Download this Blogger Template by Clicking Here!

Widgets

Intelektuali dhe teknologjia

KOPI KYçYKU

Teknologjitë e reja kulmore dhe kultura që shoqëria u ofron të gjithëve, rritin peshën e veprimtarisë intelektuale. Shkalla e “intelektualizimit” të çdo pune, gjithashtu vazhdon të rritet. Në kushtet kur fshirja e dallimeve ndërmjet veprimtarisë fizike dhe asaj mendore kalon përmes rrugës së “intelektualizimit” të punës fizike dhe pakësimit të peshës së veprimtarive fizike në punët mekanike të përsëritshme dhe të rënda; në rrethanat kur vetë mënyra e kryerjes së punës intelektuale pëson ndryshime, duke i lënë veprimtaritë rutinë në dorë të disa mjeteve të reja informatike, tema e vjetër, por gjithaq aktuale, e rolit të intelektualit në shoqëri qëndron në rend të ditës. Secilit prej nesh i hapet në jetë një trajektore intelektuale, pavarësisht nga fusha në të cilën veprojmë. Ky fakt nuk mund të mos ndikojë edhe në jetën e shoqërisë. Ndërkaq, intelektuali i sotëm duhet të vetëdijesohet për “shkallët” që duhet “të ngjitë”. “Shkalla” e parë, që i përgjigjet fare mirë moshës së rinisë e të fillimit të pjekurisë është ajo që e nxit intelektualin të jetë aktiv, të ndërtojë, të prodhojë, të marrë pjesë në planet e në pikësynimet e rëndësishme të shoqërisë. Kjo “shkallë” pleks shtysën e intelektualit për aksion me besimin në mjedisin shoqëror që e rrethon. Veprimtaria e tij merr vrull atëherë kur sheh se veprimet e tij japin rezultate pozitive dhe ndihmojnë sadopak në përparimin e në mbarëvajtjen e shoqërisë. Kjo është arsyeja pse intelektuali duhet ta ballafaqojë gjithmonë teorinë me realitetin në cilëndo fushë që do të punojë. Në rast mospajtimi mes teorisë dhe praktikës, ai duhet të përpiqet të kuptojë sa më mirë idetë që qëndrojnë në themel të aksionit dhe të përdorë ide të reja në kushtet kur të vjetrat nuk u përgjigjen më kërkesave të kohës. “Shkalla” e dytë, që përkon me pjekjen e mëtejshme, është ajo e përsiatjes, e formulimit të mendimeve që i ndreqin apo i përmirësojnë gjërat. Ndërkohë që mençuria në aksion është e nevojshme për gjallërimin e pulsit të shoqërisë, mençuria në përsiatje është e nevojshme për të ardhmen e shoqërisë. Askush nuk e vë në dyshim sot rolin e teknologjisë në zhvillimin e shoqërisë dhe të njeriut. Ajo filloi me teknologjinë e gurit, për të mbërritur tek teknologjia e informacionit. Shoqëria, individi, teknologjia dhe kultura janë të lidhura me njëra-tjetrën. Teknologjia paraqet një veçori që e dallon nga kultura, sido që, në fund të fundit, është një formë e caktuar e kulturës. Si formë e njohjes, teknologjia është kulturë përmes dy përbërësesh: njëra kognitive-shpirtërore në mendjen e individit dhe tjetra informacionale në kompjutera, në sisteme-ekspert dhe, në përgjithësi, në programe informatike. Gjithashtu, ajo ka edhe një përbërëse materiale përmes pajisjeve të prodhimit dhe objekteve teknologjike që na rrethojnë. Por, teknologjia është edhe mbështetje, nënshtresë për kulturën. Nuk është fjala vetëm për trajtën estetike të objektit teknologjik, por për orientimin e tij të përgjithshëm kulturor, veçanërisht sot, kur informacioni që ky objekt mund të zotërojë, hyn në ndërveprim me individin. Njerëzit ndikohen ndërsjelltas dhe e zbulojnë të vërtetën bashkërisht nëpërmjet komunikimit. Tashmë njeriu dhe informacioni i teknologjizuar, dinamik, mund të “bashkëbisedojnë”. Njeriu mund të përcjellë kulturë joteknologjike dhe, njëkohësisht, ta përthithë këtë kulturë drejtpërdrejt, jo vetëm nga njerëzit e tjerë, por edhe nga teknologjia fiziko-informacionale. Në këto rrethana nuk mund të thuhet se kultura e përgjithshme, humaniste teknologjizohet, sepse kështu do të shpërfillnim marrëdhëniet e mirëfillta ndërmjet teknologjisë si nënshtresë thelbësore dhe kulturës së përgjithshme si dukuri informacionale. Ndërveprimi i fuqishëm teknologji - kulturë i detyrohet, në radhë të parë, faktit që teknologjia zbatohet gjerësisht edhe në informacion. Kemi të bëjmë me një “çiftim” të ri mes teknologjisë dhe shoqërisë, çka pasohet nga shndërrime sociale. Me rëndësi është që tani teknologjia vepron jo vetëm nëpërmjet faktorit ekonomik, por edhe atij kulturor dhe anasjelltas: kultura vepron edhe përmes teknologjisë. Ky është një aspekt që lipset ta orientojë mendimin drejt trajtash të përparuara të zhvillimit të kulturës, të një kulture me përmbajtje humaniste dhe qytetëruese. Veçmas, teknologjia e komunikimit sjell një ndihmesë të fuqishme në globalizim, pra në ndërvarësinë e shoqërisë dhe të njerëzve të rruzullit tokësor, që është përvijuar si rrjedhojë e forcave të reja ekonomike të përftuara nga një sërë teknologjish në kërkim të burimeve natyrore. Në qoftë se do ta këqyrim socialen sa më natyrshëm, në kontekst global, roli kulturor i teknologjisë do të fuqizohet më tej. Specia njerëzore, për të cilën mund të thuhet se është bërë tashmë me të vërtetë përnjëmend globale, duke dërguar përfaqësues në hapësirën ndërplanetare, kërkon pa dyshim mënyra të reja mbijetese e jetese. Ajo zhbiron me kërshëri thellësitë e lëndës, shpirtit dhe të gjithësisë. E gjendur në një baraspeshë të brishtë, plot vuajtje në pjesë të ndryshme të globit, duke iu ndrojtur vetëshkatërrimit bërthamor ose ekologjik, kërkon të kuptojë çfarë po ndodh me të, çfarë është në gjendje të bëjë, çfarë perspektivash ka. Specia njerëzore është e vetmja qenie e gjallë që ka zhvilluar kulturën, idetë, shkencën, teknologjinë, me një fjalë një vetëdije që pasurohet brez pas brezi. Njerëzimi është tashmë dëshmitar i njëfarë gare ndërmjet teknologjisë dhe kulturës. E para favorizon njëtrajtësimin, uniformizimin kulturor dhe ngjizjen e një përbërëseje të përbashkët të ndërgjegjes globale. “Ngarkimi” i teknologjisë me kulturë humaniste, me gjuhë shprehëse të natyrshme, mund të sjellë mbizotërimin e një kulture të fuqishme nga pikëpamja e krijimtarisë teknologjike dhe e potencialit ekonomik. Këtij procesi, të pashmangshëm në njëfarë mase, mund t’i “bëjmë ballë” vetëm me një kulturë më të fuqishme shpirtërore, së cilës teknologjia t’i nënshtrohet nga pikëpamja kulturore. Kjo arrihet përmes krijimit të vlerave shpirtërore shkencore, filozofike, artistike dhe letrare, të cilat të rrezatojnë në kah të anasjelltë nëpërmjet vetë teknologjisë, e cila duhet të bëhet pjesëmarrëse aktive në këtë proces. Po qe se do të krijojmë bindjen se dukuritë më të rëndësishme në univers janë ndërgjegjja dhe fuqia e saj, atëherë edhe ndërgjegjja e kombit mund të fuqizohet nëse do të ndihmojë me përkushtim në kulturën kombëtare. E gjitha, fatmirësisht, nuk varet nga faktorë jashtë ndërgjegjes, por kryekëput vetëm nga kjo e fundit, nga mënyra se si sistemi shoqëror do të mbështesë gjendjen e qytetërimit socio-human, ku vërtet krijuesit përkrahen, nxiten dhe këqyren si shprehje e shpirtit të vetë popullit, nga gjiri i të cilit kanë dalë, të qarkuar nga një kulturë popullore e begatë. Teknologjia më moderne dhe vetëdija e shpirtit dhe e kulturës kombëtare, falë vlerave të krijuara dhe të atyre që mund të krijohen më tej, i japin kuptim jetës dhe shtojnë shpresa të themelta për ndërtimin e një të ardhmeje të garantuar.

SHARE THIS POST   

  • Facebook
  • Twitter
  • Myspace
  • Google Buzz
  • Reddit
  • Stumnleupon
  • Delicious
  • Digg
  • Technorati
Author: Mohammad
Mohammad is the founder of STC Network which offers Web Services and Online Business Solutions to clients around the globe. Read More →