Download this Blogger Template by Clicking Here!

Widgets

Korrupsioni dhe dhuna ndaj gruas

Blendi Kajsiu

Flitet shpesh por pak për dhunën ndaj gruas në shoqërinë tonë. Në shumicën e rasteve denoncohet mediatikisht ndonjë rast ekstrem, që fatkeqësisht përfaqëson një dhunë të kudondodhur ndaj gruas në shoqërinë tonë. Ndonjëherë prononcohen edhe politikanë të lartë si kryeministri, që denoncojnë dhunën ndaj gruas dhe propozojnë ligje më të ashpra për dënimin e agresorëve. Këto janë prononcime që duhen përshëndetur dhe mbështetur, por ato janë të pamjaftueshme, për dy arsye. Së pari, prononcime të tilla janë të rralla dhe jo sistematike. Së dyti, zgjidhjet që ato ofrojnë janë tepër të pjesshme dhe nuk i përgjigjen nevojave të grave të dhunuara. Le t’i shikojmë më konkretisht të dy këto aspekte.
Së pari, prononcimet kundër dhunës ndaj grave bëhen ose në raste kur ’nuk mban më kupa’, pra kur media paraqet ndonjë rast ekstrem të dhunimit të femrës, ose kur zhvillohet ndonjë aktivitet nga ndonjë OJQ për mbrojtjen e grave. Në rastin e dytë kemi të bëjmë me prononcime sa për të larë gojën dhe për t’i bërë qejfin OJQ-së përkatëse dhe donatorëve që e financojnë. Ama pavarësisht këtyre prononcimeve, lufta kundër dhunës ndaj grave nuk është aspak prioritet. Është e vërtetë që shpesh janë propozuar ligje dhe ndryshime legjislative, por rrallë dëgjojmë për institucione konkrete shtetërore që luftojnë dhunën ndaj grave. Sot në Shqipëri shumë më prioritare është lufta kundër korrupsionit dhe mafies sesa lufta kundër dhunës ndaj grave. Por duke e lënë korrupsionin mënjanë, sepse një zot e di se çfarë është e vështirë të besosh nëse është mafia më problem për shoqërinë shqiptare apo dhuna ndaj grave. Sot në Shqipëri gratë që vuajnë dhunën janë me dhjetëra – mijëra kudo në vend. Pa përmendur ato që trafikohen, përdhunohen dhe skllavërohen për qëllime fitimi. Në këto kushte duket se prioritetet e shtetit dhe ato të shoqërisë nuk përputhen aspak. Teksa kemi institucione që financohen për të luftuar korrupsionin dhe mafien. Teksa kemi parë pafund fushata anti-korrupsion, nuk kemi ende ndonjë institucion konkret apo fushatë kombëtare shtetërore kundër dhunës ndaj grave.
Së dyti, edhe kur ofrohen zgjidhje, ato mbeten në nivelin legjislativ dhe penalizues. A thua se po u aprovua ndonjë ligj, apo po u rrit penaliteti ndaj dhunuesve realisht dhuna ndaj grave do bjerë. Ama një qasje e tillë nuk i përgjigjet probleme të grave të dhunuara. Fushata kundër dhunës ndaj gruas duhet që së pari t’i ofrojë zgjidhje dhe ndihmesë grave të dhunuara, përpara sesa të mendojë për penalizimin e dhunuesve. Më konkretisht, përveç masave legjislative duhen marrë masa konkrete buxhetore, për ngritjen e qendrave strehimore, ku të vendosen gratë e dhunuara, apo që rrezikohen të dhunohen. Me mijëra gra e durojnë dhunën sot sepse nuk kanë ku të shkojnë. Pra kemi të bëjmë me një problem thellësisht ekonomik dhe jo vetëm legjislativ. Si i tillë ai kërkon zgjidhje konkrete buxhetore në ndërtimin e strehëve, ku të dërgohen gratë e dhunuara. Pa folur për rritjen e numrit të policeve femra në organet e rendit, që mund t’i përkushtohen ndalimit të dhunës kundër grave. Pasi e dimë të gjithë shumë mirë se në shumë raste është vetë policia, një institucion thellësisht mashkullor, që nuk i merr seriozisht denoncimet e grave të dhunuara. Vendosja e policeve femra mund të jetë një hap konkret që lehtëson denoncimin e dhunës nga gratë duke e marrë atë seriozisht.
Fatkeqësisht skena jonë publike, politike dhe shtetërore, është e mbytur nga meshkujt, për të cilët dhuna ndaj grave nuk është aspak një shqetësim real, sepse në fund të fundit nuk është diçka që i prek ata. Dhe sot ata që flasin në skenën publike, qofshin politikanë apo gazetarë, flasim më shumë për halle individuale sesa shoqërore. Për momentin një dorë meshkujsh që flet shpesh në televizor dhe gazeta e ka hallin më shumë të pozicionohet në duelin Rama – Berisha, rreth debatit shterpë ’të hapen apo të mos hapen kutitë’. Vetë Rama dhe Berisha më shumë sesa tek dhuna ndaj grave e kanë hallin si e si të dhunojnë sa më shumë njëri–tjetrin. Qeveria aktuale herë pas here lan gojën nëpërmjet kryeministrit që deklaron, me të drejtë, se na mungojnë ligjet për të luftuar dhunën ndaj grave. Ndërsa qëndrimi i opozitës për këtë problem kaq themelor duket se përmblidhet te daljet publike të disa prej grave më të spikatura të PS-së, por që shpesh më shumë sesa gratë mbrojnë liderin e opozitës nga dhuna verbale e kryeministrit.
Në kushte të tilla, një fushatë serioze kundër dhunës ndaj grave bëhet e vështirë pasi ajo nuk përkon me prioritet e faktorëve mashkullorë në skenën tonë politike. Megjithatë është e mundur që të bëhen kërkesa konkrete, si nga gratë brenda partive edhe nga shoqatat e grave jashtë tyre, për rritjen e zërave në buxhet që i dedikohen reduktimit të dhunës ndaj grave, apo për rritjen e numrit të policeve femra. Përndryshe dhuna ndaj grave do luftohet vetëm me fjalë boshe dhe me më shumë ligje që nuk kanë shans të zbatohen.

SHARE THIS POST   

  • Facebook
  • Twitter
  • Myspace
  • Google Buzz
  • Reddit
  • Stumnleupon
  • Delicious
  • Digg
  • Technorati
Author: Mohammad
Mohammad is the founder of STC Network which offers Web Services and Online Business Solutions to clients around the globe. Read More →