Download this Blogger Template by Clicking Here!

Widgets

Gruaja në politikë...ftesë për ndryshime

Evis QAJA

Fillimisht, do të thellohem tek fjala "politikë", e cila ka një kuptim të ndryshëm nëse i referohemi eksperiencave të vetë femrave të krahasuara me meshkujt.

Po, mbështes dhe besoj se që prej momentit ku shoqëria jonë akoma vazhdon dhe mbështet dallimin e fatit të njeriut në "mashkullor" që nënkupton një destin social, të pushtetshëm, me fatin "femëror" që nënkupton një destin riprodhues, por larg prej pushtetit dhe udhëheqjes të një shoqërie të organizuar, është e vetkuptueshme konceptimi i ndryshëm i nocionit "politikë".

Shkruaj për politikë dhe mendoj si grua fjalë si: liria, barazia, paqja, katarsis; dhe sigurisht jo politizim, shovinizëm, nacionalizëm ...

Gruaja - në sytë e antikitetit ...

Nëse do të bëjmë një vështrim të shkurtër që nga Homeri deri tek Aleksandri i Madh, nuk do të gjejmë kurrkund në historinë botërore një refuzim kaq të vazhdueshëm të figurës së gruas.

"Nuk ekziston në tokë qenie më të tmerrshme, më të paturpshme se gruaja", thotë Homeri tek Odisea.

Ndërsa Diogjeni, duke vështruar një grua të varur në një ulli, citon "Sikur të kishin të gjitha pemët të tilla fruta".

Isiodi (poeti i dytë i antikitetit pas Homerit) thotë se, dhuratat kryesore që bëri Afërdita tek gruaja është e folura e shumtë (llafazanllëku), keqdashja e buzëqeshjes dhe djallëzitë ... "Asnjëherë mos lejo të të marrë mendjen një grua, as përkëdhelitë e saj, që me ato të të mbështjellë kërkon..." Sipas Isiodit, duke marrë argument Pandorën, gruaja është fatkeqësi, një fatkeqësi e bukur, një kurth i përcaktuar mirë që bien brenda shumë njerëz.

Akoma dhe Hipokrati thotë se, gruaja ka nevojë për ndihmës, sepse nga natyra brenda saj ka dhimbje, dhe nuk rritet si pemët çdo ditë ...

Në librin e saj "Perikliu" Mari Delkur (Paris, 1939) thekson se, "Askush nuk do të akuzonte Perikliun nëse kishte marrëdhënie seksuale me meshkuj apo keqtrajtonte gruan e tij. Por bota e konceptoi skandal faktin që ai e shikonte Aspasinë si një qenie njerëzore, që e kishte në dhomën e tij, dhe jo në bodrumet, dhe si të mos mjaftonin të gjitha këto priste nga miqtë e tij që e vizitonin të sillnin me vete gratë e tyre. (Patriarku, Ernest Borneman)

Në fakt të vazhdosh të ecësh në raftet me pluhur të Historisë kërkon guxim dhe ne kemi kohë që nuk kemi frikë nga e vërteta.

Për të ndryshuar stereotipat dhe politikat diskriminuese

Shembulli i mësipërm tregon qartë se, diskriminimi dhe steriotipat lidhur me figurën e gruas janë mjaft të hershëm. Pozicioni i gruas është një nga temat që shqetëson për dekada shoqërinë botërore në përgjithësi (Komisioni për Statusin e Gruas - Commission on the Status of Women) si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Inter-American Commission of Women). Një nga shqetësimet është mungesa e gruas nga sferat e vendimmarrjes, një shfaqje e dukshme e pabarazisë. Qysh prej 1975-ës, në Konferencën Botërore Ndërkombëtare të Gruas, u theksua se pjesëmarrja në politikë është një nga çelësat në bashkëveprimin integrues dhe zhvillues të vetë gruas dhe shoqërisë në tërësi.

Në bazë të një analize të hollësishme u "zbulua" se sa e vështirë ishte prezantimi dhe pjesëmarrja e gruas në vendimmarrje, në jetën politike të vendit, duke u kthyer kështu për të gjithë si një qëllim strategjik. U propozuan masa të ndryshme për këtë arsye si dhe u vu në dispozicion që takimet e mëvonshme të Shteteve të Bashkuara do të kishin si qëllim kryesor realizimin e kësaj strategjie të përbashkët. Disa nga masat ishin: informacion për të drejtat e grave si qytetare civile si dhe inkurajimi i iniciativave politike, të cilat garantojnë që gratë kanë të drejtën e votës dhe të përfaqësojnë autoritete shtetërore, si dhe zhvillimin e iniciativave në pjesëmarrjen e tyre në çdo vendimmarrje dhe rëndësinë e rolit të tyre në shoqëri.

Në Konferencën e parë, e mbajtur në Meksikë, Shtetet e Bashkuara me rezolutën: Barazi, zhvillim dhe paqe (1976) deklaruan se dekada në vazhdim do të përbënte për ta strategjinë evoluese në pjesëmarrjen dhe përparësinë e gruas në jetën politike dhe diplomatike. Për këtë qëllim, organizata të ndryshme të Shteteve të Bashkuara formuluan programe të veçanta për të ndihmuar teknikisht në zhvillimin dhe integrimin e grave në shoqëri.

Në Konferencën e Dytë Botërore të Shteteve të Bashkuara "Dekada për Gruan", e mbajtur në Kopenhangë në 1980, çështjet që u diskutuan lidheshin me rezolutën, ku u cilësua se evoliumi kishte ecur me hapa të ngadalshëm.

Konferenca e Tretë Botërore (Nairobi, Kenya, 1985), u mbajt në kuadrin e krizës botërore ekonomike. Kjo ishte dhe e ashtuquajtura "dekada e humbur". Takimi botëror, vlerësoi pasojat që kjo dekadë kishte lënë gjurmë në këtë periudhë, ku moto ishte: Barazi, zhvillim dhe paqe, duke analizuar situatën e gruas nga pikpamja ekonomike, si dhe pasojat që kriza ekonomike kishte lënë për këto të fundit. Vlerësimi konsistoi në qëllimet dhe aspirimet të autoriteteve zyrtare, përsa i takon çështjes së gjinisë, brenda kësaj periudhe, duke formuluar nga ana tjetër modelet origjinale në zhvillimin e rolit të gruas në shoqëri si dhe të drejtat e tyre në proçesin e vendimmarrjes, duke përfshirë në këtë kontekst mijëra gra që përpiqen për t'u integruar plotësisht në jetën politike. Në këtë takim u aprovua dhe dokumenti strategjik "Strategies for the Advancement of Women". Në përputhje me pjesëmarrjen dhe leadership-in, ky dokument cilëson nevojën për një strategji të përbashkët që përfshin autoritetet zyrtare, organizatat jo-qeveritare, botën akademike si dhe elementë të tjera, në mënyrë që të zhvillojë pjesëmarrjen e grave në politikë si dhe në vendimmarrje.

Një rëndësi të veçantë përbën Samiti Inter-Amerikan i mbajtur në Maiami në 1994, i cili ndërrmerte forma të reja reformimi që kanë si qëllim rritjen dhe zhvillimin e pjesëmarrjes së gruas në pozicione kyçe në politikë. Në të njëjtën kohë, Konferenca Ndër-Parlamentare e Shteteve të Bashkuara e vitit 1997 si dhe ministrat anëtarë të Commonwealth (The Commonwealth është një fondacion vullnetar i përbërë nga 50 shtete (e iniciuar fillimisht nga Britania e Madhe) për bashkëpunim dhe paqe ndërkombëtare) përgjegjës për çështjet e barazisë gjinore analizuan çështjen e kuotave për pozicione legjislative, duke vendosur si objektiv kuotizicionin e pjesëmarrjes së gruas në vendimmarrje rreth 30%. Ky numër nuk është vendosur arbitrarisht, por e bazuar në idenë që prezantimi i një grupi minoren në institucionet politike (parti, kongres) duhet të përmbajë 30% (Dahlerup Drude, 1985). Në të njëjtin vit takimi i Santiagos, propozoi adoptimin e masave vepruese, mes të tjerash zbatimin e kontratës, e cila u nënshkrua në takimin e shtatë periferik të Konferencës së Gruas.

Tregues për një pjesëmarrje të gruas në politikë

Historia e mendimit politik perceptohet nga një konceptim funksional lidhur me rolin e gruas në këtë drejtim. Përcaktueshmëria e këtij pozicionimi nënkupton dallimin nga sektori privat (familja) në atë shtetëror si dhe përpilimin biologjik të kritereve mes dy gjinive. Konceptimi funksional i gruas vazhdon dhe në epokën Moderne. Miti i "kontratës sociale" është i shtrirë plotësisht në këtë epokë. Përsa i takon teorive të veçanta, pozicionohen se marrëdhëniet e lira sociale marrin trajtën e një kontrate sociale, ndërsa kontrata gjinore lihet në heshtje. Një tjetër pikë që kërkon vëmendje në teoritë e reja është ajo e atributit qytetar. Në nocionin thelbësor qëndron një kundërshti e rëndësishme: I referohet një gjinie "asnjanëse", dhe realisht nënkupton vetëm meshkujt.

Raporti i gruas me politikën qëndroi për shumë dekada nën hijen e interesit shkencor. Në mjaft studime lidhur me politikën dhe sjelljen elektorale që janë ndërmarrë në Evropën e pasluftës, investigimi i rolit të gruas mes hapësirave politike përbënte një nënfushë të dorës së dytë. Në fund të viteve 1960, gratë nuk përjashtoheshin nga analiza politike. Këmbëngulja e tendencës kryesore, të shkencës politike (amerikane) filloi të merrej me strukturat legjislative politike, e ndërthurur me prezencën e pakët të grave në jetën politike, duke e përqendruar vëmendjen kryesisht tek "gruaja dhe politika" si dhe kryesisht në sjelljen e saj elektorale. Interesantja e këtyre hulumtimeve qëndronte se metri i matjes bashkëngjitej dhe formatohej në përputhje me parametrat e meshkujve në politikë. Konkluzioni ishte se gratë nuk perceptoheshin si persona të pavarur politikë. Kështu konsiderohet se fillimi i viteve 70' kishte një tendencë të re lidhur me interesimin shkencor, duke vënë gruan si objekt brenda politikës dhe pjesëmarrjes së saj. I ashtuquajturi "gjini - gender", ndërsa ishte lënë në harresë, filloi gradualisht të përvetësohet në temat e Shkencës Politike dhe gjërësisht në Shkencat Sociale.

Prirjet e ndryshme të lëvizjeve feministe në përputhje me perspektivat politike, ndikuan në ndërhyrjet politike dhe në eksperiencën e re që tashmë po merrte formë të qartë në Evropë dhe më gjërë. Në dekadat e fundit shohim mjaft gra të pozicionohen në poste të larta politike, duke thyher paragjykime që duan gruan pa ide dhe propozime. Një shembull konkret mund të paraqesim znj. A. Markel si gruan e parë Kancelare të Gjermanisë. Gjithashtu është fakt se, mjaft vende kanë përparuar në përcaktimin e ligjeve që mbrojnë dhe sigurojnë prezencën e gruas në vendimmarrje. Bashkimi Evropian mbështet dhe inkurajon krijimin nga vendet anëtare të strategjive për zhvillimin e balancave, pjesëmarrjen e meshkujve dhe femrave në jetën politike. Për shembull, Franca detyron me ligj të gjitha partitë politike të vendosin një numër të barabartë kandidatësh mes meshkujve dhe femrave, ndërsa lëvizjet feministe të vendit gjithmonë e më shumë kërkojnë pozicionimin e grave në poste qeveritare.

Dhe në vende të tjera evropiane vëzhgohet i njëjti fenomen. Në Suedi, numri i grave deputete arrin tek 45%. Ndërsa në shtete si Spanja dhe Portugalia ideja e një numri të barabartë mes meshkujve dhe femrave është një proçes përmirësimi gjithmonë dhe më shumë. Përqindjet më të larta të grave anëtare të Parlamentit Evropian i ka Hollanda, ku gratë përfshihen në 52%. Vazhdon Esthonia me përqindje të barabartë 50%-50%.

Në skajin tjetër, Malta dhe Qipro, që nuk përfaqësohen nga asnjë grua parlamentare. Greqia, përfshihet me 1/3 e grave parlamentare (8 në 24).

Ia vlen të theksohet që nga 23 kryetarë të këshillit parlamentar vetëm 6 janë gra, ndërsa nga 37 kryetarë përfaqësues parlamentarë vetëm 13 janë gra. Pesë (5) janë gratë nënkryetare të Parlamentit (totali 14), dhe vetëm dy kryetare të trupit diplomatik (totali 6). Qysh prej vitit 1979, nga 12 kryetarë të Parlamentit Evropian vetëm 2 ishin gra: Simone Veil (1979-1982) dhe Nicole Fontaine (1999-2002). Por mund të theksojmë se pjesa e grave në poste parlamentare është dyfishuar, nga 16% në vitin 1997 arriti në 24% në 2007. Por, sigurisht është poshtë 30%, që do të ishte e nevojshme në mënyrë që gratë të kenë ndikim në skenën ndërkombëtare politike. Në gjithë botën, gratë parlamentare përbëjnë 17% (shifra të studimeve të vitit 2008), një shifër e ngritur krahasuar me 10% në vitin 1995. Në përputhje me raportin që u zhvillua në vitin 2008 për llogari të Këshillit Evropian me temë "Femra dhe meshkuj në proçesin e vendimmarjes", 20 vende në gjithë botën mundën në vitin 2006 të kenë 30% pjesëmarrjen e gruas në parlamentet e tyre kombëtare, 8 prej të cilave (prej këtyre vendeve) janë anëtare të Bashkimit Evropian. Pra, bëhet fjalë për Suedinë (47%), Finlandën (42%) dhe Hollandën (39%), e pasuar nga Danimarka, Spanja, Belgjika, Gjermania dhe Austria.

SHARE THIS POST   

  • Facebook
  • Twitter
  • Myspace
  • Google Buzz
  • Reddit
  • Stumnleupon
  • Delicious
  • Digg
  • Technorati
Author: Mohammad
Mohammad is the founder of STC Network which offers Web Services and Online Business Solutions to clients around the globe. Read More →