Download this Blogger Template by Clicking Here!

Widgets

E drejta e pronësisë si kolateral i padrejtësisë

Ylli Manjani

Prona mbetet çështja më e pazgjidhur në shoqërinë tonë. Burimi i mbi 60 për qind të konflikteve në vend vijnë për shkak të saj raporton "Transparancy International" disa muaj më parë. Javën që shkoi qeveria shqiptare riktheu praktikën komuniste të shtetëzimit të pronës, kur vendosi marrjen pa asnjë kusht e ligj të pronës private në dobi të saj. Shtetëzimi nuk parashikohet në asnjë legjislacion demokratik, madje as në legjislacionin tonë. Në demokraci, marrja e tokës private bëhet për interes publik dhe gjithmonë kundrejt shpërblimit të plotë të vlerës së saj të tregut. Me sa duket ky ligj i demokracisë nuk vlen për shtetin tonë, qeveria e të cilit ka vendosur të zëvendësojë edhe gjykatën e shtetit, kur deklaron shtetëzimi u krye për shkak të fakton se pronari na e paskësh fituar pronën në mënyrë të parregullt. Edhe sikur të jetë kështu, përsëri një qeveri demokratike nuk legjitimohet të rrëmbejë pronën e tjetrit pa kaluar nëpërmjet një procesi të rregullt e të pavarur gjyqësor. Kështu e kërkojnë standardet e sundimit të së drejtës në demokraci. Çdo veprim tjetër, si ky që sapo kreu qeveria jonë nuk është demokratik e as legjitim.

Politikisht, veprimi i qeverisë për shtetëzimin e pronës private është kthim pas në kohën e komunizmit. Shtetëzimet për herë të fundit në Shqipëri kanë ndodhur në kohën e komunizmit, kur Enver Hoxha shpronësoi pronarët legjitimë (për koincidencë me rastin e javës së shkuar) nën pretekstin e shpërndarjes së saj popullit në nevojë. Qeveria e sotme, që me këtë rast ngjan pikë për pikë me atë të qeverisë së Enver Hoxhës, ka instaluar një precedent shumë të rrezikshëm në çështjen e pronësisë, sepse me këtë precedent prona e askujt nuk është më e sigurt. Mjafton një dokument alternativ të bindë ZRPP-në ose qeverinë dhe prona e kujtdo mund të shtetëzohet apo çregjistrohet pa as më të voglin problem. Dhe e gjithë kjo procedurë ndodh pa shkuar fare në gjykatë, duke shkelur kështu rëndë Kushtetutën e vendit dhe parimet e sundimit të së drejtës. E drejta e pronësisë është e drejtë themelore dhe si e tillë ajo garantohet vetëm nga një pushtet i pavarur, ky është standardi kushtetues dhe ai i sundimit të së drejtës. Mirëpo, ngjarjet e fundit po tregojnë se këto parime nuk vlejnë e për pasojë e drejta e pronësisë në vend që të jetë kolaterali i zhvillimit shoqëror, po shndërrohet në kolateral të së padrejtës.

Më keq akoma, përplasja e turpshme e policive të shtetit dhe asaj të bashkisë për këtë ngjarje dëshmon qartësisht se jetojmë në një shtet gangsterësh dhe jo në një shtet ligjesh. Policitë paguhen për të mbrojtur të drejtat, përfshi atë të pronës private, dhe jo për të bërë luftë me njëra-tjetrën në shërbim të shefave të tyre që e duan pronën për kolateral të padrejtësisë. Ligjërisht asnjëri prej aktorëve shtetërorë të përfshirë në këtë konflikt nuk ishte në rolin e vet ligjor. Policia bashkiake funksionon për të zbatuar vendimet e bashkisë. Kjo e fundit ka në "pronësi" lejet e ndërtimit ose urbanistikën e qytetit. Sa herë që kjo e fundit cenohet policia bashkiake ka për detyrë të ndërhyjë. Zhvillimin urban bashkia e bën në bashkëpunim me privatët, të cilët kanë tokat dhe paratë. Në këto kushte, shfaqja e bashkisë si mbrojtëse e të drejtës së pronësisë private jo vetëm që nuk është e bazuar, por ngjau më tepër si një përpjekje për t‘i paraprirë ndonjë sulmi të mundshëm që mund t‘i bëjë qeveria. Qeveria qendrore ka për detyrë të merret me politika të mëdha zhvillimi dhe jo me anulime lejesh apo më keq akoma me shtetëzime pronash. Qeveria mund të kryejë auditet dhe të kërkojë ndëshkime për shkelje, por jo të sillet si rrëmbyese pronash. Kjo është logjika që e bën këtë përplasje të ngjajë më tepër si përplasje gangsterësh e jo si debat institucionesh në funksion të zbatimit të ligjit dhe të zhvillimit.

Ky është rasti i fundit, por raste të tilla për fat të keq kanë filluar të shtohen. Qeveria përgatiti terrenin ligjor që në sesionin e shkuar kur miratoi ligje që kërkojnë riverifikimin e titujve të pronësisë dhe që i japin të drejtë Zyrës së Regjistrimit të pasurive të çregjistrojnë prona. Kjo e fundit madje me disa akte ligjore e nënligjore në mënyrë antikushtetuese është e urdhëruar që të mos regjistrojë as disa kategori të vendimeve të gjykatave. Kështu është zhvleftësuar krejtësisht pushteti gjyqësor në vend dhe është destabilizuar tërësisht siguria juridike e pronës në vend. Për fat të keq, ky destabilitet po ndodh edhe pas 19 vjetësh tranzicion, kur më shumë se kurrë po i afrohemi integrimit në Europë.

Në gjithë këtë situatë partitë politike në vend nuk kanë një strategji se si të garantojnë stabilitetin e pronës. Partitë tona duket sikur më shumë kujdesen për të sharë njëra-tjetrën sesa të heqin të drejtën e pronësisë nga kolaterali i padrejtësisë. Është e qartë që qeveria e partisë së Berishës po instalon këtë klimë destabiliteti, ashtu siç është e qartë që Partia Socialiste nuk ka ndërmend të merret me këtë çështje, por thjesht mendon se bën politikë duke sharë Berishën dhe familjen e tij. PSSH nuk ngurron as të bëhet protagoniste në vendosjen e pronës private si kolateral të padrejtësisë kur publikisht pengon pronarët të marrin pronën e tyre të fituar me vendimet e të gjitha shkallëve të gjykimit. Nuk po flas për partitë e tjera, sepse janë të pafuqishme elektoralisht që të ndikojnë në këtë çështje. Një gjë mbetet e sigurt, se pa u shkëputur kjo e drejtë nga padrejtësia shoqëria jonë nuk do të gjejë paqe dhe nuk do të mund të zhvillohet normalisht. Prandaj, është koha të mendojmë të gjithë seriozisht për këtë gjë, duke bërë të mundur që të kthejmë sigurinë juridike pronarëve në radhë të parë dhe të garantojmë kthimin sa më të shpejtë të pronës te pronari legjitim. Sa më shpejt dhe drejt të bëhet kjo, aq më mirë do të jetë për të gjithë ne.

SHARE THIS POST   

  • Facebook
  • Twitter
  • Myspace
  • Google Buzz
  • Reddit
  • Stumnleupon
  • Delicious
  • Digg
  • Technorati
Author: Mohammad
Mohammad is the founder of STC Network which offers Web Services and Online Business Solutions to clients around the globe. Read More →