të veshëve apo ndonjë tjetër vrimë më të strukur e më të fshehtë të trupit të tij.
Figura tragjikomike e homo mitingus-it u shpalos fare qartë edhe gjatë protestave triditore të organizuara së fundmi në Sheshin “Skënderbej” nga Partia Socialiste. Kësaj herë, tipareve të tij të lartpërmendura erdhën e iu shtuan edhe disa të tjera si, për shembull, prania e çadrave për të nënvizuar e përforcuar instinktin e tij të kopesë partiake, kësaj radhe ngjyrë rozë, rozë, rozë deri në neveri; si, për shembull gjithashtu, dëshira e tij për t’u dëfryer duke kërcyer rock apo rap të tipit roza, rozina, na sill ca trëndafila. Në këtë mënyrë, homo mitingus-i u ndje më tepër frymor i sendërgjuar sesa send i frymëzuar, pra, të paktën, gjallesë e vetëdijshme për trupin e vet që nuk rri më gatitu! apo qetësohu!, i ngrirë si hell, por lëviz, lëviz fizikisht, sepse mendërisht është krejt i par(e)alizuar ngaqë për atë mendon Udhëheqësi, Lideri, Iniciuesi, Ideatori, Kryetari i Dyfishtë – ai i Bashkisë dhe i Partisë. Homo mitingus-i i kësaj here e ndjeu, turbullazi, por e ndjeu ama, se kafka i kishte marrë formën e një kutie, bosh sigurisht, por që e hap dhe e mbyll vetë Udhëheqësi, Lideri etj., etj. si të ishte kuti votimi fletëvotimet e së cilës duhet t’i numërojë e rinumërojë sa herë t’i teket deri sa t’i bëjnë sytë tek a çift e t’i dalin hesapet siç i do palla, vetëm Ai, i Pagabueshmi, i Pakorruptueshmi, i Ndriçuari, d.m.th. Udhëheqësi, Lideri etj., etj., Simboli dhe Ikona e një Politike të Re Socialpatologjike me politikanë të vjetër, Figura Emblematike e një embleme pa figurë në krye të një partie të çoroditur dhe të një bashkie të hallakatur.
Miku dhe kolegu im i ri Françesk Armadhi, pas disa përsiatjesh ontologjike e fenomenologjike mbi homo-mitingus-in e të gjitha ngjyrave, por sidomos atë rozë, ka arritur në përfundimin se metazmorfoza e radhës e këtij të fundit ka mundësi të jetë një tjetër produkt më i sheshtë, më i rrafshtë, më i dystë i llojit homo, madje ai ka gjetur edhe termin shkencor që do t’i përshtatet atij më së miri në një të ardhme fare të afërt: “homo trapus”!

Zgjidhja e paarritur pas një buzëqeshjeje

Aleksandër Marku

Askush nuk priste në Greqi që një çështje që ka ngelur e pazgjidhur për 18 vjet rresht, të fillonte të zgjidhej të premten në mbrëmje, atje buzë liqeneve të Prespës. Madje, fotografitë dhe pamjet televizive me dorështrëngimet e "përzemërta dhe buzëqeshjet e ngrohta" shkaktuan reagime nga më të ndryshmet. Grupe analistësh, por edhe njerëz të thjeshtë, partizanë të mbrojtjes së emrit "Maqedonia", komentuan ngjarjen me skepticizëm. Por shumica e mediave dhe e opinionit publik e kanë parë me një sy më logjik takimin e krerëve të tre vendeve, duke theksuar se edhe fakti që bisedojnë është diçka pozitive, pavarësisht se nuk bien dakord. Madje e quajnë këtë metodë shumë herë më të mirë se veto e vendosur, jo vetëm në samitin e NATO-s nga ish-kryeministri Karamanlis, por edhe në çdo lloj bisedimi në rang qeveritar për çështjen e emrit, për sa kohë që konservatorët udhëhoqën Greqinë.
Ajo çfarë ka zënë vendin kryesor në shtypin grek për takimin trepalësh ka qenë pa dyshim takimi Papandreu -Gruevski, kjo edhe për arsyen e marrëdhënieve shpeshherë tepër të acaruara me fqinjin verior, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë.
E përditshmja dinjitoze "TA NEA" duke i dhënë një vend të rëndësishëm këtij takimi, shkruan : "Bien dakord për Prespën, por jo për emrin". Sipas gazetës, çështja e emrit dhe politika e integrimit të Shkupit në BE, mbizotëruan në takimin Papandreu -Gruevski. Athina zyrtare nuk ka iluzione se pozicioni i Shkupit, që këmbëngul për emrin dhe kombësinë maqedonase do të ndryshojë përnjëherësh. Qarqe diplomatike besojnë se qeveria "Gruevski" ndien tashmë një presion të vërtetë kur sheh se përballë ka një partner të hapur, që e dëgjon me kujdes, prandaj do detyrohet edhe ajo të bëjë të njëjtën gjë. Kjo edhe sepse është hera e dytë që Papandreu brenda pak ditësh takohet me homologun e tij, duke i sqaruar me sinqeritet pozicionimin e Athinës, një çast që konsiderohet si "momentum" i diplomacisë për zgjidhje. Aq më tepër, sepse edhe Brukseli pret me këmbëngulje konkludimet përkatëse të të dyja palëve.
Me titull - "Papandreu me Gruevksin asnjë progres" - një prej analistëve më të mirë të çështjeve ballkanike, Stavros Tsimas, shkruan në gazetën "Kathimerini" se Shkupi nuk lëvizi nga pozicioni i tij në takimin e Prespës. Dy udhëheqësit sqaruan njëri-tjetrin se nuk heqin dorë nga bindjet dhe pozicioni i tyre për sa i përket çështjes së emrit, sqaron gazeta, duke shtuar se Havier Solana dhe Olli Rehn i kanë dërguar një letër të hapur udhëheqjes së ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë me të cilën i kërkojnë të përfitojë nga takimi në Prespë, për të arritur një rezultat në çështjen e pazgjidhur të emrit.
Ndërsa e përditshmja greke "Eleftherotipia" i kushton më shumë ngjyra shprese, takimit të së premtes duke komentuar se - "Prespa na sjell më pranë njëri-tjetrit".
Fillimi i një klime të ngrohtë midis dy vendeve u bë me dorështrëngimin midis dy udhëheqësve, shkruan gazeta. "Nuk jemi ne negociatorët, ka thënë Papandreu para mediave. Negociatat kryhen në kuadrin e OKB-së, ka shtuar ai. Athina nuk shpreson që dhjetë ditë para samitit të BE-së në Bruksel të gjendet një zgjidhje që nuk është gjendur për 18 vjet rresht".
Në artikullin e saj, "Eleftherotipia" shkruan edhe për takimin e Kryeministrit grek me homologun e tij shqiptar, Sali Berisha, takim në të cilin u biseduan temat e emigrantëve, të minoritetit, të gjendjes ekonomike, të investimeve greke në Shqipëri, të liberalizimit të vizave, si dhe të njohjes nga Greqia të patentave shqiptare të makinave.
Nën vështrimin e rreptë të BE-së dhe SHBA-së u zhvillua takimi i Greqisë dhe FYROM shkruan gazeta "TO VIMA". Megjithëse tema kryesore e takimit ishte ajo e ambientit, rëndësi më të madhe pa dyshim ka marrë biseda e Gruevskit me udhëheqësin grek për sa i përket çështjes së emrit. Sipas gazetës, BE duket se do të marrë një rol të rëndësishëm hegjemonik për zgjidhjen e kësaj nyje gordiane në bashkëpunim edhe më SHBA-në, e cila tani për tani nuk është aktive në këtë akt. Është karakteristik fakti - nënvizon gazeta - se kur është pyetur Papandreu nëse Athina do të vendosë veto në samitin e dhjetorit përgjigjja e tij ka qenë se - "Ajo që duam ne, është zgjidhja e problemit dhe iniciativat tona kanë këtë qëllim. Ka qenë shtysa e BE që mbështet iniciativat tona". Sipas gazetës, kur Nikola Gruevski i ka kërkuar Papandreut që Greqia mos të vendosë përsëri veto në Bruksel, Kryeministri grek i është përgjigjur se Athina do ta mendojë pozicionimin e saj para këtij samiti.

Vlen për të përmendur komentet e disa prej skenave që përshkruan gazeta në fjalë për sa i përket takimit trepalësh siç janë buzëqeshjet e tepërta të tre udhëheqësve, theksin që ata i vunë bukurisë dhe qetësisë së zonës së Prespës, çka bashkon, sipas tyre edhe këto tre vende!!! Gjithashtu vihet theksi te dhuratat e shumta të Kryeministrit Papandreu, ndaj homologëve të tij dhe falënderimi në gjuhën greke nga ana e udhëheqësit shqiptar, Sali Berisha që iu drejtua atij duke i thënë "Efharisto poli!".

Pas Prespës shtrëngohet laku rreth Maqedonisë

Maksi Sinemati

Media maqedonase i jep një hapësirë të gjerë takimit trepalësh që u zhvillua në fshatin Pili të Prespës, në pjesën greke, me pjesëmarrjen e kryeministrave të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, Greqisë, Jorgos Papandreu, dhe të Shqipërisë, Sali Berisha, kushtuar ndryshimeve klimaterike në prag të Samitit të afërm të Kopenhagenit për këtë problem të rëndësishëm. Por, sidoqoftë, kjo media vëmendjen më të madhe ia kushton sidomos asaj që biseduan dhe thanë Gruevski dhe Papandreu për problemin e mosmarrëveshjes për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë, ndërkohë që po afron 7 dhjetori 2009, kur pritet që Këshilli i Europës (KE) të caktojë ose jo, datën e fillimit të bisedimeve të pranimit mes Maqedonisë dhe BE-së, duke supozuar se deri ku janë afruar qëndrimet e kundërta mes këtyre dy vendeve lidhur me mosmarrëveshjen në fjalë. "Takimi, i iniciuar nga pala maqedonase dhe i mbështetur nga bashkësia ndërkombëtare, do të duhej të tregonte e të provonte se dialogu mes Shkupit dhe Athinës për dallimet që kanë për emrin, nuk ndodhet në pikën e vdekjes dhe se ekzistojnë shanset për gjetjen e asaj që rëndom quhet ‘zgjidhje e pranueshme e përbashkët‘", vë në dukje sot një nga gazetat kryesore të përditshme maqedonase "Utrinski Vesnik", duke vazhduar më tej se, në përgjithësi, nuk kishte informacione se për çfarë biseduan dhe ranë dakord Gruevski dhe Papandreu, por se përshtypja e përgjithshme midis gazetarëve në qendrën e improvizuar të shtypit në fshatin Lemos, gjashtë km nga vendi takimit të tre kryeministrave, ishte se dy liderët (Gruevski dhe Papandreu) nuk duhet në asnjë mënyrë të mos bien dakord rreth "asaj" që do të mund ta shmangte veton ose bllokadën greke në takimin e KE-së më 7 dhjetor.
Që media i kushtoi vëmendje të madhe këtij takimi trepalësh, sidomos takimeve dypalëshe mes Gruevskit dhe Papandreut për sa më sipër, e tregon edhe fakti se daljen nga takimi i përbashkët mes tyre e prisnin te dera më shumë sesa 100 gazetarë dhe kameramanë vendës dhe të huaj. Të paktën, në takimin e kortezisë, të dy kryeministrat dukeshin të qeshur që ngjallte shpresë se edhe takimet tetë a tetë mes tyre kanë vazhduar me humor të mirë, shkruan media maqedonase.
Kryeministri maqedonas, Gruevski, erdhi në Pili, duke qenë i ndërgjegjshëm se një dështim eventual i takimit të tij me Papandreun do të përbënte edhe dështim të aspiratave euro-integruese të Maqedonisë, për shkak të vetos eventuale të Greqisë në takimin e ardhshëm të lartpërmendur në KE, vë në dukje media e shkruar maqedonase, një nga gazetat kryesore të përditshme të së cilës, "Dnevnik", botoi dje një shkrim të përbashkët të përfaqësuesit të lartë të BE-së për sigurimin e politikën e jashtme, Havier Solana, dhe të komisionerit të zgjerimit të BE-së, Olli Rehn, të cilët, me një gjuhë të vendosur, paralajmëronin se, "nëse nuk shfrytëzohen shanset, atëherë nuk do të mund të jemi të sigurt se kur dhe si procesi i pranimit të vendit tuaj (Maqedonisë) do të vendoset përsëri në axhendën e BE-së". Të dy eurodiplomatët e lartë dërguan një mesazh të qartë se, "nëse ndërmjetësuesit mund të ndërmjetësojnë, bashkëbiseduesit mund të bashkëbisedojnë, janë liderët ata që mund të vendosin".
Letra e lartpërmendur e Solanës dhe e Rehnit, e botuar në "Dnevnik" në formën e një shkrimi, koincidoi me vizitën e papritur dje në Shkup të ministrit të Jashtëm të Suedisë, njëherazi kryetar aktual i BE-së, Karl Bildt. Diplomati i lartë suedez iu shmang takimeve me gazetarët dhe vizitën e tij e cilësoi si një "vizitë në kalim e sipër" rrugës për në Stamboll, por, megjithatë, sipas medias maqedonase, vizita e tij e shkurtër në Shkup ishte në funksion të ushtrimit edhe të një presioni tjetër miqësor ndaj Kryeministrit Nikolla Gruevski që ai të hapë rrugë për zgjidhjen e problemit të emrit me Greqinë për gjetjen e një kompromisi të pranueshëm të ndërsjellë. Presioni mbi Gruevskin, vë në dukje gazeta "Utrinski Vesnik", është më i madh, pasi nga pala maqedonase kërkohet një tërheqje e "dhimbshme" në formën e ndryshimit të emrit kushtetues të vendit, ndërkohë që Greqia ndodhet në një pozitë më të mirë si vend-anëtar i BE-së që ka në dispozicion mekanizmat për bllokimin e pranimit të saj (Maqedonisë) në BE, ashtu sikurse ajo (Greqia) bëri në Samitin e NATO-s në Bukuresht para afro 12 muajve.

Pavlefshmëria prej mosmandatimit

Ilir Mati

Lexues të gazetës "Shqip" iu drejtuan autorit të artikullit "Pavlefshmëria e Kuvendit të Shqipërisë", botuar në gazetë, më 26 nëntor 2009, faqe 8, me pyetjen: "Të jetë e vërtetë që Kuvendi i Shqipërisë është i pavlefshëm?".
Më poshtë po rreshtojmë ligjet kushtetuese, në bazë të të cilave rezulton, të paktën, dyshimi për pavlefshmërinë e Kuvendit edhe të shumtën, pavlefshmërisë së tij nga mosparaqitja e deputetëve në mbledhjen e Kuvendit të porsazgjedhur prej Presidentit të Republikës.
Neni4.
2. Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë.
3. Dispozitat e Kushtetutës zbatohen drejtpërsëdrejti, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe.
Neni 64
1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumë emërore.
Neni 65
Kuvendi zgjidhet çdo 4 vjet. Mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë. Në çdo rast, Kuvendi qëndron në detyrë deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri të zgjedhur.
Neni 67
Presidenti i Republikës mbledh Kuvendin e porsazgjedhur
Neni 71
1. Mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve.
2. Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit:
a) kur ai nuk bën betimin
Neni 72
Para fillimit të ushtrimit të mandatit, deputetët bëjnë betimin në Kuvend.
Neni 75
Kuvendi organizohet dhe funksionon sipas rregullores së miratuar nga shumica e të gjithë anëtarëve.

Në zbatim të Kushtetutës, mandatimi i Kuvendit të Shqipërisë bëhet sipas kësaj radhe:
Sipas nenit 67, Presidenti i Republikës mbledh Kuvendin. Sipas nenit 64, kjo do të thotë se mblidhen 140 deputetë, meqenëse, sipas nenit 4, paragrafi 2, dispozitat kushtetuese zbatohen drejtpërsëdrejti dhe se në Kushtetutë nuk parashikohet ndryshe, pra nuk parashikohet numri i deputetëve në mbledhje.
Për sa më sipër, në rast se në mbledhjen e bërë nga Presidenti i Republikës të Kuvendit të porsazgjedhur, nuk janë prezentë 140 deputetë, ajo mbledhje është e pavlefshme. Rrjedhimisht është i pavlefshëm mandatimi i Kuvendit në kushte të tilla, si dhe bëhet i pamundur fillimi i punës për organizimin dhe funksionimin e tij në bazë të nenit 75.
Pamundësia e organizimit dhe funksionimit të Kuvendit, sipas nenit 75, nga ana e vet, bën të pamundur betimin e deputetëve si edhe përcaktimin e shumicës së tyre.

DEBATI POLITIK, SHTETI DHE PUSHTETI

Dr. Zef Preçi*

Ndërsa ndiqja "live" të enjten në darkë punimet e Kuvendit të Shqipërisë, në kujtesë më erdhën një sërë përjetimesh që dëshiroj t‘i ndaj me lexuesit e gazetës suaj.
Së pari, gjuha e ashpër e Kryeministrit Berisha - tepër larg përgjegjësive publike të postit që ai mban. Në të njëjtën kohë, kjo gjuhë tejet jopolitike në "altarin e kombit", është një provë e naivitetit kolektiv me të cilin u prit riardhja në pushtet e tij më 2005 (edhe pse me një rotacion normal), dhe në mandatin e dytë pesë muaj më parë. D.m.th duhet të pranojmë se drejtimi i vendit nga njerëz që formimin bazë të tyre e kanë marrë në shkollat e sistemit komunist (dhe shkolla më e rëndësishme e tij ka qenë PPSH), vështirë se mund të ofrojë produkt më të mirë qeverisës se ai që kemi aktualisht. Por, në vlerësimin e toneve të ngritura, të fokusuar në "dimensionin" familjar të zotit Rama, mendoj se ka edhe një arsye praktike që e detyron rikthimin në "llogoren e vjetër" të zotit Berisha. Ai ka nevojë "të kompaktësojë" radhët e mbështetësve të tij në mitingun e pas disa ditëve (përvjetori i lëvizjes demokratike tashmë të përvetësuar dukshëm prej atij vetë) dhe në kongresin "historik" të radhës të partisë që komandon. Për hir të së vërtetës, fjalimi në Kuvend dhe daljet e mëvonshme publike të zotit Berisha, me të njëjtat tone dhe fjalor rreth profilit familjar të zotit Rama, kanë nxitur shtrëngimin e radhëve edhe në kampin e PS-së, duke ngushtuar dukshëm edhe hapësirën e një grupi deputetësh - figurash të njohura të kësaj partie, që i janë kundërvënë publikisht bojkotit të Kuvendit.
Në jehonën ende të pashuar të këtij "sqarimi të të vërtetave lakuriqe" nga ana e zotit Berisha - mjerisht vetëm për rrënimin e mbështetjes publike të kundërshtarit politik përmes denoncimit të "lidhjeve të liderit të PS-së me klanet punisto-mafioze", analistë të njohur kanë hequr edhe paralele me zhvillimet politike të periudhës 1996-1997. Personalisht mendoj se zhvillimet aktuale ndodhën në një kontekst krejt të ndryshëm, por nuk duhet të injorojmë edhe elementët e përbashkëta siç janë varfëria dhe polarizimi social në rritje, mungesa e "urave të bashkëpunimit pozitë-opozitë", e ndoshta edhe rreziku i instrumentalizimit të vjedhjes (së supozuar) të votave më 28 qershor, si rrugë për kontestim publik dhe radikalizim të vërtetë të situatës. D.m.th edhe pse në kushte të ndryshme historike, sociale, ndërkombëtare, etj., disa "paralele" duhen marrë në konsideratë. Sipas meje, edhe pse e ngritur pa argumentet e mjaftueshme ligjore, çështja e hapjes së kutive të votimit" mbart në thelbin e vet nxjerrjen dhe mbajtjen e debatit politik jashtë institucioneve; përdorimin politik të ndjeshmërive publike dhe të zhgënjimit për humbjen e socialistëve më 28 qershor, "farën" e krizës politike që duket në horizont, e pse jo edhe rrezikun e destabilizimit të vendit, nëse nuk veprohet në kohë drejt kompromiseve të nevojshme. E padashur
të mbivlerësoj rolin e "revolucionarëve të vonuar" përreth zotit Rama në elaborimin e idesë së "mosbindjes civile" apo të thirrjeve destabilizuese krejt jashtë kohe, si ato të publikuara ditën e djeshme në një zonë të njohur si mbështetëse e zotit Berisha, mendoj se sfida për gjetjen e kompromisit të radhës i mbetet kryesisht atij. Shumë vetë pranojnë se zoti Berisha nuk ka
mësuar vetëm si të rikthehet në pushtet edhe pa pasur numrin e mjaftueshëm të votave të qytetarëve (meritë e padiskutueshme e tij në vitin 2005). Pa kurrfarë dyshimi duhet pranuar se ai ka mësuar edhe si të mbajë pafund pushtetin, madje edhe duke vënë tërë institucionet e shtetit në funksion të fuqizimit dhe të përjetësimit të këtij pushteti. E për ironi të fatit, ndihmesa më e madhe e mundshme në këtë proces sa historik aq edhe aktual, zotit Berisha i është dhënë nga zoti Rama, me cilësinë e liderit zyrtar të opozitës. Të gjithë qytetarët shqiptarë duhet të kujtojnë pa kurrfarë krenarie dhe, madje edhe me një ndjenjë turpi, për shkak të poshtërimit kolektiv mbasi këta dy individë, të besuarit kryesorë të tyre, ndryshuan brenda natës Kushtetutën e vendit në prill të një viti më parë. Ky ndryshim nuk mund të mos sillte njëkohësisht si rrënimin e ndarjes modeste të pushteteve, e arritur në dy dekadat e para të tranzicionit, ashtu edhe nënshtrimin "pa kushte" të të gjitha institucioneve të shtetit në këmbët e "sundimtarit" të radhës. E kjo që ndodh aktualisht nuk është as më pak dhe as më shumë veçse një kosto për t‘u paguar nga lëshimet e lidershipit të PS-së dhe personalisht të zotit Rama në këmbim të sundimit absolut të liderit të saj në rast ardhjeje në pushtet pesë muaj më parë, gjë që nuk ndodhi. Aktualisht, opozita e udhëhequr nga zoti Rama - aq bashkëpunuese me zotin Berisha në periudhat e vështira të skandaleve të njohura të saj - duket se nuk po pranon humbjen e zgjedhjeve të 28 qershorit të këtij viti. Në fakt, edhe për shumë njerëz afër qarqeve drejtuese të PS-së, ky duket si një problem më shumë i Ramës se sa i vetë kësaj force politike tashmë plotësisht të tjetërsuar si partia e tij. Kjo për faktin se midis tentativës për të rimodeluar "partinë e vjetër", për të krijuar kohezionin e nevojshëm që do të fuqizonte aftësitë konkurruese të bllokut opozitar, si dhe sfidës për të përzgjedhur mbi bazë parimesh demokratike ekipin politik potencial qeverisës që do të rriste besimin publik te lidershipi i tij, duke ushtruar njëkohësisht presion për të siguruar një mirëqeverisje të vendit, zoti Rama ndoqi një rrugë "të tretë". Domethënë, përqendroi forcat dhe mjetet, duke përfshirë edhe një qendër të fuqishme të pushtetit - Bashkinë e Tiranës në imponimin e modelit qeverisës të kësaj të fundit në të gjithë "partinë e vjetër", d.m.th në tjetërsimin e saj historik, në pikëpamje të personaliteteve që mbledhin vota, duke përfshirë edhe dëbimin jo dhe aq paqësor të ish-kryetarit Nano, si dhe në përballjen e munguar me pushtetin e drejtuar nga Berisha. E për rrjedhojë, 28 qershori 2009 rikonfirmoi zotin Berisha si Kryeministër me një mazhorancë të formuar me kujdes prej tij, e cila me hyrjen në Kuvend të deputetëve të PS (kurdo që të ndodhë) nuk është çudi që, paradoksalisht, të zgjerojë radhët e saj.
E tash të vijmë te protesta e javëve të fundit e PS-së nën drejtimin e zotit Rama.
E mira e protestave të periudhës postzgjedhore duket se është njëlloj zgjimi nga letargjia shumëvjeçare e qytetarëve shqiptarë, ndonëse një parti që pretendon se mbështetet nga shumica e shqiptarëve mund dhe duhet të organizojë protesta të tilla me pjesëmarrje të gjerë publike edhe për mungesën e ujit, për mospastrimin e plehrave në qytet, e të tjera çështje jopolitike si këto, d.m.th për çështje të jetës së përbashkët komunitare. Por është vështirë të gjesh argument për ashpërsimin e tyre ekstremal deri në ultimatumin 10-ditor me kushte që "apriori" dihet se ka pak gjasa se mund të plotësohen, siç është edhe hapja e kutive të votimit. Unë nuk di nëse njëzet vjet mbas përmbysjes së diktaturës komuniste po të ishte zoti Rama kryeministër apo cilido tjetër në vend të tij, do të mund të guxonte të dhunonte haptazi ligjin, të "pushkatonte" gjykatat dhe administrativisht të vendoste për të hapur kutitë e votimit, siç po kërkon ai sot. Ashtu sikurse nuk di nëse krijimi i këtij precedenti, d.m.th hapja e kutive të votimit do të mund të lejonte ndonjëherë vetëfunksionim normal të pushtetit dhe të shtetit në këtë vend pa praninë dhe arbitrimin "non-stop" të ndërmjetësve ndërkombëtarë në të. Kjo jo se kutitë nuk hapen në botën moderne që na rrethon. As se në ato kuti, siç arsyeton në mënyrë naive ndokush, mund të gjendet "çelësi" magjik që zëvendëson Berishën me Ramën (në fakt ky i fundit po realizon konsolidimin e pushtetit partiak aty ku është sot, me një mandat "gratis" në krye të PS-së humbëse në zgjedhje, kur duhej të kishte dhënë dorëheqjen). A thua vërtet hapja "me çdo çmim" i kutive të votimit (edhe pse hapja e tyre në rrugë ligjore dhe institucionale e me ligj të posaçëm nuk duhej të shqetësonte askënd) është problemi themelor i shqiptarëve dhe i demokracisë së tyre në ditët e sotme? A thua vërtet liberalizimi i pritshëm i vizave do të sjellë atë "boom" ekonomik që z. Berisha propagandon orë e çast në çdo tribunë anekënd vendit?
Ndoshta është vendi të ndalemi pak më gjatë në këto probleme, duke filluar me rëndësinë e të kuptuarit se Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe se ajo ka hedhur hapa të rëndësishëm në procesin e integrimit europian. Me këtë status të fituar falë orientimit dhe besimit të qytetarëve shqiptarë dhe politikanëve të tyre drejt Perëndimit dhe shpresës që buron prej tij, do të ishte naive dhe e pashpresë se "ndërkombëtarët" në Tiranë dhe në
kanceleritë perëndimore do të "lodheshin" me Berishën dhe pikërisht për këtë shkak do të kërkonin që "karrocës qeveritare t‘i ndërroheshin kuajt", d.m.th të futeshin në qeveri edhe njerëzit e Ramës, siç është artikuluar më se një herë edhe publikisht nga partnerë politikë këshillues afër tij. Natyrisht në këtë rast, mendjet e etura për pushtet të Ramës dhe të disa liderëve politikë pa parti dhe pa elektorat pranë tij kanë si kusht të vetëm dëbimin prej qeverisë të zotit Meta dhe të ministrave të tij (?!). E nëse kjo do të ndodhte një ditë, nuk ka dyshim se Berisha nuk do të ishte më ai "i keqi" sipas tyre, madje kjo do të përcillte në muzeun e harresës politike edhe
kauzën demokratike të "hapjes së kutive dhe dhunimit të demokracisë në vend", siç kanë përfunduar edhe dhjetëra kushte, para e prapakushte opozitare me kaq apo aq pika të këtyre pesë muajve të fundit. Në fakt, nuk është vështirë të konstatohet se në të gjitha llojet e raporteve, vëzhgimeve, analizave vendase dhe të huaja, në rekomandimet zyrtare dhe informale konfirmohet e vërteta e pamohueshme se Shqipëria është një vend me demokraci
funksionale; se si një vend anëtar i NATO-s, ajo duhet të përmbushë hap pas hapi detyrimet e veta, se procesi i integrimit europian është në rrugën e duhur dhe se për të marrë, për të mbajtur dhe për të konsoliduar pushtetin ka vetëm një rrugë: sigurimin e votave të qytetarëve dhe ushtrimin e pushtetit në përputhje me interesat themelore të tyre. Kryefjala e të gjitha
llojeve të rekomandimeve mbetet vazhdimi i reformave dhe rritja e
përgjegjshmërisë së klasës politike dhe mbarë shoqërisë shqiptare për përballimin e sfidave dhe të kostove të së ardhmes europiane të vendit.
Së fundi, cili është problemi i vërtetë politik apo institucional i shtetit në raportet e tij aktuale me pushtetin? Në vlerësimin tim, debati politik aktual vetëm se po errëson "pyllin prapa drurëve". Kjo mbasi rotacioni i natyrshëm dhe plotësimi i një numri postesh në disa nga institucionet më të larta të drejtësisë dhe të shtetit rrezikon që këto institucione të jenë "monokolor" për shkak të së drejtës legjitime të mazhorancës aktuale për
plotësimin e tyre me një shumicë të thjeshtë votash që ajo i ka. Për më tepër, edhe mungesa e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë mundëson emërimin lehtësisht në këto institucione të figurave pa integritetin e duhur personal dhe reputacionin e nevojshëm publik dhe profesional, si dhe thellësisht të politizuara, gjë që nuk mund të mos reflektohet në rolin e ardhshëm kushtetues të këtyre institucioneve. Më shqip, në emër të luftës së opozitës
për hapjen e kutive, që në fakt veç "balsamosjes" të zotit Rama në drejtimin absolutist të PS-së, synon njëkohësisht edhe rrënimin e imazhit publik dhe ndërkombëtar të qeverisë së zotit Berisha, janë të gjitha gjasat që të deformohet më tej edhe raporti midis shtetit dhe pushtetit në favor të këtij të fundit.
Por a ka vend për një marrëveshje pozitë-opozitë (duke e pranuar ose jo krizën politike, kjo ka pak rëndësi në kontekstin e rrethanave të sotme), pa shkuar më tej në radikalizimin e situatës nga zoti Rama? Sipas mendimit tim, do të ishte krejt ndryshe nëse opozita, e drejtuar nga zoti Rama, do të shndërronte në kauzë të saj ruajtjen e balancave të pushteteve dhe rritjen e kontrollit parlamentar mbi institucionet kushtetuese në këmbim të korrigjimit të legjitimitetit të dyshuar (deri sot vetëm politikisht) të zgjedhjeve të 28 qershorit. Kështu duke hequr dorë nga bojkoti i pakuptimtë i derisotëm e duke u rikthyer opozita në Kuvend, duke luajtur atje rolin e saj kushtetues, ajo mund të shkonte drejt një marrëveshjeje politike për frymë konsensuale në zgjedhjen apo në emërimet e radhës, edhe me kontributin e saj në postet vakante apo që do të zëvendësohen së afërmi të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, në KLD etj., të individëve të ndryshëm, d.m.th duke kapërcyer shumicën e thjeshtë të parashikuar nga ligji për këto poste. Natyrisht ndërtimi i procesit konsensual nuk mund të mos kalojë përmes pjesëmarrjes aktive të opozitës në Kuvendin e Shqipërisë, qëndrimeve të përgjegjshme politike të liderit të saj; përmes marrëveshjeve politike, publike, transparente e në interes të qytetarëve shqiptarë, jo të pasuksesshme për PS-në në periudhën kur ishte në pushtet (zgjedhja e zotit Moisiu në postin e Presidentit të Republikës në vitin 2002 etj.). Në të njëjtën rrugë mendoj se mund dhe duhet të përmirësohet edhe kuadri ligjor zgjedhor, sidomos sa i takon modifikimit të mëtejshëm të sistemit, teknikave të numërimit, etj. Nëse situata e tensionuar politike dhe mungesa e dialogut institucional pozitë-opozitë do të vazhdojë edhe në muajt që vijnë, në pritje të ndonjë gabimi apo reagimi "me fuqinë e ligjit" të zotit Berisha, reagim që mund të përkthehet edhe një provokim apo tejkalim i caqeve ligjore ndryshe "over reaction" të zotit Berisha, "në emër të stabilitetit të vendit", mendoj se proceset degraduese të nisura me ndryshimet kushtetuese të prillit 2008 do të thellohen më tej.
Ja përse thirrjet e Berishës dhe lufta deklarative e tij "kundër klaneve punisto-mafioze" tingëllon si retorikë politike tipike e tranzicionit të tejzgjatur të këtij vendi, ashtu si dhe kauza opozitare e kutive të votimit që (nuk) hapen, nuk arrin të prekë problemet aktuale të familjeve shqiptare: varfërinë në rritje, papunësinë konstante, zhvillimin e ngadalshëm ekonomik të vendit dhe integrimin e vonuar të tij në familjen europiane.

*Ish-këshilltar i Presidentit të Republikës

Rruga e forcës sjell fund të hidhur

Enton Abilekaj

Fundi i muajit regjistroi një acarim ogurzi të situatës politike në vend. Ultimatumi i opozitës u prit keq nga mazhoranca që filloi sulmet e ashpra dhe personale ndaj kryetarit të opozitës. Kulmi i sulmeve ishte angazhimi personal i Kryeministrit Berisha, i cili me një fjalim shokues në Parlament e përzuri politikën nga institucionet. Tani mes mazhorancës dhe opozitës ka një terren të hapur ku mbizotëron forca. Paralajmërimet e Kryeministrit e konfirmuan këtë. Në prag të 5 dhe 8 dhjetorit, kur pritet të organizohen mitingjet, ky acarim vetëm paralajmëron që zbritja në rrugë e politikës do të ketë për qëllim vetëm demonstrimin e forcës. Pranë mitingjeve, shumë vëzhgues do të fillojnë numërimin e njerëzve dhe entuziazmin e tyre, për të shpjeguar kështu, kush do të bëhet mbreti i rrugës, sepse përplasja e kokëfortësisë politike nuk mund të sillte veç betejën e rrugës. Ka ende 6 ditë kohë, deri të shtunën, kur përfaqësuesit e opozitës do të përpiqen të mbajnë premtimin për mitingun më të madh të të gjitha kohërave. Mbështetësit konfuzë duket se janë gati të nisin garën për të hyrë në historinë e rekordeve negative të tubimeve të luftës. Në këtë situatë kaotike zërat për tryeza dhe institucione nuk arrijnë të dëgjohen as nga ata që i nxjerrin nga goja. E sigurt është që më pak se kujtdo kjo situatë i intereson mazhorancës. Përballë një opozite që nuk pranon sugjerime nga asnjë palë vendase apo e huaj, vetëm mazhoranca mund ta kthejë politikën në institucione. Për këtë mjafton që të pranohet një hetim i plotë i zgjedhjeve ku të përfshihet edhe hapja e kutive.
Ka disa argumente kundër hapjes së kutive, të cilat bazohen kryesisht në injorimin e vendimeve gjyqësore dhe, si rrjedhim, injorim të pushtetit gjyqësor. Në argumentin juridik ka edhe opozita një nen ku mbështetet, që dy anëtarë të KQZ-së janë të mjaftueshëm për hapjen e kutive. Nëse kjo do të ndodhte që në propozimin e parë të dy anëtarëve të propozuar nga PS, do të ishin hapur kutitë në katër qarqe dhe çështja do të ishte mbyllur. Tani kërkohet më shumë dhe prapë nuk ka asnjë arsye të fortë për të kundërshtuar. Hapja e kutive dhe hetimi i zgjedhjeve, mbi të gjitha do të sjellin një transparencë që mungon prej 18 vjetësh në proceset zgjedhore.
Që nga viti 1996 asnjë proces zgjedhor në vend nuk është zhvilluar pa akuza për manipulime. Këto akuza ishin të ndërsjella edhe në vitin 2005 kur dukej që vullneti politik i qeverisë "Nano" ishte për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por edhe në vitin 2009 ku vullneti politik i qeverisë "Berisha" ishte maksimal. Shumë vëzhgues zgjedhorë fajësojnë për prishjen e procesit përfaqësues lokalë të partive, që nuk e kuptojnë rëndësinë e zgjedhjeve, por kërkojnë të përfitojnë nga rezultati i tyre. Këta janë përfaqësues politikë dhe apolitikë, të cilët e lidhin jetën me pushtetin. Këta janë gati të blejnë vota dhe komisionerë duke shtrembëruar rezultatin në disa zona.
Fenomeni i zgjedhjeve të korrikut 2005, kur ministrat e Nanos akuzonin opozitën që u kishte vjedhur votat, tregon që shkatërruesit lokalë të procesit zgjedhor nuk janë vetëm të njërës palë. Hapi i rëndësishëm që vihet re nga ndërkombëtarët është që vullneti politik është pozitiv, por ky vullnet mund të jetë shtrembëruar në disa zona dhe, pavarësisht në favor të cilës parti, autorët duhen gjetur dhe duhen ndëshkuar. Hetimi i plotë i zgjedhjeve mund të ndihmojë që të ndëshkohen autorët dhe bashkëpunëtorët e tyre që mund të jenë komisionerë apo numërues.
Precedenti që krijon hetimi i zgjedhjeve është vetëm pozitiv. Do të ishte shumë dekurajuese për komisionerët dhe shkelësit e ligjit, që në zgjedhjet e ardhshme të punonin kundër zgjedhjeve të ndershme, pasi ekziston precedenti i hetimit të zgjedhjeve dhe i ndëshkimit të autorëve.
Këto arsye janë të mjaftueshme që mazhoranca të pranojë të hapë kutitë dhe të mbështesë krijimin e një komisioni parlamentar për hetimin e zgjedhjeve.
Në kushtet e demonstrimit të forcës është e vështirë që të ketë kthim në bisedime, për të pasur një marrëveshje. Opozita duket më e prirur nga mosmarrëveshjet që të arrijë qëllimin e zgjedhjeve të parakohshme. Zgjedhjet dhe situata në vend nuk japin shumë shanse për këtë, prandaj demonstrimi i forcës dhe krijimi i një situate destabilizuese krijon vetëm premisë për izolimin e PS-së, jo vetëm nga faktori ndërkombëtar, por edhe nga shumica që kërkon stabilitet. Nëse rrugët e forcës përplasen, në fillim të dhjetorit fundi i historisë do të jetë i hidhur për të gjithë.

Mos e lini dijen vetëm

DONIKA OMARI

Shtrembërimeve, gabimeve, pasaktësive lidhur me dijen, që vërehen kudo, që nga tabelat e dyqaneve, te tabelat e institucioneve, te artikujt e shtypit të përditshëm e atij periodik, te emisionet e TV-ve, e sidomos te librat shkollorë, nuk u kundërvihet askush

Porosia e një gjuhëtari të shquar është: "Mos e lini gjuhën vetëm." Ne shqiptarët, të vetme e pa mbrojtje kemi lënë jo vetëm gjuhën, por ç'është më keq, edhe dijen.
Shtrembërimeve, gabimeve, pasaktësive lidhur me dijen, që vërehen kudo, që nga tabelat e dyqaneve (ku shkruhen në mënyrë të gabuar emra vendesh, njerëzish etj), te tabelat e institucioneve, te artikujt e shtypit të përditshëm e atij periodik, te emisionet e TV-ve (aq më tepër atyre kulturore), e sidomos te librat shkollorë, pra të gjitha këtyre gabimeve e pasaktësive nuk u kundërvihet askush.

Po sjellim një shembull të ditëve të fundit. Lexojmë në shkrimin e një gazetari se Galileu paska përfunduar në turrën e druve. Lexojmë pastaj se Gëtja paska thënë se edhe të tjerë para Galileut e dinin se toka rrotullohet por ishin të martuar e kishin fëmijë. Më tej lexojmë se në një libër të shenjtë thuhet: "Ai ndau mollën e vetme që kishte dhe me tëushqeu 2000 njerëz që i shkonin pas."

Le t'i marrim me radhë këto pohime për të parë sa të drejta janë.

Rasti i Galileut, i cili pikërisht që të mos përfundonte në turrën e druve e mohoi përfundimin e vet shkencor se toka rrotullohet, ka qenë kaq mbresëlënës gjatë historisë, saqë këtij shkencëtari të shquar i është atribuar (ndofta është edhe e vërtetë) mohimi i mohimit të thënies së tij.

Pra se "toka, megjithatë, rrotullohet" (e famshmja: E pur si
muove). Me këtë subjekt Brehti ka shkruar një dramë; në kohët tona është realizuar një film. Pra, kaq mbresë ka lënë rasti i Galileut, saqë s'ka si të ngatërrohet emri i tij me atë të Xhordano Brunos, që vërtet përfundoi në turrën e druve, sepse nuk i mohoi zbulimet e pikëpamjet e veta shkencore.

Le të vijmë te thënia e Gëtes. Si mund të bënte Gëtja një pohim të tillë kur ai e ka ditur shumë mirë që të gjithë ata shkencëtarë që mbronin idenë e rrotullimit të tokës kanë mundur jo vetëm ta shprehnin ç'mendonin, por edhe t'i bënin publike, t'i botonin studimet e tyre, duke filluar nga antikiteti me Aristarkun e Samosit, deri te Koperniku,
Kepleri e Galileu.

Që të gjithë të akuzuar nga feja (paganizmi i lashtë grek dhe krishterimi) si të pafe, dhe me pasoja kush më pak e kush më shumë të rënda. Megjithatë, as kjo thënie nuk mund të ngatërrohet me vargjet shumë të njohura të Jevtushenkos: Ai ishte më i zgjuar se Galileu / E dinte para tij se toka rrotullohet / Por ah! kishte familje!
(përkthim i lirë).

Tani vjen radha e citimit të marrë nga një libër i shenjtë. (Duhet të sqarojmë qysh në fillim se ky citim nuk sillet nga autori në ndonjë kontekst humori, alegorie a ironie). Pra, citimi është: "Ai ndau mollën e vetme që kishte dhe me të ushqeu 2000 njerëz që i shkonin pas."

Dimë se në Ungjill flitet për shtimin e bukëve, të verës e të peshqve nga Jezu Krishti. Nuk flitet gjëkund për ndonjë mollë me të cilën qenkan ushqyer një numër i caktuar (!) njerëzish. Vetëm në përralla shohim se me një bukë ushqehet një ushtri e tërë. Ndërsa në Ungjill flitet për shumëzim të një haje.

Pra s'kemi as mollë, as një mollë, as 2000 njerëz, as që i shkonin pas. Edhe me këtë mollën kemi ndofta, me sa duket, përsëri një ngatërrim: me mollën e ndaluar të Adamit e të Evës, pemë që s'arriti të ushqejë mirë as dy vetë, se për më tepër Adamit të gjorë i ngeci edhe në fyt.

Shembulli i mësipërm është një prej aq shumë shembujsh gabimesh e pasaktësish, sa njeriut vetvetiu i lind pyetja: si është e mundur të lihet kështu dija vetëm në një shtet e një shoqëri të organizuar?

Duke nisur nga maja e shtetit, nga qeveria, me ministritë e saj të kulturës e të arsimit, nga institucionet e tjera kulturore, nga mediat, por edhe nga
qytetarët e thjeshtë, si mund të rrimë të gjithë kaq moskokëçarës e mospërfillës ndaj një çështjeje kaq të ndjeshme, kaq të rëndësishme e madhore, si ç'është e drejta e qytetarëve për të marrë njohuri të sakta?

Nëse institucionet janë të pandjeshme, për t'i nxjerrë nga shtangia e tyre a nuk mund të ndikojnë miliona shqiptarë në Shqipëri, në Kosovë e në botë duke reaguar për çdo rast shkeljeje, në mënyrë që dija të ndjehet e mbrojtur?

Nëse nuk e marrim në dorë ne vetë shqiptarët ta luftojmë një dukuri që na nxin faqen, atëherë s'ka pse të qahemi po të na quajnë qytetarë të dorës së fundit.

"Besëlidhja" e gjeneralëve pa ushtarë

Hamit TAKA

Një situatë e pakuptimtë, gati absurde, po krijohet në vendin tonë për shkak të veprimeve të opozitës ekstremiste, pikërisht në momentin historik, kur dyert hijerënda të Europës po hapen me maturi për vendin tonë. Diku e kemi kaluar pragun, diku kemi hedhur vetëm njërën këmbë e diku tjetër jemi te pragu. Në këto rrethana bojkoti, protestat e sforcuara nëpër sheshe, mospjesëmarrja në zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit i shërbejnë vetëm anarkisë, amullisë shoqërore, destabilizimit të vendit, për një jetë shoqërore jo normale dhe një zhvillim demokratik jo normal. Reaksioni kundër fenomeneve pozitive kurrë nuk mund të jetë progresiv. Prandaj përballë virtytit banal, të mërzitshëm dhe të rremë të moralistëve socialistë, të vjetër apo të rinj, duhet vënë politika e qartë me argumente dhe fakte, mendimi elitar intelektual dhe media e pakondicionuar nga interesa të ngushta të individit, të krahut politik apo grupeve të caktuara të biznesit.

Kjo tablo e zymtë e veprimit opozitar pas 28 qershorit 2009, i cili do të mbahet mend si një moment historik për pluralizmin politik në Shqipëri, nuk ngarkon aspak me përgjegjësi masën e madhe të socialistëve dhe elektoratin e majtë, pasi ajo është fryt i delirit të megalomanisë, egocentrizmit, kapriçove dhe ambicieve për pushtet personal të përjetshëm të një grushti humbësish. Pushteti ka vështrimin e Meduzës, kush e ka parë një herë atë fytyrë nuk i shqiten dot më sytë prej saj. Ai mbetet i magjepsur dhe i robëruar. Kush e ka provuar qoftë edhe një herë kënaqësinë dehëse të pushtetit dhe të të urdhëruarit, nuk është më në gjendje të heqë dorë prej saj. Por, humbja e tyre ishte një vendim i pakthyeshëm i sovranit për rënien e banalitetit multipartiak të inspiruar e projektuar nga maja e piramidës parti-shtet. Në sajë të përvojës për dredhi dhe të këmbënguljes së tyre, fati shoqëroi për vite të tëra, gati si një lloj skllavi, i bindur e i përvuajtur disa "gjeneralë" të vetëgraduar, pa ushtarë ose me "frymë të vdekura". Dhe këta gjeneralë u mësuan aq shumë me elementin fat, sa që jeta pa të u duket pa kuptim. Pa pushtetin, mandatin e deputetit, pasaportat diplomatike, ecejaket jashtë vendit, prezencën mediatike, bashkëpronësinë në kompani fitimprurëse, Shqipëria s'ekziston, demokracia është ferr, populli është kope, pasi si fati ashtu edhe ata ishin jashtë çdo kuptimi.

"Eshtë e trishtueshme të plakesh, por e këndshme të piqesh", ka thënë një grua e mençur. Mirëpo ndodh e kundërta, që plakesh, por nuk piqesh, mbetesh aguridh. E kemi fjalën për pjekjen politike në klimën e re demokratike, në të cilën pleqtë e politikës nuk aklimatizohen dot. Por edhe ajo nuk i pranon ata. Nuk është puna se ata janë aguridhë dhe do të piqen me vonesë. Puna është se fruti një herë piqet, nuk mund të piqet dy herë, pas pjekjes së parë vjen kalbëzimi dhe ata janë tejpjekur në klimën e nxehtë të diktaturës. Po ashtu ka edhe në demokraci fruta të rinj, të cilët kanë qëlluar bastardë dhe nuk piqen kurrë, si "gjeneral" Veliaj i G99-ës. Prandaj mund të na ndodhë të gjykojmë në mënyrë të çuditshme, pas kaq vitesh demokraci, disa forma të dashurisë ndaj disa idealeve të vjetëruara; kjo thjesht, sepse besimi u jep formë akoma. Bile mund të themi akoma se, ndërgjegjja kolektive është lidhur me zinxhirë të ndryshkur me të kaluarën dhe, ku më shumë e ku më pak, trashëgimia e pashqitshme enveriste ndeshet në çdo hap të veprimtarisë së tyre. Dhe për karrieristët, për egoistët, që kujdesen vetëm për folenë e përfitimeve të pamerituara, jehona e të shkuarës, e së keqes, nuk thotë asgjë.

Më thjesht, problemi qëndron te ndryshimi rrënjësor i shoqërisë shqiptare, e cila në këto 20 vjet ka ndryshuar dhe ka përparuar me ritme galopante. Eshtë transformuar baza ekonomike, ka ndryshuar shumë mënyra e jetesës, si rrjedhojë kanë evoluar edhe mendimet. Situatat e reja që krijohen dhe problemet që dalin nuk mund të zgjidhen me ato kritere që kanë qenë si të shenjta deri dje. Këtë gjë s'mund ta bëjnë as profesorët dhe as shërbëtorët e zellshëm të sistemit të vjetër, pasi ata duhet të mohojnë vetveten. As pragmatistët e rinj vulgarë, të cilët njohin vetëm kultin e parasë. Nuk mund të themi, se midis të vjetërve nuk ka njerëz që kanë ecur hap pas hapi me evolucionin e shoqërisë, por këta nuk janë gjithmonë kundër rrymës dhe gjithmonë në anën e bojkotit, pavarësisht nga bindjet e tyre politike. Fjala është për ata, të cilët kanë punuar në forumet e larta të partisë dhe të shtetit totalitarist, i cili kishte humbur sensin kritik edhe për njollat më të errëta të regjimit, të velur nga privilegjet dhe përfitimet që u vinin nga pozita shoqërore, aq më tepër të ushqyer me ndjenjën elitariste, të epërsisë klasore dhe që pozita të tilla s'mund t'i sakrifikonin e t'i lëshonin pa u detyruar nga një fuqi superiore. Rolin e asaj fuqie madhore, e cila do t'i shkulte të privilegjuarit prej atyre pozitave e mori lëvizja e madhe intelektuale dhe studentore e dhjetorit të vitit '90. Kjo fuqi madhore me trurin e freskët të studentëve dhe intelektualëve më të shquar progresistë, me syrin e patrembur të rinisë, me entuziazmin e flaktë të fitores e lirisë, filloi transformimin e aparatit të shtetit, në mënyrë që t'u përgjigjej kushteve të ndryshuara të jetës ekonomike dhe sociale. Filizat e parë të një jete të re, krejt ndryshe nga ajo që ekzistonte, të cilët filluan të çelnin e të dilnin në sipërfaqen e jetës shoqërore, ishin aq të rinj dhe të huaj për psiqikën dhe mentalitetin e intelektualit të stërpërdorur nga diktatura, sa që nuk mund t'i kuptonin, t'i vlerësonin dhe aq më tepër t'i besonin.

Janë pikërisht zinxhirët e ndryshkur të shumë paragjykimeve, mentaliteteve, nostalgjive dhe interesave që e mbajnë lidhur me të kaluarën të majtën ekstreme, e cila kërkon pushtetin me çdo kusht, pavarësisht çmimit që paguan vendi dhe demokracia, njëlloj si në kohën e diktaturës, kur qëllimi final ishte mbijetesa e doktrinës dhe e kastës komuniste, pavarësisht se vendi shkonte në humnerë? A nuk përkojnë me izolimin total të regjimit komunist përpjekjet e kryetarit të PS-së dhe "besëlidhjes" së gjeneralëve të degraduar Gjinushi, Milo, Veliaj, Ngjela, Ndoka etj., që me anë të bojkotit, protestave e thirrjeve për violencë, për ta penguar në udhën e saj drejt lëvizjes së lirë dhe integrimit në Evropë me anë të anëtarësimit në BE? Askush s'mund të përgjigjet "jo". Retorika "europiane" e Ramës nëpër mitingjet elektorale dhe protestat e socialistëve, bie ndesh me kulmin e zemëratës së tij, kur bën thirrje për "shembje" më 20 nëntor dhe delirit të avokat Ngjelës, i vetëshpallur si kampion i drejtësisë, kur, në krah të Ramës, bën thirrje për violencë. Eshtë një propagandë me synime tensionuese dhe çekuilibruese si ajo para rrebelimit të '97-ës, të cilës populli i ka thënë: "97 mos ardhsh kurrë!" Dhe po ashtu siç deklaronte Fatos Nano nga tribunat e kallashëve se do t'i kthente popullit brenda 6 muajve një për një paratë e humbura në firmat paramidale, po ashtu deklaron nga maja e delirit futurologjik avokati se, për 7 ditë pas fitores së Ramës gjithë shqiptarët do të lëvizin pa viza nëpër Europë.

E frikshme është kjo situatë, kur klithmat delirante të ekstremistëve i shumëfishojnë e amplifikojnë mediat akoma në shërbim të Ramës, duke iu referuar dëshirave të supozuara të publikut. Eshtë po ajo media që çirret për dhunimin e fjalës së lirë, që, duke tejkaluar rolin e saj ndërmjetësues dhe të paanshëm dhe duke i njohur vetes në mënyrë të pamerituar të drejtën e përfaqësimit të interesit publik apo ekskluzivitetin e burimit të informacionit në shoqërinë demokratike, ndryshon e përcakton trendin e opinionit publik.

Dihet se, regjimi i diktaturës së proletariatit kishte si njësi të masave revolucionin me dhunë për marrjen e pushtetit, si njësi të individit sakrifikimin e tij për interesin e përgjithshëm. Me praktikën opozitare të tanishme, lidershipi i majtë vazhdon ta trajtojë individin si një madhësi matematike përpjestimore me shumicën, dmth me pjesëmarrjen në mitingje, në protesta dhe në revolucione masive. Sipas tyre, metoda më e fuqishme dhe më e frytshme në demokraci, për një të ardhme më të mirë është bashkimi dhe organizimi kundër qeverisjes së kundërshtarit politik, pavarësisht se si punon ai. Sipas demagogëve të majtë, duke përpunuar psikologjinë e masave, me lëvizjet masive, me thirrjet e liderit dhe jehonat në amalgamën e masës merret maksimumi i mbresës. Ndërsa puna intelektuale, bindja me anë të saj kërkon një kohë më të gjatë dhe prandaj forca, që ngjallet në një veprimtari të tillë, është më pak e dukshme. Për të përcaktuar proporcionet, duhet një farë përpjekje mendore, të cilën jo të gjithë kanë qejf dhe mundësi ta bëjnë. Sepse e majta shikon te elektorati dhe pasuesit e saj proletariatin, kurse tek e djathta kundërshtarin e saj, borgjezinë.

Gjatë e pas proçeseve demokratike shumë personalitete të politikës së vjetër mund të kenë marrë pozën e demokratit, mbase dhe me dëshirë, sipas parimit "idealet duhen për t'u pasuruar", por a mos mund të mendojmë se nga shpirti i tyre janë fshirë gjurmët e mbresave të vjetra të marra nga mjedisi, ku u rritën me përkedheli dhe u formuan me privilegje? Aq më tëpër kur kanë parë dhe shikojnë se në karriget e pushtetit demokratik ulen edhe njerëz nga shtresa e "armiqve" klasorë, ndaj të cilëve u ishte rrënjosur e ushqyer një urrejtje patologjike. Edukata lë shumë gjurmë, të cilat nuk mund të fshihen lehtë, pasi është shumë e vështirë "të flakësh tej vetes Adamin e lashtë". Nga ana tjetër, sido që të kishte ndodhur, njerëzit e majës së piramidës së parti-shtetit nuk kishin dalë pa një farë përvoje, që do t'u siguronte mbijetesën dhe në sistemin e ri. Dhe ata e shfrytëzuan me shumë efikasitet këtë përvojë, duke krijuar partitë, partizat, partiçkat, shoqatat e shumë formacione të tjera në shërbim të tyre, të cilat demokracia i pranonte në kuadrin e lirisë së individit e të grupit. Ata dolën vetë në krye të këtyre formacioneve ose nxorrën ata që do t'u shërbenin besnikërisht në të ardhmen. Duke qenë vetë në krye të këtyre formacioneve, me përvojën dhe taktikat djallëzore të tyre, ata mundën ta shtynin periudhën e tranzicionit me anë të koalicioneve dhe kacavjerrjes pas liderëve të partive të mëdha fituese. Me këtë tip politikani, i cili, për arsye demagogjike, thotë fraza të bukura për demokracinë, pluralizmin, votën e lirë, rrotacionin e pushtetit, respektimin e fituesit etj., në thelb krijojnë situata të skematizuara artificialisht, që të ngërthejë në një shtrat prokursti një realitet të ndryshëm. Natyrisht me progresin demokratik, me konsolidimin e shtetit ligjor dhe me rritjen e stadit të kulturës demokratike, taktikat e tyre do të zbeheshin dhe ata do të zhdukeshin nga skena politike, ku hynë si punëtorë të prapaskenës dhe dolën përkohësisht si aktorë të skenës. Mjaftonte vetën një ligj zgjedhor dhe një palë zgjedhje korrekte për t'i hedhur jashtë si forca të konsumuara dhe që bëheshin pengesë për demokracinë.

Mirëpo, realitetin e krijuar pas zgjedhjeve të 28 qershorit s'duan ta pranojnë "gjeneralët" e vjetër e të rinj. Ata heqin zvarrë të pacënuar mentalitetin e vjetër të monopolit të karriges, duke i konsideruar kundërshtarët armiq dhe duke aplikuar parimin "ik ti, të vij unë". Dhe për këtë e gjetën armën e fitores, krijuan "besëlidhjen" e gjeneralëve të vetmuar dhe pranuan të futen mercenarë në armatën e "Napoleonit" të tyre, gjeneralit Rama. Kështu, besëlidhësit e majtë e të djathtë po përgatiten me një retorikë të ashpër luftarake për një protestë "gjithëpërfshirëse" e "mbarëpopullore" në Sheshin "Skënderbej" më 20 nëntor. Pavarësisht se opozita radikale rreket të krijojë tension publik dhe emocione si ato të '97, pavarësisht ftesave të kryetarit të PS-së për "shëmbjen e mureve", situata është identike me atë të ngjarjes historike të Vaterlosë. Rama vetë është katandisur me një grusht ushtarë, protestuesit e tij tani numërohen me qindshe, jo më me mijshe dhe deri më 20 nëntor mund të numërohen me dhjetshe, ndonëse disa hallexhinj nga periferia do të shfrytëzojnë autobuzët falas për të kryer ndonjë punë në Tiranë. Të lodhur e kapitur nga shantazhet e kryetarit të PS-së e të Ngjelës, nga ecejaket nëpër rrugë e nëpër sheshe, nga humbja e shpresës dhe sidomos nga qëndrimi diametralisht i kundërt i ndërkombëtarëve me lidershipin opozitar, ata e kuptojnë se u kërkohet të luftojnë për lirinë, por jo të jetojnë të lirë, se energjia e "Napoleonit" dhe "gjeneralëve" të tij është energjia e dëshpërimit nga humbja e pushtetit dhe privilegjeve të tyre. Ramës, i rrethuar nga vetmia e madhe, gjeneralët e vjetër e jashtë kohe të vetëgraduar, të konsumuar e tejlodhur, i duhen thjesht si numra, si fantazma që mund të trembin ndonjë frikacak, për pak moral dhe si tellallë e borizanë, me idenë se saldojnë sadopak krisjen e madhe të anijes së tij, PS, dhe t'i japin paterica të përkohshme vetë atij. Me këtë grup pleqsh, të trishtuar nga mosha, por pa pjekjen e këndshme, zoti Rama përpiqet të kompensojë "lëvizjen për Mendiin Ndryshe", të zëvendësojë gjeneralët e rinj brenda PS, deputetët socialistë të kësaj lëvizjeje, nga më të moderuarit dhe që janë deklaruar hapur kundër vijës së ashpër, të cilët gradualisht po i shkëputen PS-së. Vetëm para pak ditësh, deputeti aktiv i Lëvizjes, Malaj, ka deklaruar se ata mendojnë ndryshe, por për interesat madhore të vendit, mund edhe të veprojnë ndryshe. Zoti Rama njeh mirë një gjë (dhe ky është lajtmotivi i psikologjisë së tij) burracakërinë e njerëzve karrieristë, servilë, hipokritë e arrivistë; ai e di se një gjest i egër e i fuqishëm prej terroristi, në shumicën e rasteve mund të zëvendësojë vetë terrorin si të tillë. Klithmat e gjeneralëve pa ushtarë për bojkotin, isoja në polifoninë e çakorduar të Ramës është një orientim dhe ide me ngjyra të theksuara populiste dhe aspak një mundësi potenciale e afishimit të vlerave politike dhe forcës elektorale të opozitës. Thënia publike para kamerave e mikrofonave e një anëtareje e Kryesisë së PS-së: "Përse të marrim pjesë në zgjedhjet lokale, kur dihet se i humbasim ato?" substancialisht është motivi real dhe që vishet me teza bojkoti, vjedhje e votës etj., si këto i gjithë këtij aksioni, që përpiqet të prezantohet si politik. Veprimet dhe vendimet e opozitës përbëjnë thjesht një mur mbrojtës të kryetarit, për ta justifikuar në aventurën e tij të radhës dhe kurrsesi një vendim politik me fuqi vepruese dhe rezonancë të gjerë. Më 20 nëntor nuk do të shndrisë dielli i Austerlicit, por errësira e thellë e Vaterlosë për "Napoleon" Ramën dhe gjeneralët, të cilët kërkojnë "identitetin e humbur".

Politika e mentalitetit të vjetruar komunist

Arben IMAMI

Kjo mazhorancë ka treguar për tre muaj rrjesht të gjithë vetëpërmbajtjen dhe moderacionin e nevojshëm ndaj një kërkese absurde, pa themel, të pambështetur në prova dhe në fakte, të pabazuar në ligj, nga kryetari i Partisë Socialiste. Vetëpërmbajtja dhe moderacioni ynë kanë qenë të nevojshme për t'i dhënë të gjithë kohën dhe mundësinë për të reflektuar për t'iu kthyer institucioneve, për t'iu kthyer ligjit, për t'iu kthyer bashkëpunimit apo edhe debatit, për ato interesa të larta të vendit që lidhen me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ky qëndrim është keqkuptuar rrënjësisht. Moderacioni, vetëpërmbajtja, ftesa është marrë për dobësi dhe në vend që sot të reflektohej në mënyrë të arsyeshme, jemi në një moment kur opozita na jep ultimatum dhe na kërcënon me përshkallëzim. Kjo është politika më e vjetëruar në Ballkan. Kjo është një vjetërsirë bizantiniste, levantine, trashëgimni e një mentaliteti të vjetëruar komunist. Kjo është një praktikë krejtësisht antieuropiane.

Zoti Rama, të mos presë edhe pesë ditë, ta bëje nesër atë që ka ndërmend të bëjë, sepse si sot edhe pas pesë ditësh, nuk mund të gjejë marrëveshje për të kapërcyer vendimet e gjykatave dhe për të shkallmuar sistemin kushtetues të këtij vendi.

Nenet 135, 136 dhe 158 të Kodit Zgjedhor janë shkruar dhe miratuar bashkarisht për t'i krijuar aktorëve në zgjedhje, Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste mundësi të barabartë që çdo provë dhe fakt do të shqyrtohet, por edhe garanci të barabarta për PD-në dhe PS-në, që pasi të mbyllet procesi zgjedhor, palët të mos mund të vazhdojnë t'i bëjnë zgjedhjet në këtë vend një agoni. Kjo ka qenë në interesin më të mirë të vendit dhe PD e PS e kanë bërë këtë qartazi, që ndërsjellazi të mos protestonin të nesërmen e zgjedhjeve. Me ç'fytyrë kërkohet sot një gjë, të cilën ke dashur ta ndalosh këdo tjetër dje!?

Problemi themelor është se ne nuk kemi një opozitë të përgjegjshme, të cilës sot t'i marrësh fjalën dhe të ta respektoj nesër. A nuk ndodhi kështu në 2007? Sjellja e opozitës pas vitit 2005 me zgjedhjet është problematike. Bojkoti ka filluar të kthehet në rregull. Zgjedhjet lokale të 2007 ishin në prag të bojkotit nga ana e opozitës, pjesëmarrja ishte meritë e moderacionit që tregoi Partia Demokratike. Parlamenti i zgjedhjeve të Qershorit 2009 u bojkotua dhe zgjedhjet e pjesshme që u zhvilluan tani, sërish u bojkotuan. Pra, nuk kemi të bëjmë me një veprim të izoluar, por me një rregull sjelljeje. Në thelb ky bojkot është mosnjohje e zgjedhjeve. Nëse do të njiheshin zgjedhjet, opozita do të ishte në Parlament dhe të gjitha veprimet do të kryheshin në kuadër të jetës parlamentare.

Nga Partia Socialiste u deklarua se, nuk ka as fakte, as prova, por veç dyshime. A mundet vallë të shkojë partia më e madhe e opozitës drejt braktisjes së Kuvendit për shkak dyshimesh, të cilat mund të vërtetohen ose mund të mos vërtetohen. Është përgjegjësi e madhe të mbash opozitën jashtë Parlamentit pa pasur arsye të forta. Kjo aventurë e Partisë Socialiste kundër interesave më të larta të vendit është e nxitur nga interesat e ngushta të kryetarit të Partisë Socialiste, të grupeve kriminale që gjallojnë pranë kryetarit të Bashkisë, që i kanë siguruar deri edhe zgjedhjet e 2003. Grupe interesi, të cilët kanë paguar për zgjedhjet në shkëmbim të përfitimeve të paligjshme dhe që sot s'kanë asnjë interes për fletët e votimit dhe kutitë, po i kërkojnë fitoren e premtuar. Qëllimi tjetër është krijimi i tensioneve, transplantimi i krizës personale dhe të lidershipit, tek partia dhe vendi, për të penguar proceset e integrimit dhe heqjen e vizave në mesin e vitit të ardhshëm, si premisa dhe shpresa e vetme për një fitore në zgjedhjet lokale.

Ka vetëm një rrugë. T'i jepet fund bojkotit, të hetohen zgjedhjet me një komision parlamentar, ku siç ka propozuar kryeministri, opozitës përveç kryetarit t'i jepet edhe shumica, dhe opozita të japë kontributin e saj konstruktivisht dhe të bëhet pjesë e fitores së heqjes së vizave. Sepse, qeveria funksionon, Parlamenti funksionon dhe këto objektiva madhorë për popullin shqiptar, përtej së majtës dhe së djathtës, do të realizohen gjithsesi vitin e ardhshëm.

Kush dhunon nënën e tij dhunon shoqërinë

Jozefina TOPALLI

Në fakt, nuk është hera e parë që ne flasim në këtë sallë për dhunën në familje, ashtu siç kam folur e biseduar me mijëra gra në takime në çdo fshat e qytet. Por më besoni, të flasësh për dhunën në familje, nuk është kurrë mjaftueshëm. Të flasësh për dhunën në familje, fatkeqësisht mbetet një çështje jetësore. Të veprosh kundër dhunës në familje është një betejë e vazhdueshme, ashtu siç është bërë pjesë e fushatave tona edhe lufta kundër kancerit.

Kjo seancë është për të gjitha ato gra që ende nuk kanë thyer murin e heshtjes dhe vuajnë mes muresh dhunën. Kjo seancë është për të gjithë ata fëmijë që përloten në dhomën e tyre kur përjetojnë dhunë në familje, psikologjike apo fizike qoftë ajo. Kjo seancë është për të gjithë ata që mund të bëjnë diçka, mësues, mjekë, policë, gjyqtarë, avokatë, gazetarë. Kjo seancë është për të gjitha ato gra që kanë folur, që kanë denoncuar dhunën, që kanë thyer heshtjen, që kanë mundur frikën, që kanë fituar betejën për lirinë e tyre dhe fëmijëve të tyre. Por mbi të gjitha, kjo seancë është për t'i thënë NDAL, atyre burrave që mendojnë se janë të plotfuqishëm mbi gratë dhe fëmijët e tyre. Është për ata burra që në fakt edhe pse mund të jenë të gjatë, janë minipersona. Është për ata burra që edhe pse mund të shfaqen ekraneve si mbrojtës të të drejtave, janë vetëm minipersona, janë dhunues të grave të tyre. Është për ata burra që edhe pse janë publikë, janë vetëm minipersona që nuk krijojnë dot kushtet për strehë familjare. Dhuna e përdorur nga këta meshkuj është shenjë e dobësisë, pasigurisë, perversitetit. Ata duan të kontrollojnë gjithçka, por në fakt nuk kontrollojnë dot as veten e tyre. Apeli im sot është të ndalojmë ata burra që përdorin dhunën!

Gjithçka nis nga familja. Imagjinoni një burrë që dhunon njerëzit e afërt të tij, e që është në krye të një bashkie dhe partie.

Ai që dhunon familjen është rrezik tashmë jo vetëm për njerëzit e tij, por është rrezik për popullin e tij. Ai që dhunon nënën e tij, dhunon edhe institucionet. Ai që dhunon këdo që ka rreth tij, ëndërron të dhunojë edhe shtetin. Ai që kërcënon dhe rreh pa mëshirë partneret e tij, do të donte po të kish gjë në dorë, të dhunonte edhe rendin kushtetues.

Kjo është universalisht e dënueshme. Këtij soj burri i tregohet vendi. Dhuna kundër grave është mizore, destruktive. Ai dhunon integritetin e nënave, grave. Ai dhunon dinjitetin njerëzor. Ai është krim kundër trupit e kundër mendjes, nderit e dinjitetit njerëzor. Ai është dhunim i të drejtave të njeriut për të cilën ne nuk mund të mbyllim një sy. Është përgjegjësi e shoqërisë për të patur tolerancën zero ndaj këtyre. Është koha që mosndëshkimi të marrë fund.

Dhuna në familje është një problem global dhe prek të gjithë: të rinj dhe të moshuar, të arsimuar apo analfabetë, të martuar apo beqarë, prek çdo kombësi. Fatkeqësisht, edhe prindërit në Shqipëri, ushtrojnë dhunë ndaj fëmijëve të tyre si masë për t'i mbrojtur ata nga veset. Por djemtë dhe vajzat pohojnë se dhuna e ushtruar nga prindërit u ndrydh mendimet dhe aftësitë krijuese dhe shkakton trauma psikike të pariparueshme. Po ashtu, gratë dhe vajzat rezultojnë se janë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje. Ka gra, të cilat dhunohen dhe mendojnë se ky është fati i tyre dhe duhet ta pranojnë. Sipas tyre, kjo sakrificë bëhet për hir të fëmijëve, për të mos shkatërruar familje, por ato nuk mendojnë që edhe fëmijët e tyre do të rriten të dhunshëm nëse ata jetojnë mes dhunës.

Kur nisa këtë fushatë sensibilizuese kundër dhunës në familje, kam marrë shumë letra. Por letrat që do të mbeten në memorien time janë letrat e dërguara nga fëmijët. Fjalët e tyre, dhimbja e tyre, por mbi të gjitha shpresa e tyre janë energjia ime për të mos e ndalur betejën kundër dhunës.

Dy janë betejat e mia që s'do ju ndahem kurrë: Beteja kundër kancerit dhe beteja kundër dhunës në familje, që është një kancer i gjithë shoqërisë.

Pas fushatave sensibilizuese të kohëve të fundit, mësova se rastet e denoncimit nga gratë e dhunuara janë shtuar. Po ky nuk duhet marrë si lajm i keq edhe pse në vetvete duket i tillë. Kjo është diçka pozitive, sepse sa më shumë të flasim, aq më shumë e luftojmë këtë të keqe të madhe të shoqërisë. Ndaj jemi edhe sot këtu, që të tregojmë se kemi vullnet të palëkundur të Parlametit e të qeverisë për të trajtuar ashtu siç duhet këtë çështje kritike sociale. Por veç debateve publike, ka edhe disa struktura që duhet të ngrenë më lart shkallën e vëmendjes ndaj këtij fenomeni. Dhe këto janë Policia dhe Gjykatat, Pushteti Vendor. Punonjësit e policisë janë të parët që përballen me viktimat e dhunës ndaj dhe kujdesi i tyre duhet të jetë maksimal. Ata duhet të vihen në alarm për çdo dhunim, sado i vogël t'u duket për momentin. Për viktimën nuk ka qenë e lehtë ardhja deri në polici. Trajtojini me zemër. Gjykatat, duhet të kenë parasysh se nëse viktimat e dhunës humbin besimin te drejtësia atëherë e kemi humbur betejën. Aplikoni dënimet e duhura për dhunuesit.

Dhuna në familje është një krim dhe duhet trajtuar si i tillë. Fitorja e betejës kundër dhunës, nuk është e nuk mund të arrihet vetëm nëpërmjet legjislacionit. Ne kemi bërë ligjin kundër dhunës në familje, ai është një ligj i mirë. Por kërkohet më shumë koordinim me të gjithë shoqërinë, sidomos me arsimin, shëndetësinë, drejtësinë, shërbimet sociale dhe median.

Prania juaj sot në këtë sallë është një shembull i shkëlqyer i asaj që është e nevojshme. Ne duhet të marrim një qëndrim proaktiv dhe gjithëpërfshirës.

Politika e hienës e mungestarit të madh Rama

Ylli XHAFERRI

Opozita socialiste po e shpërdoron forcën, mandatin dhe verdiktin e asaj pjese të sovranit popull, që e votoi me politikën e çoroditur të lidershipit të saj Rama, pa bosht dhe mungestar në institucionet e limituara nga Kushtetuta, duke e zbritur politikën në rrugë, me klakerë dhe autobusë të paguar, me thirrje antikushtetuese dhe destabilizuese, me protesta të tipit aksion me goditje të përqendruar sipas stilit sockomunist. Që opozita ka rolin e saj të padiskutueshëm në jetën zhvillimore të një vendi, kjo nuk do as mend dhe as kalem për shoqëritë pluraliste, por krejt ndryshe sillet, mendon dhe vepron kryesocialisti mandatprerë dhe mandatmarrë, Rama. Ai i ka veshur opozitës socialiste rolin e sehirxheshës, pengueses, problematikes, mohueses, nxirëses dhe llangosëses së faqes së bardhë të Shqipërisë, duke u distancuar paradoksalisht nga jeta zhvillimore në vend. Lidershipi mandatprerë dhe mandatrrëmbyer sa çel e mbyll sytë, Rama, i dha opozitës përvojën e tij të mandatprerjes, të kryetarit të ngrirë a pezulluar, por i bëri hesapet pa hanxhinë, se nuk mundej ta rimerrte mandatin për qeverisje të vendit si atë të Partisë Socialiste, pasi shqiptarët votuan ndryshimin, ritmin dhe shpejtësinë e reformave, programin e PD dhe realizimet e Qeverisë "Berisha 1" për të siguruar prosperitetin dhe mbrothësinë me Qeverinë "Berisha 2". Lidershipi opozitar duke mos patur një qëllim të konsoliduar, por duke u endur këmbëzbathur në relievin e thyer të diletantizmit politik, të zemërakut mosfitues, të pengut të lejeve të ndërtimit, të mungestarit në foltoren e Kuvendit, ku e thërriste detyra, nderi dhe morali i politikanit bashkëkohor të ishte i pranishëm, endet udhëkryqeve të rrezikshme të Shqipërisë për të bërë kundërpedalin ndaj arritjeve ambicioze të vendit të vet, arritje të çertifikuara nga ndërkombëtarët, të shijuara nga shqiptarët, por të neglizhuara nga opozitarët e inatosur. Rama, duke mbetur jashtë politikës së madhe, pasi vetëpërjashtohet në mënyrë të paarsyeshme, këtë sindrom ia thellon frika e tij për të kandiduar mandatin e deputetit, por mjaftohet e mbetet peng i mandatit të kryebashkiakut, harron, lë në rrugë, nëpërkëmb e tjetërson detyrat që Kushtetuta, statuti i partive politike moderne, morali dhe dinjiteti i politikanit të formatit të tij (nëse e ka të merituar dhe jo uzurpuar postin e kryetarit të PS) mos ta distancojë forcën politike që drejton nga arritjet e vendit të tij. Morali i Ramës me sa duket që të punojë vetëm kur është në pushtet forca politike e tij nuk ka të ardhme, opozitës nuk i mbetet shans tjetër, përveçse të përveshë mëngët, t'i bëhet krah pozitës qeverisëse, ndryshe i del kryq në rrugë ardhmërisë. Opozitat kudo në botë, përveçse janë pasuri kombëtare, janë dhe forca të fuqishme ndërtimore, këmbënguljeje drejt reformave dhe programeve alternative për vendin. Kurse lidershipi mungestar Rama, qëllimin e vetëm që i ka vënë forcës së tij, është politika e hijenës, kudo e kurdo, në çdo çast dhe moment, të bëjë mohuesin, denigruesin, personalizimin dhe individualizimin e gjithçkaje që ndodh apo pritet të ndodhë për keq në vend dhe jashtë tij, vetëm me një emër, me atë të Kryeministrit Sali Berisha. Aq qesharak është bërë shpura e tij e paktë në këtë gjueti shtrigash, sa një militanti të apasionuar mbas politikës së hiçit dhe kuturusë allaRama, kur e gjeti ashikun e gruas në shtëpi, kishte thirrur fort në oborr, as kundër gruas, as kundër ashikut, por: "Edhe këtë ma bëre, more, Sali Berisha!?" I shkreti, ishte bërë për t'i qarë hallin, ishte qorruar keqas, shihte qimen në supin e tjetrit, por nuk shquante traun në syrin e vet. Edhe për dështimet në jetën e tij personale, familjare dhe intime, fajësonte pozitën, PD dhe liderin e saj. Opozitarë të denjë për në komedi.

Kënaqësia e rrëzimit të vendit është kthyer në një akt të shëmtuar të opozitës, kjo kënaqësi po i kthehet dita-ditës në bumerang. Opinioni shqiptar sheh me trishtim këtë spektakël tragjikomik që opozita luan çdo ditë nën dirigjimin dhe regjizurën e dështuar të kryedështakut Rama. Shpura e silurave ndjellakeqe të Ramës u nis drejt tunelit të Kalimashit, kaloi nëpër një autostradë të standardeve perëndimore, nuk deshi ta shikonte, por si urithë kërkonin të gërmonin shembjet imagjinare të ndërgjegjeve të tyre të tutluara nga servilizmi ndaj liderit. Në thellësi të fytyrave të tyre të vrerosura dukej açik dëshira e egër e shembjes, e larjes me gjak të atyre kilometrave bashkuese të ekonomisë, gjakut dhe gjuhës së shqiptarëve. Ai gëzim i egër luante në sytë e tyre të mjegulluar nga etja për pushtet. Shqipëria të digjej, tuneli të shembej, nami le të bëhej, vetëm e vetëm që ato bandillasllanë të dilnin para kamerave me lot krokodili për të dëshmuar urrejtjen ndaj qeverisë së vendit të vet. Ato i gjen kudo ku serviret një lajm, pritet të ndodhë një gjë që ato e lusin me Bibël dhe Kuran në dorë. Këto kasandra të vendit të vet, nuk u zbardhet as nxihet fytyra përpara asgjëje. Grevat e studentëve që ishin thjesht të karakterit profesional, politizoheshin nga hanëmet e llakuara dhe kremuara të politikës së mohimit. Në delirin patetik të emisarëve të Ramës ndjehet dëshira për agravimin e urive deri në vdekje, që më pas hartimet e shpifura të kullonin ekreneve si lot të pistë. Arsyeja ka kaluar në mosarsye në kampin opozitar të tjetërsuar nga mungesa e pushtetit. Reformat arsimore, shtrirja e Bolonjës në Universitetet shqiptare nuk mund të bëhet me mballomat e politikës allasoj të dërgatave kryqtare të Ramës.

Lidershipi opozitar, sipas modeleve të dështuara të sekretarëve të parë të partive komuniste, që historia i nxori si leshterikë në brigjet e saj, flet, anatemon, bën ekspertin, prokurorin, filozofin, shefin e agitropit, shefin e planit dhe masovikun patrioto-patetik të tipit të diktatorit Hoxha. Kufijtë me Greqinë janë vënë në shenjestrën njolla-zezë të ekipit të Ramës, duke derdhur lot të nxehtë për shitjen e kufijve nga pozita qeverisëse. Ky historicizëm narcisti i lidershipit opozitar, na kujton shënimet historike të diktatorit Hoxha për lëvizjen e haxhiqamilizmit, i cili kërkonte ta kanalizonte historinë sipas modelit marksist, që filozofia dhe historia e individëve duhet të diktojë zhvillimet sociale e të ndryshojë shoqërinë, ekonominë dhe moralin, jo t'i ndjekë dhe interpretojë ato. Misioni i opozitës së Ramës është në kundërshtim me interesat e vendit, elektoratit dhe Shqipërisë. Rama po shpërblen sot, duke i kthyer në deputetë, ata OJQ dhe analistë gjoja të pavarur, që nuk kanë lënë letër dhe informacion pa nxirë dhe sterrosur kundër vendit të vet drejtë institucioneve euro-atlantike, vetëm e vetëm që Shqipëria të klasifikohet keqas, për t'i hapur rrugën e shtruar me hithra e trafundanë, politikës së hijenave nga lidersahipi Rama. Shembujt e këtyre kamikazëve të lirisë, demokracisë dhe përparimit për fat të keq janë sot në toplistën e shpurës së lidershipit opozitar, madje më agresivët në deklarata, në kërkimin e sebepeve për t'i kthyer në sherre. Teoria e tij e turbullimit, e trazirave dhe vrasjes së moralit të punës, nuk është tjetër veçse shprehje e krizës së individit Rama, krizë personale që ai kërkon t'ia faturojë partisë, Bashkisë së Tiranës, ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare. Misioni i Tersit të Pojanit, nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk mund të ketë të ardhme, pavarësisht se sponsorizohet me ide dhe burime ekonomike nga mungestari i madh Rama.

Leximi i deklaratave të të huajve nga siluratorët e gardhit të Ramës, është një model që kthen kokposhtë, llangos, nxin, vë në dyshim dhe errëson atë çka shfaqet në dritën e diellit. Bojënxirësit e Ramës kërkojnë gjilpërën në kashtë duke gjurmuar për gjurmë krizash, krimesh dhe manipulimesh, kur bota, KE, ODIHR, NATO, SHBA dhe FMN pohojnë të kundërtën. Ky kor korbash me krrokamën e tyre ndjellazezë, duke ngritur stuhi, kurthe, protesta dhe gjëma inekzistente në mendjet e tyre diabolike, nuk do të mundin kurrë të frenojnë ritmikën, shpejtësinë dhe reformimin e Shqipërisë drejtë shoqërisë euro-atlantike nga ku po pritet krahëhapur. Megafojnë kundër sistemit arsimor dhe shëndetësor, kur ato janë në reformim të plotë dhe në mbështetje financiare nga buxheti i shtetit si asnjëherë tjetër. Kori i çakorduar i kukuvajkave të lidershipit opozitar, arrin të kthejë mbrapsht lajmet optimiste që vijnë çdo ditë nga Evropa për afrimin e ditës së liberalizimit të vizave deri tek thirrja absurde për të mos u pajisur me karta identiteti e pasaporta biometrike. Ato mesazhe që priteshin si lajme të mira nga historia tradicionale shqiptare, mos të harrojmë Nolin e madh kur shkruante: "Jepi nënë mos ki frikë/ se ke djemtë në Amerikë", nga vreri allaRama, janë kompromentuar keqas, duke i përfolur, vrarë në besim dhe disinformim, saqë të huajt dhe bota bëjnë çudi. Opozita e Ramës duartroket, entuziazmohet dhe përlotet nga gëzimi, kur një prej të huajve jep një këshillë, tërheq vëmendjen për më mirë, apo akoma më keq për të, arrin të distancohet, përflasë dhe shpallë persona nongrata, ata të huaj që thonë të vërtetën, mbështesin apo motivojnë Qeverinë "Berisha 2", reformat e Shqipërisë dhe përparimet e saj. Të gjitha këto janë pjesë e strategjisë së dështuar ramiste që mbërrin deri te revokimi i shpirtit kryengritës për të spekuluar ndaj psikologjisë së turmave, që nuk është tjetër, veçse ringjallja e tentativave komuniste të bijve të nomenklaturës së kuqe, sipas modelit të etërve, të marrjes së pushtetit me dhunë, nëpërmjet grykës së pushkës. Lista e deputetëve të Ramës ka plot nga këta pinjollë që kanë dalë udhëkryqeve të Shqipërisë për të çoroditur njerëzit e thjeshtë me ftesat e tipit të dacibaove për protesta. Rama kërkon të bllokojë, të farkojë dhe ndryjë në anarki Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", Sheshin "Nënë Tereza" dhe jetën e metropolit që për fat të keq e shpërdoron, me protestën allazboriste antiNATO të 20 nëntorit. Sa herë që Shqipëria merr një mesazh pozitiv nga Europa, lidershipi zemërak Rama do të ngrejë stuhi, do të turfullojë dhe protestojë, do të dalë kundër rrjedhës, do të nxjerrë ekraneve fytyrëvrerosurin Ruçi, alias shefin e shtatmadhorisë së shtabit të protestës! (ç'është ky formacion ushtarak dhe përse?!) do të notojë në krizën e vet mes të cilës ndjehet në fetish. Nuk është në moralin opozitar të jetë kasneci i së keqes, pikërisht këtë mesazh kanë kuptuar një pjesë e kryesisë së PS dhe Grupit të saj parlamentar, këtë mesazh ka kuptuar populli shqiptar dhe elektorati që nuk i është përgjigjur ftesës së Ramës për protesta të stisura dhe të shpifura. Opozita duhet të marrë përgjegjësitë e veta, të ndërtojë dhe jo të shkatërrojë, të ngjallë shpresën dhe jo ta vrasë, të dimensionojë lirinë dhe jo ta shpërdorojë, të motivojë moralin e punës dhe jo deheroizimin e saj, të harmonizojë dhe jo armiqësojë. Kjo është një ftesë që nuk duhet keqpërdorur nga Rama.

Kriza është vetëm e individit Edi Rama

Genc RULI

Vija radikale që po ndjek sot Edi Rama dhe klani i ngushtë i tij, me një këmbëngulje dhe papërgjegjshmëri institucionale - e që kohët e fundit ka shfaqur shenja edhe të një papërgjegjshmërie kombëtare - ka vetëm një qëllim, të krijojë KRIZEN: Krizën politike, krizën institucionale, krizën që synon të mbërthejë nën një qerthull veprimin e kundërveprimin e institucioneve, për të sjellë në fund kolapsin e sistemit politik. Është një marrëzi politike që është eksperimentuar edhe nga të tjerë, e në të tjera vende të botës, në ato eksperienca që kanë zënë vend tashmë në faqet më të errëta të historisë së djeshme dhe të sotme.

Edi Rama, gjatë dy viteve të fundit ka qenë konsekuent në përpjekjet e tij për të realizuar skenarin e "KRIZES", duke synuar pikësëpari efektin e drejtpërdrejtë të saj, panikun social. Këtë skenar, ai filloi ta zbatojë përmes injektimit të një propagande agresive dhe të ligë, për të shkaktuar frikë e alarm mes shqiptarëve me fantazmën e krizës ekonomike, ndërkohë që realiteti tregoi se Shqipëria i përballoi me impakte e pasoja minimale efektet e dhimbshme që kjo krizë ka lënë kudo në botë.

Ky akt i parë u pasua nga një i dytë, në periudhën para-elektorale, me përpjekjet dhe kërcënimet për sabotim e bllokim të procesit zgjedhor. Edhe kjo kartë iu dogj në dorë kryetarit të PS, sepse ky proces zgjedhor rezultoi të ishte më i miri që Shqipëria ka realizuar gjatë 20 viteve të tranzicionit, duke u çertifikuar si i tillë edhe nga aktorët ndërkombëtarë.

Ndërsa sot, po shohim përpjekjet për të vënë në jetë aktin e fundit, një përpjekje ekstremizuese dhe deri perverse për të sjellë krizën politike, për të treguar mbi të gjitha në sytë e faktorit ndërkombëtar se Shqipëria dhe politika shqiptare nuk është në gjendje që të menaxhojë situatën paszgjedhore. Është një orvatje për të sjellë një bllokim total të institucioneve demokratike, pikërisht në një moment vërtetë historik, kur Shqipërisë janë duke iu hapur një nga një dritat jeshile në rrugën e saj të pakthyeshme drejt Europës.

Në sytë e gjithkujt, kjo nuk është më shumë se një kujtesë e rrugës së pashmangshme ku të çon ambicia perverse për pushtet, pasojë e pamundësisë dhe paaftësisë së liderit për të dalë nga qorrsokaku ku rrëshkiti po vetë, prej verbërisë apo megalomanisë së tij politike.

Kriza që po kërkohet me ngulm ka vetëm një emër: Ajo është krizë e individit EDI RAMA. Një krizë e parashikueshme, me një trajektore që mund ta kuptojë kushdo që ka ndjekur me mendje të ftohtë aventurën e tij politike disavjeçare, por nga ana tjetër, e papranueshme, që në momentin kur ky individ nis e përpiqet ta shndërrojë krizën e tij personale, në një aksident të rrezikshëm politik, me pasoja për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët janë futur tashmë në rrugën e mbarë të progresit dhe stabilitetit ekonomik.

Kjo krizë rëndon gjithashtu dhe mbi elektoratin që voton për Partinë Socialiste, pasi Edi Rama ka sjellë një çorientim politik të paprecedentë në jetën e kësaj force, duke i shkaktuar dëm vështirësisht të riparueshëm opozitës më të madhe në vend. Ai i rrëmbeu asaj lidershipin, në një moment hutimi, një akt që u pasua nga uzurpimi total i fuqisë së lidershipit dhe eliminimi i një pjese të mirë të udhëheqjes historike.

Në vend të figurave historike, ai klonoi pinjollë të një të kaluare, nga e cila PS-ja nuk merr aspak lavdi, apo alienë deri dje anonimë, të cilët orgazmën për pushtet që u ngjalli Rama e shitën e vazhdojnë ta shesin për devotshmëri për kauzën e madhe të reformimit dhe modernizimit të PS-së historike. Në gjithë këtë operacion politik, Edi Rama po e shndërron PS-në në një hibrid gjinor të papërcaktuar, një eksperiment të hermafrodizmit në politikë. Demonstrimi më i qartë i kësaj është mbushja e podiumeve të protestave me një listë oratorësh që s'mund të ngjallë veç pesimizëm, një recetë e pagabueshme për dështim.

Kriza është vetëm e Edi Ramës dhe jo e Shqipërisë, as e sistemit politik dhe institucioneve demokratike të saj, pasi është Rama që nuk mund të njohë rezultatin e pakontestueshëm e të çertifikuar të zgjedhjeve të 28 qershorit. Për ne të tjerët është e kollajtë t'i kuptojmë arsyet e tij: E para, ai e di mirë që herët a vonë do të përballet me kontestimin e pushtetit që ka uzurpuar brenda PS-së, do të ndeshë në kundërvënien e shumë zërave dhe grupeve brenda saj, të cilët kanë gjakftohtësinë për të përballuar humbjen e një beteje elektorale dhe urtësinë e gjykimin e kthjellët për të qenë aktivë në procesin demokratik institucional.

Së dyti, ai ndodhet nën presionin e detyrimit robërues ndaj klanit apo klaneve oligarko-mafioze që, pasi e sollën "në jetë" si krijesë politike, e rritën, mbështetën dhe fuqizuan deri sot, por duke i vënë kushtin fatal, që të merrte pushtetin politik për ta. Dhe në fakt, Edi Rama qëndron sot si në një "sandwitch", mes dy ultimatumeve. I dukshëm është ultimatumi që Rama u vë sot institucioneve demokratike nga tribunat e mitingjeve, ndërsa tjetri, i padukshmi, është ultimatumi që i kanë vënë atij vetë klanet e errët që e mbështesin.

Të dy këto ultimatume janë jo vetëm antidemokratikë, por edhe antikombëtarë. Sepse nuk mund të robërohet dhe mbahet peng vullneti i një force politike nga një klan jopolitik, sado i fuqishëm qoftë ai. Nuk mund të mbahet peng, e madje të rrezikohet në momentin më kulmor ecuria e integrimit, nga interesat paranojake të një individi.

Edi Rama dhe zgjatimet e tij përdorin sot figura alegorike të revolucioneve "të kadifejtë" apo "portokalli", ndërkohë që ndonëse nuk e artikulojnë publikisht, në skutat më të errëta të mendjeve të tyre ata projektojnë modelin e Revolucionit bolshevik të Tetorit. Shumë shpejt do të shohim se e gjitha është veç një stuhi në një gotë ujë.

Me fjalën dhe veprimin tonë politik, më shumë se sa thjeshtë të denoncojmë ekstremizmin dhe papërgjegjshmërinë e "Rama Holding" (pasi sot nuk përballemi me PS, por me këtë grupim), ne duhet që të shprehim vendosmërinë tonë për të garantuar ecjen e sigurt dhe pa ndërprerje dramatike të Shqipërisë në procesin e integrimit europian. Ne të gjithë duhet të përqendrohemi për të fituar sfidat e vështira dhe, tashmë aspak të pamundura, të liberalizimit të vizave për shqiptarët, të fitimit të statusit të vendit kandidat për në BE, si dhe të realizojmë programet e mëdha dhe ambiciozë që qeveria ka shpalosur para shqiptarëve.

Këtë kërkojnë shqiptarët dhe ne duhet t'u japim atyre sigurinë dhe bindjen se proceset më të rëndësishëm historikë që kemi përpara nesh nuk do të ndërpriten apo rrënohen nga varianti më i fundit i aventurizmit politik. Jemi të gjithë të vetëdijshëm se një Shqipëri pa viza, një Shqipëri që e njehson legjislacionin e saj antikrim me atë të vendeve të Bashkimit Europian, nuk është Shqipëria që do Edi Rama dhe klani që e mbështet atë.

Ne, si politikanë dhe përfaqësues të mandatuar të vullnetit të popullit, kemi përgjegjësinë për mbajtjen gjallë dhe realizimin e kësaj ëndrre, kemi përgjegjësinë për ruajtjen e sistemit demokratik dhe institucioneve demokratike. Por, është po kaq e vërtetë se, garancia për funksionimin normal të institucioneve shtetërorë buron edhe nga urtësia dhe përgjegjshmëria e çdo individi dhe qytetari të këtij vendi, nga të gjithë ata që, kur votojnë për politikën, kanë votuar në radhë të parë për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre, qofshin këta të majtë apo të djathtë.

Fundi i modelit ekonomik të tranzicionit

ADRIAN CIVICI

Bashkë me vitin 2009 duket se po shkojmë edhe drejt “mbylljes” së një cikli të rëndësishëm pothuajse 20 vjeçar të tranzicionit. Kemi folur e jemi përpjekur shumë për vendosjen dhe performancën e ekonomisë së tregut në Shqipëri, kemi zbatuar me rigorozitet recetat e FMN-së dhe Bankës Botërore për privatizimin e ekonomisë dhe hapjen e saj, jemi treguar maksimalisht ortodoksë në çështjen e ruajtjes së ekuilibrave makroekonomikë, jemi fokusuar pothuajse plotësisht te rritja ekonomike si treguesi i vetëm i suksesit e performancës së politikave ekonomike e qeverisjes. Pra, me fjalë të tjera, kemi ndërtuar një model ekonomik të tranzicionit, një profil të vetë ekonomisë shqiptare që me të mirat dhe defektet e tij u bë “lokomotiva” që na tërhoqi deri në fund të dekadës së dytë të këtij tranzicioni radikal “nga plani tek tregu”.
Por, duket se kohës dhe përmbajtjes së këtij modeli po i vjen fundi, në kuptimin që shumë nga elementët dhe energjitë e tij duket se e arritën maksimumin e tyre dhe tashmë rezultojnë të ezauruara për një periudhë tjetër 10 ose 20 vjeçare në të ardhmen. Kriza aktuale ekonomiko-financiare globale më shumë se sa ndikimi direkt i saj në ekonominë apo financat shqiptare, na evidentoi dhe disa probleme kardinale: sa e qëndrueshme është rritja jonë ekonomike ? A kemi modelin e përshtatshëm ekonomik për të garantuar ritmet e kësaj rritjeje në vitet që vijnë? A kemi një ekonomi të strukturuar me të cilën mund të shkojmë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm afat-gjatë? Duke supozuar se efektet direkte e indirekte të krizës ekonomiko-financiare ndërkombëtare janë një ose dy vjeçare, dhe pastaj ne duhet të përballemi « me normalitetin », vlerësohet se pikërisht këtu qëndron problemi ynë më serioz. Vërtet që në 2009 dhe 2010 ekonomia shqiptare mund të ketë një rritje ekonomike më të ulët se trendi disa-vjeçar i saj, dhe kjo është « e justifikueshme » si pasojë e krizës globale, pikëpyetjet e mëdha duket se fillojnë pikërisht pas kësaj periudhe.
Garantimi i rritjes së qëndrueshme nënkupton faktin se sa do të jemi ne në gjendje që të gjejmë e identifikojmë “burime të reja që ushqejnë rritjen ekonomike” apo dhe « zëvendësuesit » e disa prej burimeve aktuale të rritjes që në periudha afat-shkurtër e afat-mesme pritet të kontribuojnë shumë më pak se deri tani. Si do ta eliminojmë apo ngushtojmë deficitin e lartë tregtar dhe atë të pagesave? Si do ta ristrukturojmë hapësirën rurale shqiptare ku mbizotërojnë mini-fermat bujqësore?, Si do ta zhvillojmë, ristrukturojmë e modernizojmë biznesin shqiptar që akoma reflekton mjaft elementë arkaikë e informalë? Cilat janë politikat më të mira strukturore që na konvergojnë me ekonominë evropiane ku synojmë të integrohemi? Cilët do jenë sektorët që do përbëjnë « motorrin » e ekonomisë shqiptare në vitet në vazhdim?, Turizmi?, Bujqësia dhe agro-industria?, Energjia? Industria?, Infrastruktura?, Arsimi? Ekonomia e dijes?, Shërbimet?, Zhvillimi i biznesit të vogël e të mesëm?, etj. Duket se ka ardhur plotësisht koha që të jemi sa më të qartë në objektivat themelore të zhvillimit dhe modelit të rritjes për 10-20 vitet në vazhdim. Këtë mangësi e bën akoma më të rëndë edhe fakti se forcat kryesore politike janë në antagonizëm të vazhdueshëm ndërmjet tyre, antagonizëm që shprehet në qëndrimet mohuese të çdo arritjeje ekonomike reciproke dhe neglizhenca e dukshme ndaj konceptit të një « strategjie kombëtare të zhvillimit » të përgatitur me konsensusin maksimal politik e shkencor të nevojshëm dhe e respektuar nga të dyja palët.
Ndodhemi në një moment thelbësor për të diskutuar e precizuar një koncept e një politikë të qartë për modelin e rritjes ekonomike dhe faktorët esencialë të saj. Mbyllja e “periudhës 19-20 vjeçare të tranzicionit” si dhe kriza aktuale ekonomiko-financiare na ka vënë përballë një fakti të pakundërshtueshëm. Modeli i deritashëm garantues i rritjes ekonomike në Shqipëri i mbështetur kryesisht në të ardhurat nga emigracioni që në disa vite kanë qenë edhe më të larta se 1 miliard euro në vit, donacionet e shumta si vend i varfër dhe në zhvillim që kemi përfituar me shumicë, kreditë e buta dhe ndihmën e huaj që kanë qenë një arterie e rëndësishme që furnizonte rregullisht ekonominë tonë, privatizimet masive që i kanë krijuar buxheteve tona luksin e të qenit në ekuilibër dhe me deficit minimal, vetëpunësimi kryesisht bujqësor, “boom” 15 vjeçar i sektorit të ndërtimit, shkarkimi i papunësisë nëpërmjet emigracionit drejt Greqisë apo Italisë, “rekomandimet detyruese” të FMN-së, etj., duket se po shkon drejt tezaurimit total ose të pjesshëm. Edhe politikat 18 vjeçare me prioritet absolut për “ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë” duke krijuar kështu mundësi për rritjen ekonomike duket se nuk mund të jenë më të vetme. Ka ardhur koha të bëjmë politika më të strukturuara, të mirë adresuara e të gjera për nxitjen maksimale të rritjes ekonomike, për garantimin faktorial të qëndrueshmërisë së saj.
Rritja ekonomike për një vend si Shqipëria mund të nxitet në tre mënyra : nëpërmjet borxheve dhe kredive nga jashtë; nëpërmjet eksporteve të lëndëve të para dhe disa produkteve të gatshme; nëpërmjet ristrukturimit ekonomik, diversifikimit të produkteve dhe adoptimit masiv të teknologjive të reja. Dy mënyrat e para gjykohet se janë më të lartë risku dhe jo shumë të qëndrueshme” në raport me të tretën. Ta mbështesësh rritjen pothuajse vetëm tek investimet apo kreditë e huaja, gjë që ne na pëlqen ta përmendim shpesh si “kulmin e suksesit të çdo qeverie” do të thotë të ushqesh iluzionin e një jetese dhe zhvillimi përtej mundësive të tua konkrete, do të thotë të jesh i varur shumë nga flukset, “devijimet” dhe “kapricot” e shpeshta të tregjeve financiare ndërkombëtare, do të thotë të prodhosh një rritje ekonomike jo shumë reale të mbështetur në monedha të fuqishme e të mbivlerësuara të cilat sintetizojnë një strukturë ekonomike e konsumi larg realitetit tonë. Edhe rritja ekonomike e bazuar ekskluzivisht tek lëndët e para dhe eksporti i tyre apo “eksporti i punës” kur është fjala për sektorin me fason vlerësohet si jo e qëndrueshme në periudha afat-mesme, sidomos për shkak të fluaktuacioneve të mëdha të çmimeve të tyre në tregjet ndërkombëtare. Kriza e tanishme që preku rëndë sektorin e industrisë minerare, eksportet me fason,etj., është një dëshmi më shumë e këtij konkluzioni. Ndërkohë, mënyra e tretë, që sipas shumë shembujve pozitivë në mjaft vende të botës, ka prodhuar një rritje konstante afat-gjatë është “promovimi i produkteve të përpunuara dhe ofrimi i shërbimeve moderne”. Duke parë zgjerimin e tregjeve ndërkombëtare dhe kërkesës për produkte të përpunuara si dhe efektet pozitive që ato japin në rritjen e punësimit të brendshëm, nga shumë qendra e institucione të specializuara duhet që vendet si Shqipëria të bëjnë politika specifike rritjeje ekonomike me këtë fokus.
Duke qenë se ne duam të nxisim rritjen ekonomike afatgjatë duhet të mos mbetemi vetëm tek “politikat fondamentale” të programeve të axhustimeve strukturore si p.sh., stabiliteti makroekonomik, thellimi i privatizimeve, hapja e liberalizimi ekonomik, por të fokusohemi maksimalisht drejt politikave prodhuese e sidomos politikave energjetike, industriale dhe agrare, të jemi të kujdesshëm me stabilitetin financiar, të jemi maksimalisht të prirur për futjen masive të teknologjive të reja në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe biznesit tonë, të kemi realisht në fokus zgjerimin e kapitalit human dhe përfshirjen sa më të gjerë të popullsisë aktive e territorit në “kontributin dhe përfitimet nga rritja ekonomike. Rritja ekonomike që ekziston në një terren ekonomiko-financiar të dominuar nga deficiti i bilancit të pagesave, deficiti shumë i konsiderueshëm tregtar, treg ushqimor i varur dukshëm nga importet, nxitja subjektive e kërkesës së brendshme, mospërfshirja e gjerë e grupeve të ndryshme sociale dhe tërësisë territoriale në kontributin e përfitimet nga rritja, etj., nuk vlerësohet si rritje ekonomike e qëndrueshme dhe efiçente.
Kolona vertebrale e këtij ndryshimi duhet të jetë biznesi privat, ristrukturimi dhe modernizimi i tij. Por, ky objektiv duket shumë larg arritjes së tij po të kemi parasysh gjendjen aktuale të tij. Është e vërtetë që ne kemi bërë e vazhdojmë të bëjmë shumë politika favorizuese “për përmirësimin e klimës së biznesit” apo “lehtësimin e presionit fiskal ndaj tij”, por vetëm kaq duket se nuk mjafton. Ajo që është shqetësuese është “cilësia” e këtij biznesi, është brishtësia dhe në mjaft raste “amatorizmi” i tij. Mjafton ti referohemi disa prej indekseve më të rëndësishëm ndërkombëtarë për ta sintetizuar këtë tablo. Kështu për shembull, sipas “Indeksit të konkurueshmërisë globale 2009” që publikohet nga Forumi Ekonomik Botëror kur është fjala për “shpenzimet për kërkim-zhvillim nga ana e biznesit” jemi renditur të 126 nga 133 vende të marra në studim. Po kaq problematike duhet gjendja edhe po ti referohemi treguesit tjetër të “sofistikimit të biznesit”, tregues që krijon garancinë për zhvillim apo shpreh dobësitë e bizneseve në një vend. Jemi në vend të fundit në botë në treguesin “bashkëpunimi biznese-universitete”, ndërkohë që në elementin “zhvillimi i klasterave” rezultojmë të 130, tek “sasia dhe cilësia e ofertës lokale”, pra e prodhimit të brendshëm për të cilin flasim kaq shumë se duhet ta mbështesim me politika e masa konkrete, rezultojmë në vend të 110 dhe 116. Këtu mund të shtojmë dhe elementin e “përshtatjes me teknologjitë e reja” në të cilin jemi në vend të 105-të. Në këtë sens shkon dhe publikimi i fundit nga ana e Bankës Botërore i indeksit mbi ekonominë e dijes. Jemi klasifikuar në vendin e 93 nga 135 vende të botës duke rezultuar mbrapa Paraguait, Kubës, Ishujve Fixhi, Mongolisë, Xhamajkës, etj., si dhe të fundit në Ballkan larg Serbisë që është e 53, Maqedonisë që është e 58-ta. Është e qartë se edhe ky indeks i rëndësishëm na evidenton edhe njëherë situatën shqetësuese të cilësisë së ekonomisë shqiptare dhe dobësive strukturore të faktorëve të rritjes ekonomike.