Download this Blogger Template by Clicking Here!

Widgets

GJAKMARRJA NE KODIN PENAL

Hysni Ahmetaj

Gjakmarrja, shumë e përfolur kohët e fundit, është një dukuri e ndërlikuar për t‘u kuptuar, e rrjedhimisht, e vështirë për t‘u luftuar për aq sa është e vështirë të luftohet një fenomen që nuk mund të kuptohet. Vrasja për gjakmarrje konsiderohet nga Kodi Penal si një vepër penale shumë e rëndë dhe dënohet jo më pak se njëzet vjet burgim. Parashikohet në të njëjtën dispozitë me hakmarrjen dhe vrasjen për interes, dhe është përfshirë së fundmi në Kodin Penal, në emër të luftës ndaj kriminalitetit, konkretisht për atë krim që i atribuohet zbatimit të Kanunit.

Eficenca e kësaj dispozite në këtë luftë mbetet për t‘u vlerësuar, pasi sjell pasoja negative në shoqëri njohja e kësaj norme nga ligji dhe nuk mund të jemi të sigurt se kur kemi të bëjmë me zbatimin e një norme të së drejtës zakonore në atë masë që të mund ta quajmë gjakmarrje. Efektet negative mund të jenë: përcjellja e një imazhi negativ të kanuneve; përdorja e tyre për të justifikuar kriminalitetin si përcjellja e një imazhi joreal të shoqërisë shqiptare. Një shqyrtim i hollësishëm i këtyre efekteve dhe pasojave do të na çojë në përfundimin se ekzistenca e kësaj norme në Kodin Penal është jo vetëm e panevojshme, por edhe e dëmshme.

Kur flitet për kanunet shqiptare, përgjithësisht theksi vihet te të qenit një e drejtë e pashkruar dhe është cilësuar nga studiuesit si një e drejtë feudale e Mesjetës. Në të vërtetë, karakteristika kryesore është ekzistenca e një të drejte dhe zbatimi i saj pa ekzistencën e një aparati shtetëror. Në mungesë të shtetit, për arsye të ndryshme dhe në kohë të ndryshme, shoqëria krijoi organizimin e vet juridiko-social, si dhe mekanizmat e veta për të siguruar respektimin e rregullit të vendosur si një vlerë e përbashkët.

1. Kanuniështë tërësia e normave morale-juridike e shoqërore, që mori përsipër të rregullojë marrëdhëniet mes njerëzve në mungesë të shtetit. Në këto kushte, rëndësi të veçantë merr Kanuni për sa i takon krijimit të ndërgjegjes juridike, ndërgjegje që me anë të mekanizmave dhe filozofisë së Kanunit arriti në shkallën më të lartë. Duke cituar Edith Durham, se "ajo që ka thënë Leka është mbi urdhërimet fetare", kuptojmë se bindja ndaj Kanunit është më e madhe së bindja ndaj vetë fesë, duke u kthyer kështu në filozofi jete një sistem të mbyllur, ku parashikohet gjithçka për sa u takon rregullave të jetës në një mungesë të rendit shtetëror. Kanuni përbënte kështu një sistem të plotë juridik, duke parashikuar edhe mekanizmat e zbatimit të tij. Për sa i takon të drejtës penale, konkretisht seksioni i vrasjeve, përveç pajtimit dhe gjobës parashikohet edhe gjoba si sanksion për vrasje të ndryshme. Ky sanksion konsiderohet si shans i fundit për të dhënë drejtësi në një shoqëri ku mungon shteti apo vendet e posaçme për të vuajtur dënimin me burg. Kanuni përcakton në detaje rastet, palët dhe procedurat e gjakmarrjes. Procedurat, në këtë rast, si në shumë të tjera, marrin rëndësi të jashtëzakonshme. Mosrespektimi i procedurave, gjatë dhe pas gjakmarrjes, jo vetëm nuk është gjakmarrje, por mund të çojë në pasoja shumë të rënda. Të gjitha procedurat, si ndërhyrja e fshatit, fisit, marrja e pleqve, thirrja e pleqve, dhënia e besës, akti i vrasjes, përfshirë rregullimin e viktimës nga autori, lajmërimin e familjes së të vrarit, ngushëllimet në faljen e tij kur është rasti etj., kryheshin pa praninë e shtetit. Të gjitha këto kryheshin në një shoqëri të organizuar në bazë fshati, fisi dhe bajraku, të përcaktuar në mënyrë të saktë, së bashku me kompetencat e secilit nga Kanuni.

Duke pranuar termin gjakmarrje, Kodi Penal bën një krahasim të vrasjes për hakmarrje ose për interes në kushtet e një shoqërie të organizuar në shtet, me gjakmarrjen e vendosur si institucion në Mesjetë, apo edhe më herët, në ato zona ku popullsia u bëri rezistencë tipave të ndryshëm të shteteve me organizimin e tyre origjinal. Ky krahasim i ul së tepërmi vlerat e këtij organizimi social-juridik, e së bashku me të, një pjese të mirë të historisë së këtij kombi. Ky krahasim përpiqet të marrë vlera nga historia dhe t‘i aktualizojë në situata shumë banale. Duke dhënë një panoramë të tillë, që vlerat organizuese të një populli në kushtet e mungesës së shtetit, të konkretizuar në gjakmarrjen dhe procedurat e saj, paraqiten në të kundërtën e saj, d.m.th. kjo shërben për të zhbërë vlerat organizuese të shoqërisë të kulmuara me shtetin.

2. Ngritja e ndërgjegjes juridike në një shkallë shumë të lartë është pasojë e mbështetjes morale që u jep Kanuni normave të veta juridike. Siç edhe e thamë më sipër, ishte një kod që rregullonte marrëdhëniet morale sociale-juridike, duke u bërë një filozofi e kompletuar e jetës. Kanuni njihet, pra, si një kod moral që predikon një sistem dhe një hierarki të caktuar vlerash; ndërton një individ me edukim unik, fisnik deri në vetëmohim, një njeri me karakter shumë të fortë, me moral të pathyeshëm, që nuk mund të pranojë veset, që jeton në emër të virtytit, tërësia e të cilave përmblidhet në fjalën burrë. Meqenëse detyrimi moral është shumë i rëndësishëm për ndërgjegjen juridike, ato të dyja gërshetohen, e për rrjedhojë, zbatimi i ligjit kthehet në virtyt, dhe gjithashtu me ligj duhet të jesh i virtytshëm. Kjo është fuqia e Kanunit. Kjo lidhje ka sjellë një respekt të madh për Kanunin nga ana e popullit, në sytë e të cilit Kanuni nënkupton rregull, ligj dhe moral në të gjitha fushat e jetës, të gjitha të integruara në një sistem, ç‘ka e bën jetën shumë më të thjeshtë.

Në kohët moderne, kur Kanuni nuk rregullon prej dekadash as marrëdhëniet ekonomike-sociale apo morale, aq më tepër ato juridike, na shfaqet një fenomen i papëlqyeshëm. Përkrah dobësimit të rolit të shtetit pas rënies së diktaturës, u relativizua edhe roli i sistemit të vlerave, veçanërisht morale, në shoqërinë demokratike. Një pjesë e konsiderueshme, natyrisht, i bëjnë rezistencë shembjes, hierarkisë së vlerave dhe nuk identifikohen me vlerat e pluralizmit, veçanërisht për sa i takon relativizmit të vlerave morale. Duke përdorur rezistencën e shumë individëve përballë këtij fenomeni, shumë autorë vrasjesh për hakmarrje apo për interes e përdorën Kanunin si justifikim, me pretendimin se identifikohen me vlerat e tij.

Duke abuzuar me idenë, përfaqësojnë moralin e të parëve përballë një kohe gjithnjë e më të pamoralshme dhe që po degjenerohet, me pretendimin se liria duhet të përdoret për të ndërtuar një shoqëri më të moralshme, duke mbrojtur nderin e secilit, dhe jo e kundërta. Shumë njerëz e shohin shtetin pas vuajtjes nën totalitarizëm si diçka të huaj për jetën e tyre, si një entitet që qëndron atje, që ka monopolin e dhunës, që mund të vendosë taksa, që mund të të punësojë, të të paguajë sigurimet ose të të ndëshkojë për hesap të vet. Shteti, përballë të të cilit qëndrojmë ne, e që nuk mund dhe nuk duhet të ndikojmë në të por dhe ne secili duhet të kemi masat mbrojtëse. Një komunitet në shërbim të shtetit dhe ku komuniteti mendon dhe pret të përfitojë nga shteti në mënyrë direkte, si shpërblime financiare, përvetësime të paligjshme etj. Këto janë ndjesi dhe koncepte të formuara nga trashëgimia totalitariste, ku shteti shkatërronte çdo entitet tjetër veç shtetit, duke vendosur shtetin përballë individit, i cili e shtypte atë me gjithë fuqinë e vet. Kjo vjen nga mungesa e kulturës demokratike, rrjedhojë e drejtpërdrejtë e totalitarizmit.

Vetë shoqëria jonë, duke e pasur të panjohur pothuaj prej një shekulli shoqërinë pa shtet, nuk mund ta imagjinojë shoqërinë pa shtet. Gjithsesi, kujtimi i diktuarës ngjall ndjesinë e një shteti armiqësor dhe një sistemi të imponuar vlerash. Rënia e diktaturës i lë njerëzit të uritur për një hierarki vlerash përball relativizmit të vlerave që sjell demokracia. Në kushtet e lulëzimit të shumë trafiqeve, bizneseve dhe interesave kontradiktore, organizatave kriminale, shumë individë të afirmuar si të suksesshëm në shumë fusha, të detyruar ose të dëshiruar të vrasin për t‘u afirmuar, përdorin kanunin për t‘u justifikuar para opinionit publik. Ndikim shumë të madh ka në shumë njerëz historia e lavdishme e kanunit që veç karakteristikave që i cituam më sipër shoqërohet në praktikë më inteligjente dhe shumë eficente të situatave. Zgjidhje këto që janë shumë afër me njeriun e thjeshtë të fshatit në jetën e tij të përditshme, janë vetë jeta e tij. Kujtojmë këtu se nuk ka konflikte për pronën, ujërat etj., në zonat ku u aplikua Kanuni për shpërndarjen e tij. Nga ana tjetër, rikthimi i gjakmarrjes nga disa individë që në të shumtën e rasteve u afirmuan në saj të një shteti të paaftë të kryejë punën e vet e vendos njeriun e thjeshtë nostalgjik të këtyre vlerave nën presion të kryej atë çka pritet prej tij. Të vendos drejtësi sidomos kur shteti është i paaftë të vendosë drejtësi për të. Kemi një paradoks, në kërkim të rregullit, të ndërgjegjes juridike thyejmë ligjin duke i dhënë iluzionin ndokujt se kemi mundësinë të zgjedhim mes dy sistemeve juridike. Ekzistenca e gjakmarrjes në Kodin Penal e bën atë të mendojë se ajo vërtet ekziston në kohën e sotme dhe se sanksioni ndaj saj është çmimi që ai paguan për zbatimin e një kodi që i jep kuptim jetës së tij. Ndërkohë që për kriminelin është çmimi për larjen e hesapeve ose për një biznes më të suksesshëm. Duke qenë së gjakmarrja nga njerëz të thjeshtë është në krahasim me krimet e rëndomta që justifikohen me anë të kanunit në një numër shumë të vogël dhe është gjithmonë pasojë e një vrasje të mëparshme, pasi sipas rregullit vetëm gjaku shkon për gjak, mund të dalim në përfundimin se jo vetëm nuk e ul kriminalitetin, por në të vërtetë përdoret për të justifikuar moralisht një pjesë të mirë të krimit me anë të një kodi që në fakt është konceptuar për të bërë ekzaktësisht të kundërtën. Pra, është konceptuar në funksion të kufizimit të vrasjeve për hakmarrje, ndërkohë që mund të përdoret në sensin e kundërt. Justifikimi me anë të këtij Kodi e vështiron shumë punën e drejtësisë.

3. Gjakmarrja dhe hakmarrja përfshihen në të njëjtën dispozitë në Kodin Penal, janë të dyja vrasje me paramendim, por ndryshon motivi. Vështirësia qëndron në dallimin mes tyre. Sipas komentarit të Kodit Penal, botim i vitit 2002, me hakmarrje kuptohet ajo vrasje që kryhet si shpagim për një dhunë apo një veprim të drejtpërdrejtë, si p.sh. rrahja, shpifja etj. Me gjakmarrje kuptohet vrasja e kryer për të marrë gjakun e babait, vëllait, nipit etj., sipas rregullit kanunor "gjak për gjak". Për sa kohë marrja e gjakut është një shpagim për një vrasje të mëparshme, gjakmarrja është në vetvete hakmarrje, hakmarrje me një objekt specifik, marrjen e gjakut sipas rregullit kanunor. Duke iu referuar gjakmarrjes, Kodi Penal bën diferencën mes hakmarrjes sipas procedurave e ligjit që quhet Kanun dhe hakmarrjes sipas vetëgjyqësisë të secilit, të quajtur hakmarrje. Sa kohë që sanksioni është i njëjtë nuk e shoh se si do të jetë eficiente vendosja e gjakmarrjes, pasi në mungesë të saj motivi do të konsiderohet hakmarrje dhe do të ketë të njëjtin sanksion. Gjithsesi, problemi kryesor mbetet evidentimi në praktikë i rasteve të gjakmarrjes. Në kushtet pamundësisë së shtetit për të kontrolluar gjithçka, vrasjet për hakmarrje kanë marrë përmasa të mëdha në të gjithë territorin e vendit. Kanuni është një e drejtë zakonore, që zbatohet në kushtet e mungesës së shtetit dhe është zhvilluar rast pas rasti me ndihmën e pleqve, të cilët luanin edhe rolin e jurist-konsultit. Në një gjykim të rastit të gjakmarrjes, gjyqtarit i duhet të vendosë nëse i pandehuri i njihte rregullat e Kanunit, dhe ka vrarë në zbatim të dispozitave të tij, apo ka vrarë i shtyrë nga instinkti i hakmarrjes. Në kushtet kur Kanuni është zëvendësuar nga ligji, prej dekadash, dhe shumica e popullsisë nuk e njeh prej dekadash apo e njeh pjesërisht, në bazë të interesave ideologjike të regjimit që iku, është e pamundur të gjykojmë nëse i pandehuri ka zbatuar pikë për pikë Kanunin apo ka vrarë i shtyrë nga instinkti i hakmarrjes. Nga përpjekja për të zbatuar këtë dispozitë mund të jepen vendime të pabazuara, të bëhen cilësime juridike duke marrë për bazë rrethana të jashtme, pa lidhje me shkakun e drejtpërdrejtë, si p.sh. zbatimi i Kanunit në zona të caktuara para gati një shekulli, respektimi i shumë traditave që vijnë nga koha e tij në zonën ku jeton i pandehuri etj. Nga kjo rrjedh një realitet, ku vrasjet për të marrë hak në disa zona cilësohen më motiv hakmarrjeje dhe në disa zona me motiv gjakmarrjeje, në varësi të historisë së zonës ku zhvillohet ngjarja.

Realiteti kanunor nënkupton disa struktura të organizuara; familjet e mëdha, fshatra dhe fise të mirorganizuara, që veprojnë si subjekte juridike dhe kanë pushtet të përcaktuar. Të pranosh një realitet të tillë është e gabuar dhe sjell pasoja në përpjekjen për të ndryshuar gjendjen e për të luftuar kriminalitetin, pasi reformat do të ndërtohen mbi premisa të gabuara. Jo vetëm fisi, fshati dhe familja patriarkale nuk ekzistojnë më si pushtete, por edhe familja nukleare është në krizë. Më së miri këtë e dëshmon numri në rritje i divorceve dhe krimi në familje. Në vend të këtij realiteti kemi një realitet, ku më i forti nuk dënohet dhe shteti nuk ia del të vendosë drejtësi. Kjo situatë është një thikë me dy presa; nga njëra anë të fortët inkurajohen në kriminalitet dhe popullsia detyrohet të hakmerret. Nuk kemi një shoqëri kanunore, por një shoqëri që nuk u ofron të gjithëve shanse të barabarta, kemi individë dhe grupe që nuk bëjnë pjesë në shoqëri që përpiqen të vendosin rregullat e tyre, e që janë po aq hibride mes moralit, mundësive, të shkuarës, të ardhmes, padijes, varfërisë sa edhe jo kanunore.

Mbështetur në këto argumente mund të themi se ekzistenca e gjakmarrjes në Kodin Penal është e papranueshme për disa arsye; së pari, ndikon në prishjen e imazhit të kanuneve; së dyti, nuk e ul kriminalitetin, pasi përdoret për justifikim; së treti, është praktikisht e pamundur të identifikosh një vrasje për gjakmarrje sa kohë nuk mund të përcaktojmë nëse një njeri i është bindur vërtet Kanunit dhe kur ai hakmerret, duke u justifikuar me Kanun; së katërti, dëshmon për një realitet që nuk ekziston duke mos përputhur të drejtën me realitetin.

Gjykoj se dispozita që përcakton hakmarrjen përfshin më së miri ato vepra që në shumicë i atribuohen gjakmarrjes.

SHARE THIS POST   

  • Facebook
  • Twitter
  • Myspace
  • Google Buzz
  • Reddit
  • Stumnleupon
  • Delicious
  • Digg
  • Technorati
Author: Mohammad
Mohammad is the founder of STC Network which offers Web Services and Online Business Solutions to clients around the globe. Read More →