A i shpëton liberalizimi i vizave shqiptarët?!

Nga Sadedin Çeliku

Ditët e fundit po bëhet një propagandë e pashoqe për liberalizimin e vizave, a thua se, nëse do të bëhet, shpëtojnë gjithë shqiptarët nga hallet e shumta që ata kanë. Qeveria e dalë pas zgjedhjeve të diskutueshme të 28 qershorit nuk po merret me asnjë punë tjetër, por me zhvendosjen e vëmendjes të opinionit publik.
Natyrisht, integrimi është i rëndësishëm, jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë Ballkanin. Pa integrim, nuk ka zhvillim, paqe e stabilitet. Është e pahijshme që kjo të na serviret si mirëqenie, reduktim i varfërisë, punësim, eliminim i plagëve sociale etj.
Shqipëria, qeveria aktuale, por jo vetëm kjo, janë përpjekur t’i mbushin mendjen popullit se janë shumë punëtorë, se kanë bërë zgjedhjet e duhura, se lodhen shumë për popullin e tyre, ndaj kanë rendur të aderojnë në organizata, konventa e shumë organizma të tjerë evropianë e më gjerë. Për rrjedhojë ka ndodhur që ne kemi aderuar dhe në organizma të panevojshëm dhe pa qenë të detyruar të anëtarësohemi. Nuk po ndalem në dhjetëra organizata e konventa që kemi aderuar, por në organizatat kryesore siç është ajo e OBT (Organizata Botërore e Tregtisë), e cila Shqipërisë nuk i ka vlejtur fare. Si ky rast janë shumë dhe qeveria na i servir si shpëtimin e shqiptarëve. Vetëm nga anëtarësimi në këta organizma shteti shqiptar paguan një faturë që shkon miliona euro, në vend që të shkojnë për ndihmë ekonomike, për medikamentet e spitaleve që pacientët i blejnë vetë etj.
Muaji nëntor, që sapo u mbyll, kaloi me probleme dhe shumë zhurmë, ofeza, sharje, ofendime, të cilat nuk i shërbyen askujt dhe për asgjë. Në disa raste ato ishin të ekzagjeruara e të turpshme. E veçanta e këtyre ka qenë gjuha e kërcënimeve dhe lëvizja fort e krahut të djathtë. Kjo u pa sidomos nga z. Berisha dhe Topalli. Tashmë, meqenëse nuk ka punë, e gjithë qeveria është vënë në shërbim, jo të integrimit, por për të bindur faktorin ndërkombëtar se zgjedhjet kanë qenë të ndershme e të drejta, kanë qenë “më të mirat e të gjithë kohërave etj.”.
Nuk është vetëm qeveria, por tani ka filluar gjithë grupi parlamentar i deligjitimuar të shajë kush e kush më shumë, në mënyrë që të marrin bekimin e kryetarit të madh, të Këshillit të Ministrave e të Partisë Demokratike.
Mazhoranca duhet të kuptojë njëherë e mirë se heqja e vizave nuk i shpëton shqiptarët. Ata që e kanë të domosdoshme, mund dhe të lëvizin lirisht pa qenë nevoja për ato që na servirni ju. Problemi kryesor është situata që keni krijuar ju në pushtet, që doni ta mbani me çdo kusht. Mos bëni sikur nuk ka ndodhur gjë ose ato që kanë ndodhur këtu nuk ndodhin në asnjë vend të globit, disa prej të cilave po i rendisim më poshtë:
- Vdesin 27 njerëz të pafajshëm në Gërdec, dhe fajin nuk e ka qeveria, por vetë ata.
- Vdesin 16 njerëz të pafajshëm në minierën e Bulqizës dhe fajin e kanë ata që vdiqën, asnjë përgjegjësi.
- Vdesin 7 njerëz në liqenin e Butrintit dhe askush nuk ka faj.
- Sulmohen prokurorë të Përgjithshëm njëri pas tjetrit dhe fajin e kanë vetë ata.
- Sulmohen gazetarë dhe gazeta për t’u mbyllur gojën dhe trajtohen si incidente të veçuara.
- Rritet papunësia, varfëria, krimi i organizuar, trafiqet, informaliteti dhe përsëri fajin e ka populli.
- Rritet borxhi i jashtëm dhe borxhi publik dhe fajin e kemi ne.
- Organizohen zgjedhje të dyshimta, dhe me mjaft probleme, përsëri fajin e kanë ata qindra-mijëra, që dalin në shesh dhe kërkojnë të drejtën e tyre.
- Bëhet privatizime të dyshimta dhe orientimi i gabuar i ekonomisë dhe nuk ka faj qeveria, por ne.
Kështu mund të vazhdojmë gjatë dhe pa mbarim. Situata e krijuar nuk përbën problem për qeverinë, se ajo i ka punët në rregull, por këtë faturë e mban populli që më kot shpreson.
Tashmë ka ardhur koha që mazhoranca dhe lideri saj të reagojnë, jo me të shara, se askush nuk fiton, por të bëjnë vlerësimin dhe rivlerësimin e situatës dhe në funksion të saj të ofrojnë zgjidhje, të cilat me të drejtë i presin të gjithë.
Çdo vonesë në këtë drejtim ka kosto të lartë, që askush nuk do të mund ta paguajë.